1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

"Sinjal i fortë" - Shumica e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dënon Sirinë

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së dënoi (të enjten në mbrëmje, 16.2.) dhunën e regjimit sirian. 137 nga 166 shtetet e përfaqësuara në Nju Jork votuan për rezolutën, e cila kërkon dhënien fund të dhunës.

Asambleja e Përgjithshme të OKB-së dënon Sirinë

Asambleja e Përgjithshme të OKB-së dënon Sirinë

Një sinjal i qartë. Më shumë se dy të tretat e bashkësisë ndërkombëtar, të organizuar në OKB, kërkojnë nga regjimi i Asadit t'i japë menjëherë fund dhunës dhe të demokratizojë hap pas hapi Sirinë.

137 nga 166 shtetet e pranishme në sallën plenare votuan me po, 12 me jo, 17 abstenuan. Rezultati, që bëri të ditur zëvendëspresidenti australian i Asamblesë së Përgjithshme, Gerry Quindon, ia kaloi për nga qartësia edhe një herë votës së fortë të plenumit të OKB-së të 19 dhjetorit të vitit të kaluar, ku regjimi i Asadit ishte dënuar për shkelje sistematike të të drejtave të njeriut. Projektrezoluta, që ishte propozuar nga Egjipti, ishte formuluar nga Arabia Saudite dhe Katari dhe dënonte sërish shtypjen e protestave kundër kryetarit të shtetit Bashar al Asad dhe udhëheqjes në Damask dhe bënte thirrje për përfundimin e menjëhershëm të dhunës kundër popullsisë civile. Me projektrezolutën u bashkuan 72 shtete, si të ashtuquajtur "bashkë-sponzorë", duke përfshirë edhe Gjermaninë. Ambasadori i Berlinit në OKB Peter Wittig përshëndeti, siç tha ai, "shumicën dërmuese në asamblenë e përgjithshme", të cilën ai e vlerësoi si dëshmi për faktin, që bashkësia ndërkombëtare nuk e lë në baltë popullin sirian.

"Ky është një sinjal i fortë për bashkësinë ndërkombëtare, por në rradhë të parë për qeverinë siriane, për të ndaluar më në fund dhunën dhe është një sinjal i fortë i mbështetjes së Lidhjes Arabe. Dhe ky sinjal del sot nga Nju Jorku."

Walid Al-Moualem, ministri i Jashtëm i Sirisë para Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork

Walid Al-Moualem, ministri i Jashtëm i Sirisë para Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork

Megjithëse rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme kanë vetëm karakter simbolik dhe nuk mund të vendosin sanksione, Rusia dhe Kina para votimit u përpoqën ta zbehnin tekstin me një sërë ndryshimesh. Ambasadori i Rusisë në OKB Vitali Çurkin kritikoi faktin që rezoluta dënon në mënyrë të njëanshme vetëm dhunën e regjimit, por jo atë të rebelëve. Prandaj Rusia nuk mund ta pranojë. Ngjashëm u shpreh përfaqësuesi kinez. Të dy vendet kanë penguar dy herë Këshillin e Sigurimit me një veto të dyfishtë që të vendosë sanksione kundër Sirisë. Ambasadori Wittig kërkoi indirekt nga të dy shtetet, për ta bërë forumin më të rëndësishëm të OKB-së sërish në gjendje për të vepruar në çështjen e Sirisë.

"Ne duhet të gjejmë edhe në Këshilline Sigurimit sërish një qëndrim, që të mundësojë anksione, edhe përsa i përket situatës humanitare të përkeqësuar në Siri."

Përveç Rusisë dhe Kinës edhe Irani, Korea e Veriut, Zimbabve, Bjellorusia dhe jo për t'u çuditur edhe Siria votuan kundër rezolutës. Përfaqësuesi i regjimit në Damask tha se Asambleja e Përgjithshme nuk ka juridiksion dhe u përpoq pa sukses të shmangë votimin për rezolutën, duke kaluar në rendin e ditës.

Autor: Thomas Schmidt/Angjelina Verbica

Redaktoi: Aida Cama