1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sigmar Gabriel - rrugës drejt pushtetit

Gjatë gjithë këtyre viteve në krye të SPD-së ai ia ka dalë vazhdimisht mbanë që t'u japë guxim anëtarëve të kësaj partie dhe të qëndrojnë të bashkuar me gjithë pakësimin e anëtarëve dhe mosmarrëveshjeve të brendshme.

Sigmar Gabriel është para kulmit të pushtetit të tij. Nga i ngarkuar i partisë për çështjet e rinisë, ai erdhi në vitin 2009 në krye të Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD) dhe u rikonfirmua në postin e kryetarit të kësaj partie edhe në kongresin e tanishëm të kësaj partie në Lajpcig. Gjatë gjithë këtyre viteve në krye të SPD-së ai ia ka dalë vazhdimisht mbanë që t'u japë guxim anëtarëve të kësaj partie dhe të qëndrojnë të bashkuar me gjithë pakësimin e numrit të anëtarëve dhe mosmarrëveshjeve të brendshme ideologjike.

Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2009, ku SPD fitoi vetëm 23 për qind të votave, ai e shfrytëzoi kohën e të qenit të kësaj partie në opozitë, për të shtyrë përpara reformat brenda partisë. Kështu presidiumi drejtues i partisë u zëvendësua nga një kryesi e zgjeruar dhe SPD organizon mbledhje rregullta të Kuvendit Kombëtar, që është organi më i lartë i partisë në mes të kongreseve.

Edhe votimi i anëtarëve të SPD-së nëse kjo parti do të pranojë ose jo që të hyjë në një koalicion të madh, qe nismë e tij.

Rizgjedhja si kryetar i Partisë Social-Demokrate

600 delegatët e kongresit të partisë SPD në Leipzig e rikonfirmuan Gabrielin në detyrë. Por rezultati qe shumë i thellë. Vetëm 83.6 përqind e delegatëve votuan për të, tetë përqind më pak se në vitin 2011. Gabrieli shprehu falënderimet për këtë "rezultat të ndershëm."

Nisur nga debatet e ashpra në radhët e partisë së tij, në lidhje me pranimin apo jo për hyrë në një koalicion të madh me partinë kundërshtare CDU/CSU ndoshta nuk mund të pritej më tepër. Por ndoshta ky rezultat lidhet edhe me faktin që ai në këtë kongres nuk mbajti një fjalim të zjarrtë si në kongreset e mëparshme, ku me temperamentin dhe retorikën e tij mund të frymëzonte vazhdimisht anëtarët e partisë. Në vend të një fjalimi të tillë Gabrieli i prezantoi partisë një vlerësim të qartë dhe rigoroz të situatës. Ai tha se SPD vuan nga mungesa e kredibilitetit dhe se për njerëzit në Gjermani është më e rëndësishme situata e qëndrueshme ekonomike sesa ideali socialdemokrat i drejtësisë shoqërore. Për këtë shkak sipas tij partia SPD ka nevojë për një profil të fortë ekonomik.

Fakt është se në zgjedhjet e shtatorit SPD-ja arriti një nga rezultatet më të këqija në historinë e saj duke fituar vetëm 25.7 për qind të votave.

Zëvendëskancelar apo kryetar i grupit parlamentar?

Me organizimin e votimit të anëtarëve të SPD-së në lidhje me marrëveshjen e koalicionit Gabrieli i futi anëtarët e kësaj partie në një dilemë. Për shumicën prej tyre koalicioni me CDU/CSU është jashtëzakonisht e padëshiruar, sepse kujtimet për koalicionin e fundit të madh në mes viteve 2005 dhe 2009, që çoi në humbje të rëndë të mbështetjes së votuesve për SPD, janë ende të freskëta. Por edhe për vetë 54-vjeçarin Gabriel ky sondazh në radhët e anëtarëve ishte me rrezik, sepse nëse baza do të thoshte jo, kjo mund të ishte fundi i karrierës së tij.