1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Sinjal paralajmërues për të gjithë sundimtarët arabë

Protestat e ashpra të popullsisë bënë që presidenti i Tunizisë të largohet prej vendit. Një ngjarje deri tani unikale me rëndësi të madhe për të gjithë rajonin.

default

Ajo që ndodhi në Tunizi është një ngjarje historike dhe një sinjal i fortë për të gjithë botën arabe. Kjo tregon se popujt mund të ngrihen me sukses kundër sundimtarëve autoritarë dhe të korruptuar, që „ndryshimi i pushtetit“ me forcat e veta është i mundshëm - pa ndërhyrje ushtarake nga brenda apo nga jashtë, madje pa drejtimin e politikanëve të opozitës apo të aktorëve të shoqërisë civile.

Në blogjet dhe forumet arabe të internetit vihet re një valë simpatie me rininë tuniziane, e cila duhet të jetë një shenjë paralajmërimi për sundimtarët e rajonit. Padrejtësia sociale, korrupsioni dhe papunësia në radhët e të rinjve janë të përhapura thuajse kudo në këto vende, represioni politik është në shumë nga këto vende në rend të ditës. Këtyre u shtohen zemërimi dhe zhgënjimi për shkak të mungesës së perspektivave për të jetuar dhe ndjenja e thellë e mungesës së dinjitetit personal – një përzjerje tepër eksplozive në një rajon plot konflikte dhe të paqendrueshëm të botës.

Tunizia nuk është rast unikal, shumë shoqëri të botës arabe ziejnë, të paktën nga brenda. Dhe thuajse kudo rinia, që përbën praktikisht pjesën më të madhe të popullsisë, ofron edhe potencialin më të madh shoqëror. Edhe Algjeria dhe Jordania përjetuan këto ditë demonstrata të forta, në Egjipt ka rregullisht protesta. Ato mund të pasohen nga protesta në vende të tjera.

Një dinamikë e tillë, e vështirë për t'u kontrolluar, është e dëshirueshme vetëm deri në një farë mënyre, pra me kushte. Revolta e rinisë tuniziane çoi në përmbysjen e një sundimtari autoritar – kjo pa dyshim është një arritje pozitive. Por gjatë revoltave pati edhe të vrarë dhe zhvillimi i mëtejshëm i vendit mbetet fillimisht krejtësisht i pasigurt. Në rastin më të mirë Tunizia mund të zhvillohet në një shtet demokratik model për rajonin. Në rastin më të keq vendi mund të kërcënohet nga një kaos dhe gjakderdhje e re.

Të gjithë aktorët në Tunizi kanë tani përgjegjësi të madhe, e cila simbolikisht i kalon kufijtë e vetë vendit. Forcat që kanë mbetur prej regjimit të vjetër, por edhe opozita, shoqëria civile dhe protestuesit e „rrugëve“ – të gjithë duhet ta kenë si detyrim, që të mundësojnë një ndryshim transparent dhe njëkohësisht të rregullt të pushtetit. Duhet të duket qartë që regjimi i vjetër po e dorëzon vërtet pushtetin dhe po hap rrugën për liri, pluralizëm dhe më tepër drejtësi sociale. Por edhe dhuna e rrugëve duhet të marrë tani sa më shpejt fund.

Evropa si rajon fqinjë i vendeve të Magrebit dhe të botës arabe duhet gjithashtu të nxjerrë mësime prej ngjarjeve në Tunizi. Mësimi më i rëndësishëm është: Evropa nuk duhet të shohë mënjanë, kur sundimtarët që bashkëpunojnë politikisht dhe ekonomikisht ngushtë me BE, nuk respektojnë të drejtat elementare të njeriut apo – si së fundi në rastin e Egjiptit – i manipulojnë zgjedhjet pa pikë turpi. Shembulli i Tunizisë bën të qartë se regjimet autoritare premtojnë vetëm një stabiltet të rremë.

Autor: Rainer Sollich
Redaktor: Pandeli Pani

DW.COM

  • Data 17.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zyQY
  • Data 17.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zyQY