1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sinjale në politikën e mjedisit dhe të arsimit

Kabineti i Obamës është gati

default

Ministri i ardhshëm amerikan i energjetikës Stivën Çu dhe presidenti i zgjedhur Barak Obama.

Vendimi i Obamës për t'i dhënë postin e ministres së jashtme Hillëri Kllintën-it (Hillary Clinton) ishte në qendër të vëmendjes së mediave. Por më domethënëse për agjendën e tij politike janë emërimet e atyre që do të drejtojnë në postet përgjegjëse politikën energjetike dhe atë të klimës.

Pak pas ditës së zgjedhjeve, Barak (Barack) Obama emëroi bashkëpunëtorët e tij të parë kryesorë. Pak ditë përpara krishtlindjeve, ekipi i tij është i plotë. Asnjë president tjetër përpara tij nuk ka qenë kaq i shpejtë. Hillëri Kllintën ministre e jashtme, Robert Geits (Gates) ministër i mbrojtjes - këto emërime zunë shpejt kryetitujt e gazetave. Por Obama po jep sinjale të qarta edhe në fushën e politikës energjetike dhe të ambientit.


Kthesën në politikën energjetike të SHBA-ve do ta drejtojë ky burrë:


"Doktor Stivën Çu (Steven Chu) është mbajtës i çmimit Nobel për fizikën dhe ka pasur tashmë shumë funksione ku vendosen piketat për një mënyrë tjetër përftimi energjie në vendin tonë, të re dhe të pastër." - u shpreh presidenti i zgjedhur.

Stivën Çu do të jetë ministër i energjetikës. Atij i pëlqen të flasë qartë. Një shembull: çfarë dinë amerikanët për pasojat e ndryshimit të klimës?


"Unë besoj se amerikanët nuk e kuptojnë, se ka shumë të ngjarë që të ndodhin gjëra tejet të pakëndshme. Ata parimisht nuk e kuptojnë këtë. Ndryshe do të bënin diçka kundër ndryshimit të klimës."


60 vjeçari deri tani ka drejtuar një laborator kërkimesh në fushën energjetike në Kaliforni. Për Stivën Çu-në e ardhmja janë karburantet biologjike dhe energjia diellore. Mbajtësi i çmimit Nobel thotë për rezervat gjigante të qymyrit në botë, se ato janë për të ëndrra e tij më e keqe. Sa më shumë qymyr të digjet, aq më shumë gazra që shkaktojnë efektin serë çlirohen.


Stivën Çu ka si detyrë të bëjë një politikë energjetike që merr seriozisht rezultatet e kërkimeve shkencore, që prodhon më pak lëndë të dëmshme, dhe vë theksin në kursimin e energjisë. "Nëse do të isha perandor, do të mbështesja plotësisht efikasitetin dhe kursimin", ka thënë Çu njëherë. Ai natyrisht nuk do të bëhet perandor, "vetëm" ministër. Dhe ka nevojë për aleatë.


Në këtë aspekt Kerëll Braunër (Carol Browner) mund të bëhej shumë e rëndësishme. Ajo ka drejtuar më parë autoritetin amerikan për mbrojtjen e ambientit. Tani energjikja Kerëll Braunër do të marrë një rol kyç në kabinetin e Obamës:


"Për këtë arsye emëroj Kerëll Braunër-in në një post të ri në Shtëpinë e Bardhë, ajo do të koordinojë politikën energjetike dhe të klimës."


Braunër duhet të harmonizojë politikën energjetike me atë për mbrojtjen e ambientit. Për Obamën ky është një nga prioritetet kryesore: fjala është për sigurinë kombëtare, ekonominë dhe mbrojtjen e ambientit. Këtë e di edhe ai që edhe si ministër mban një kapele kauboji në kokë:


"Senatori Ken Sellëzar (Salazar) do të jetë ministër i brendshëm."


Ken Sellëzar vjen nga perëndimi i egër, Kolorado. Ministria e brendshme në SHBA ka kompetenca krejt të tjera nga ato në vendet e tjera perëndimore. Ajo jep licenca për shpimet e naftës dhe të gazit, dhe është njëkohësisht përgjegjëse për parqet natyrore gjigante të vendit. Ministri me kapele kauboji ka objektiva ambiciozë:


"Jam i gëzuar të ndihmoj në ngritjen e një ekonomie energjetike të pastër, në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së rrymës si dhe të kujdesem për një shfrytëzim me zgjuarsi të burimeve tona konvencionale të energjisë: qymyrit, naftës dhe gazit."


Barak Obama planifikon ta vërë theksin aty ku SHBA-të kanë qenë deri tani të dobëta: jo vetëm në politikën energjetike, të mbrojtjes së ambientit dhe të klimës. Nevojë emergjente për përmirësim ka edhe në politikën e arsimit. Shkollat fillore dhe gjimnazet kanë patjetër nevojë për një impuls: mësues më të mirë, më shumë para dhe ide të mira. Këtë detyrë herkuliane do ta marrë An Dankën (Arne Duncan). 44 vjeçari tregoi kohët e fundit në Çikago, se edhe shkollat shtetërore mund të jenë shkolla të mira. Dankën ngulmon:


"Asnjë temë nuk është aq emergjente sa arsimi. Nëse duam të shmangim varfërinë, të forcojmë ekonominë apo të krijojmë shanse, arsimi është sfida me të cilën duhet të përballemi. Kjo është tema kryesore e të drejtave të njeriut për brezin tonë.“


Sinjalet politike nuk mungojnë. Tani ato duhet të vihen në jetë përmes polikës praktike.

  • Data 23.12.2008
  • Autor Jens Borchers
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GM8j
  • Data 23.12.2008
  • Autor Jens Borchers
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/GM8j