1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Sigmar Gabriel: Demarkacioni lidhet me liberalizimin

Ministri i jashtëm gjerman tha në Prishtinë se akoma ekziston frika nga rilindja e konflikteve të vjetra në Ballkanin Perëndimor. Evitimi i konflikteve varet nga hapat që do të ndërmarrin vendet e Ballkanit.

Bashkëpunimi rajonal, dialogu me Serbinë, demarkacioni me Malin e Zi që ndërlidhet me liberalizimin e vizave dhe krijimi i ushtrisë së Kosovës, ishin temat për të cilat ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, diskutoi me autoritetet kosovare gjatë vizitës në Kosovë. Në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, shefi i diplomacisë gjermane, u bëri thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta ratifikojë "marrëveshjen e demarkacioni me Malin e Zi”, në mënyrë që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave.

"Jeni shteti i vetëm ne Ballkan pa liberalizim të vizave. Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Prandaj, porosia ime për ju është që të fiksoni marrëdhëniet që keni me Malin e Zi. I bëj thirrje parlamentit tuaj që të ratifikoni demarkacionin. Kosova duhet të jap sinjale që kërkojnë respekt për angazhimin dhe mundin që ka bërë. Nëse liberalizimi është çështje e rëndësishme për popullin të Kosovës, atëherë shtrohet pyetja: pse përfaqësuesit e popullit të Kosovës e bllokojnë këtë proces e cila do të lehtësonte jetën e kosovarëve në vend”, tha Sigmar Gabriel.

"Nuk kemi argumente të kërkojmë territori"

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se parlamenti i Kosovës duhet ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

"Unë mendoj që i kemi konsumuar të gjitha argumentet sa i përket kufirit dhe konsideroj që kufi tjetër nuk ka ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, pos atij që e kanë përcaktuar dhe vërtetuar dy komisionet shtetërore dhe nuk ka çka të negociohet edhe njëherë me Malin e Zi, i cili ka qenë korrekt në këtë relacion. Ne nuk e kemi asnjë argument shtetëror qe t'i themi Malit të Zi, lësho teritor në atë pjesë”, tha kryeministri Mustafa, duke shtuar se kundërshtimi i opozitës që po i bënë demarkacionit është vetëm një kauzë politike e opozitës dhe asgjë tjetër.

Dialogu i domosdoshëm

Shefi i diplomacisë gjermane, po qëndron në Kosovë pas vizitës që beri në Serbi. Sigmar Gabriel, foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi, që sipas tij duhet të vazhdojë, si e vetmja rrugë për përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. "Të dyja palët e kuptojnë se nuk ka alternativë tjetër përveç komunikimit ndërmjet vete. Është i nevojshëm një raport paqësor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kjo do të ndihmojë edhe stabilitetin rajonal. Një marrëdhënie e qetë dhe e pranueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është parakusht për anëtarësimin e tyre në BE. Kjo rrugë kërkon përpjekje të mëdha dhe njëkohësisht edhe angazhimin e BE-së për të përcjellë procesin”, tha Sigmar Gabriel, duke u bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që siç tha "të ndalin provokimet”.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ndërkohë, tha se dialogu me Serbinë ka shënuar përparime. Ai bëri të ditur se "së shpejti do të nisin procedurat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas rikthimit në institucione të përfaqësuesve serbë".

Ushtria e Kosovës

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, në takim me kryeministrin Isa Mustafa, diskutoi edhe çështjen e themelimit të ushtrisë së Kosovës. Ai tha se Kosova ka të drejtë ta ketë ushtrinë e vet, por kjo duhet bërë në koordinim dhe bisedim me të gjithë akterët, përfshirë edhe serbët e Kosovës.

"Pyetja është se a kemi frikë se mund të rilindin konflikte të vjetra, përgjigjia ime është se PO kemi frikë. Ato nuk vijnë automatikisht por varet nga gjithë ne se çfarë bëjmë për të evituar konfliktet e tilla. Për këtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të kontribuojnë në shoqëritë e tyre. Pra, mesazhi i kryeministrit Mustafa ishte shumë i qartë që themelimin e ushtrisë duhet bërë me të gjithë partnerët dhe akterët e përfshirë në proces, përfshirë edhe përfaqësuesit e serbëve. Kosova ka të drejtë të ketë një ushtri sovrane, ashtu sikurse çdo shtet tjetër, por kjo duhet bërë në biseda me të gjithë akterët”, tha ministri i jashtëm gjerman.

Kryeministri i Kosovës, nga ana e tij, tha se qeveria e Kosovës nuk ka hequr dorë nga planet për themelimin e ushtrisë, por KJO do të bëhet në koordinim me të gjitha faktorët.

"Ne i kemi planet për themelimin e ushtrisë dhe kosiderojmë që Kosova duhet ta ketë ushtrinë e vet. Mirëpo ekziston pajtimi i të gjitha strukturave politike dhe institucionale të Kosovës që kjo çështje të bëhet në koordinim me NATO-on, vendet e BE-së dhe SHBA-së. Pra, që të zhvillohet debat me të gjitha komunitetet dhe të bëjmë përpjekje që të marrim përkrahjen e të gjitha komuniteteve në mënyrë që modeli i ushtrisë të jetë gjithëpërfshirës”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, po qëndron në Kosovës, pas vizitës që i bëri Serbisë. Gjermania është donatori i dytë me i madh në Kosovë pas SHBA-së. Që nga përfundimi i luftës, Gjermania ka investuar në Kosovë më shumë se 500 milion euro. 550 trupa gjermane akoma qëndrojnë në Kosovë në kuadër të KFOR-it.