1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Sigmar Gabriel drejt majave të pushtetit

Nëse arrin t'i bindë anëtarët SPD-së për koalicion me CDU/CSU-në ai mund të bëhet edhe zëvendëskancelar.

Sigmar Gabriel është në kulmin e pushtetit të tij. Nga i ngarkuar i partisë për çështjet e rinisë, ai erdhi në vitin 2009 në krye të Partisë Socialdemokrate Gjermane (SPD) dhe u rikonfirmua në postin e kryetarit të kësaj partie edhe në kongresin e tanishëm të kësaj partie në Lajpcig. Gjatë gjithë këtyre viteve në krye të SPD-së ai ia ka dalë vazhdimisht mbanë që t'u japë guxim anëtarëve të kësaj partie dhe të qëndrojnë të bashkuar me gjithë pakësimin e numrit të anëtarëve dhe mosmarrëveshjeve të brendshme ideologjike.

Pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2009, ku SPD fitoi vetëm 23 për qind të votave, ai e shfrytëzoi kohën e të qenit të kësaj partie në opozitë, për të shtyrë përpara reformat brenda partisë. Kështu presidiumi drejtues i partisë u zëvendësua nga një kryesi e zgjeruar dhe SPD organizon mbledhje rregullta të Kuvendit Kombëtar, që është organi më i lartë i partisë në mes të kongreseve. Edhe votimi i anëtarëve të SPD-së nëse kjo parti do të pranojë ose jo që të hyjë në një koalicion të madh, që planifikohet të zhvillohet në dhjetor, qe nismë e tij.

Rizgjedhja

600 delegatët e kongresit të partisë SPD në Leipzig e rikonfirmuan Gabrielin në detyrë. Por rezultati qe shumë i thellë. Vetëm 83.6 përqind e delegatëve votuan për të, tetë përqind më pak se në vitin 2011. Gabrieli shprehu falënderimet për këtë "rezultat të ndershëm."

Nisur nga debatet e ashpra në radhët e partisë së tij, në lidhje me pranimin apo jo për hyrë në një koalicion të madh me partinë kundërshtare CDU/CSU ndoshta nuk mund të pritej më tepër. Por ndoshta ky rezultat lidhet edhe me faktin që ai në këtë kongres nuk mbajti një fjalim të zjarrtë si në kongreset e mëparshme, ku me temperamentin dhe retorikën e tij mund të frymëzonte vazhdimisht anëtarët e partisë. Në vend të një fjalimi të tillë Gabrieli i prezantoi partisë një vlerësim të qartë dhe rigoroz të situatës. Ai tha se SPD vuan nga mungesa e kredibilitetit dhe se për njerëzit në Gjermani është më e rëndësishme situata e qëndrueshme ekonomike sesa ideali socialdemokrat i drejtësisë shoqërore. Për këtë shkak sipas tij partia SPD ka nevojë për një profil të fortë ekonomik.

Fakt është se në zgjedhjet e shtatorit SPD-ja arriti një nga rezultatet më të këqija në historinë e saj duke fituar vetëm 25.7 për qind të votave.

Gabrieli zëvendëskancelar?

Së shpejti 54-vjeçari mund të arrijë edhe në majën e pushtetit. Nëse arrin t'i bindë anëtarët SPD-së se nuk ka asnjë alternativë ndaj një koalicioni me CDU/CSU, ai mund ta bëjë partinë e tij anëtare të qeverisë dhe të bëhet vetë zëvendëskancelar, në krah të Angela Merkelit. Por në rast se anëtarët e SPD-së votojnë në dhjetor kundër një koalicioni me CDU/CSU atëhere rënia e Sigmar Gabrielit është e pashmangshme. Në një rast të tillë atij s'i mbetet gjë tjetër, përveç ndoshta postit të kryetarit të bashkisë në qytetin e lindjes në Goslar. Ky post, sikurse ka thënë ai një herë dikur duke shkelur syrin, do të ishte përmbushja e ëndrrës së jetës së tij politike.