1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Simpozium për demokracinë në Athinë

„Autobusi për demokraci direkte“udhëtoi gati 3000 km nga Vizbadeni nëpër Alpe në ish Jugosllavi për të mbërritur në Athinë. Bisedat e hapura me njerëzit bashkëpunëtorët e projektit i quajnë "demokraci substancë"

default

Pamje nga Athina

Ishte një udhëtim vjeshte në djepin e demokracisë. Që prej 20 vjetësh bashkëpunëtorët e projektit janë aktivë për pjesëmarrje direkte në krijimin e vullnetit politik nëpërmjet referendumeve popullore.

Bashkë me të është edhe Johannes Stüttgen, artist dhe ish nxënës i Joseph Beuys-it. "

Johannes Stüttgen

Johannes Stüttgen

Për të politika është çështje arti. Kjo ka qenë edhe një nga arsyet, që e bënë atë në vitet gjashtëdhjetë të jetë një nga bashkëthemeluesit e "Partisë së studentëve gjermane". A mendonin ata atëherë të hynin në parlament?

„Po, sigurisht. Megjithatë ne nuk kishim iluzione, e dinim se kjo mund të zgjasë 30, 40, 50 vjet, nëse punojmë në mënyrë konsekuente. Interesante është se aktivitetet e partisë së studentëve, që krijuam, i vazhduam edhe kur filluam të punonim. Objektivi kryesor, që kishim në atë kohë, ishte vetëadministrimi, autonomia e Akademisë së Arteve të Dyseldorfit. Dhe për këtë punuam.

Demokracia nuk është një gjendje, e cila arrihet dikur dhe pastaj mund të ulesh në kolltuk, që ta shijosh. Demokracia kërkon shumë punë, mendon Werner Küppers. Që prej nëntë vitesh ai është drejtues dhe shofer i "Autobusit për demokraci direkte". Në udhëtimin në Evropën Juglindore artisti nga Kempteni ka mësuar shumë:

Werner Küppers

Werner Küppers

„Nganjëherë më krijohej përshtypja se pengesat gjuhësore, që në fakt mund të shihen si barrierë, mund të kenë favoret e veta, sepse të dy palët duhet të jenë më të vëmendshëm në bisedë. Për shembull në Sarajevë unë u njoha me një formë iluministe të myslimanizmit, i cili funksionon atje prej shekujsh“.

Nën hijen e Akropolit mund të flitet shumë mirë për demokracinë. Në oborrin e shkollës gjermane në Athinë, bashkëpunëtorët e autobusit bisedojnë me nxënësit e klasave të larta për konceptet moderne të demokracisë. Përveç kësaj, Instituti Gëte në Athinë organizoi një kolekium për demokracinë dhe parlamentarizmin. Koncepti liberal i Beuys-it për artin u diskutua aty, ashtu sikurse u diskutua edhe kërkesa për pjesëmarrje në vendime e nxënësit të Adornos, Oskar Negt. Edhe professor Jens Reich, aktivist për të drejtat e njeriut nga ish Gjermania lindore dhe bashkëthemelues i Forumit të Ri (Neuen Forums), ishte ftuar në Athinë për të folur për „vitin e lumtur të demokracisë anarkiste“:

Joseph Beuys

Artisti gjerman, Joseph Beuys

„Mua më rregullohet humori, kur kujtoj vitin 89-90, në të cilin në Gjermaninë Lindore tirania u transformua me rezistencë paqësore në demokraci. Natyrisht demokracia ishte anarkiste, sepse asaj i duhej fillimisht të formohej. Dhe atë vit ishin shumë gjëra të mundshme, gjëra që më vonë u bënë të pamundura..."

Klientela e partive të mëdha e tkurr demokracinë

Kritikë ndaj demokracisë së sotme partiake nuk ushtron vetëm Jens Reich. Gati të gjithë pjesëmarrësit e kolekiumit theksojnë se klientela e partive të mëdha e tkurr demokracinë dhe se hendeku midis zgjedhësve dhe përfaqësuesve të popullit bëhet gjithnjë e më e madhe. Ata flasin për "post-demokraci", në të cilën në politikë përzihen jo vetëm deputetët, por edhe ekspertë të paligjitimuar, ose lobiistë me shumë para.

Referendumet popullore mund të rrisin besimin e qytetarëve në politikë.

Zvicra për shembull ka patur përvojë të mirë me 150 vjet zhvillim referendumesh, shpjegon Prof. Andreas Auer, drejtor i Qendrës për Demokraci direkte në Gjenevë. Por a sjell vota e popullit rezultate të mira politike?

„Jo, sigurisht që jo. Por ajo shpie në rezultate legjitimuese, që nuk mund të vihen në pyetje dhe që shërbejnë si orientim për të gjithë. Dhe lufta politike mund të vazhdojë në këtë drejtim."

Për shumicën e evropianëve kjo është e pakuptueshme. Zviceranët votuan së fundi për rritjen e taksës mbi vlerën e shtuar ! Nëpërmjet saj do të sigurohet financimi shtesë për invalidët. Zviceranët kanë mirëkuptim, edhe kur solidariteti kërkon sakrifica financiare. Përfundimi: Çdo popull ka në fund të fundit atë referendum, që meriton...

Autor: Jannis Papadimitriou/Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 16.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K5p4
  • Data 16.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K5p4