1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Singhammer: Priten impulse të rëndësishme nga Konferenca e Ballkanit Perëndimor në Berlin

Ekskluzivisht për DW zv/kryetari i Bundestagut gjerman, Johannes Singhammer flet për rëndësinë e konferencës në Berlin me drejtuesit nga vendet e Ballkanit, bashkëpunimin bilateral dhe rolin e Shqipërisë në rajon.

DW: Z. Singhammer, cili është qëllimi i vizitës tuaj në Tiranë? Si i vlerësoni marrdhëniet bilaterale mes Bundestag-ut dhe Parlamentit të Shqipërisë. Çfarë nismash mund të ndërmerren nga Bundestag-u për t'i forcuar këto marrëdhënie me qëllim transmetimin e përvojës së tij demokratike, sidomos tani që Shqipëria është një vend kandidat për anëtarësim në BE?

Johannes Singhammer: Ekziston tanimë një bashkëpunim mjaft i mirë dhe i vazhdueshëm midis dy parlamenteve tona. Së pari, ne kemi një grup parlamentar të miqësisë, i cili kujdeset pikërisht për këtë bashkëpunim. Së dyti, në muajt e ardhshëm brenda këtij viti ne do të krijojmë një program partneriteti midis dy parlamenteve tona. Mund të them se në shtator të këtij viti kjo gjë do të mund të realizohet ë për të treguar një kujdes edhe më i madh lidhur me bashkëpunimin ndërparlamentar. Dhe së treti, është mjaft e rëndesishme që dy parlamentet tona të intensifikojnë edhe shkëmbimet e vizitave mes tyre në mënyrë që kontaktet të jenë edhe më pozitive, edhe më të ngushta. Në këtë mënyrë dhënia e statusit të vendit kandidat të Shqipërisë do të mund të shndërrohet vërtet në një histori suksesi.

DW: Vizita juaj në Tiranë përkon edhe me kremtimin e 30 vjetorit të vizitës së parë në Shqipëri, të ish-kryeministrit të Bavarisë, F.J. Straus. Në një intervistë që ai pat dhënë në median gjermane në vitin 1987, lidhur me vizitat në Shqipërinë e izoluar komuniste, kishte theksuar se

“ është më mirë të jesh i pranishëm që në orën e parë sesa të thuash më vonë që humbe mundësinë”. Cilat janë sot, mundësitë , që nuk duhen humbur?

Johannes Singhammer: Sigurisht që shanset sot janë edhe më të mëdha. Përpara 30 vjetësh bota e tërë dhe Evropa ndahej nga e ashtuquajtura Perde e Hekurt: ishin blloqe armësh, të cilat ndanin vendet e Evropës mes për mes dhe pakujdesia më e vogël politike asokohe do të kishte çuar ndoshta në katastrofë në Evropë. Kurse tani, madje në nëntorin e këtij viti, ne do të kemi mundësinë të festojmë 25 vjetorin e rënies së Murit të Berlinit. Që atëhere Evropa është rritur së bashku, kufijtë kanë ardhur gjithnjë duke u zhdukur dhe shanse të reja vazhdojnë të shfaqen dhe të ofrohen. Vizita e Franz Josef Strauss-it ishte e rëndësishme në atë kohë, sepse tregoi që kundërshtarët politikë dhe ideologjikë mund të dialogojnë, mund të nisin dhe duhet të nisin dialogun midis tyre, ndaj një shans të tillë nuk është vonë që ta shfrytëzojmë.

DW: Javës që vjen, më 28 gusht, nën kujdesin e kancelares gjermane Angela Merkel do të zhvillohet në Berlin, konferenca mbi Ballkanin Perëndimor. Cilat janë pritshmëritë e Gjermanisë nga kjo konferencë?

Johannes Singhammer: Konferenca e Ballkanit Perëndimor është një konferencë mjaft e rëndësishme dhe Shqipëria do të luajë këtu një rol mjaft të rëndësishëm, sepse ajo është si një spirancë stabiliteti në Ballkanin Perëndimor, për ruajtjen e ekuilibrit në marrëdhëniet me vendet fqinjë. Prej konferencës priten që të vijnë impulse mjaft të rëndësishme dhe veçanërisht në lidhje me bashkëpunimin ekonomik, në mënyrë të veçantë me projekte në sektorin e infrastrukturës me interes të përbashkët. Sigurisht Gjermania ka një potencial të konsiderueshëm në këtë drejtim, Shqipëria ka nevojë për investime gjithashtu dhe ndaj duhet të theksoj edhe një herë që faktor i rëndësishëm është siguria e investimeve që do të ofrohen dhe për pasojë edhe reforma në sistemin e drejtësisë.

DW: Z. Singhammer, ju sapo përmendët rolin stabilizues që ka Shqipëria në Rajon. Unë do të ndalem pak më gjatë në këtë pohim duke thënë që Shqipëria ka qenë dhe mbetet një faktor paqeje që ka nxitur bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, që për më tepër jep një model të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, që në kushtet aktuale është një vlerë, do të thoja e vyer si për Ballkanin, ashtu edhe për Evropën. A mendoni se Gjermania mund të marrë nisma që këtë vlerë të Shqipërisë ta promovojë?

Johannes Singhammer: Ne i jemi thellësisht mirënjohës Shqipërisë, pikërisht për faktin që ajo demonstron këtë bashkëjetesë paqësore midis komuniteteve fetare. Shqipëria mund të jetë krenare për këtë karakter të vetin, për këtë rol prej shembulli që po luan në rajon. Dhe Gjermania sigurisht në çdo rast do ta tregojë dhe promovojë këtë vlerë të Shqipërisë. Me të drejtë njerëzit në Evropë sot shqetësohen në mënyrë të vazhdueshme lidhur me faktin se herë pas here u duhet të dëgjojnë rreth konflikteve me kontekste fetare dhe ndoshta edhe luftrave me kontekste fetare. Është një kënaqësi mjaft e madhe e jona si delegacion, por edhe e imja personale të mund të ndodhemi sot në Shqipëri. Jemi mjaft të impresionuar pozitivisht nga miqësia dhe përzemërsia që kemi gjetur këtu, madje mësuam se të gjithë simpatizantët e futbollit në Shqipëri e festuan me po të njëjtin entuziazëm këtu sikurse në Gjermani fitoren e skuadrës kombëtare gjermane në Kampionatin Botëror të Futbollit.