1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Siegert: "Skeptik ndaj hetimeve në rastin Nemcov"

Megjithë pranimin e fajit për vrasjen e opozitarit Nemcov, nga një çeçen, drejtori i zyrës së Fondacionit Heinrich-Böll në Moskë, Jens Siegert nuk është i sigurt se varsja është zbardhur.

Deutsche Welle: Pas pranimit të fajit prej një të dyshuari, duket se vrasja e politikanit opozitar Boris Nemcov është zbardhur. Çfarë përshtypje ka lënë tek ju ky zhvillim?

Jens Siegert: Unë nuk besoj fare në asgjë, nëse nuk ka dëshmi. Ekziston një person që ka pranuar fajin, por më duket se deri tani nuk është dëshmuar asgjë, për fajësinë e këtyre çeçenëve. Ende ekzistojnë shumë kundërthënie, si për shembull: si është e mundur që vrasja të ndodhë para syve të Kremlinit, në një vend, ku gjatë 24 orëve inçizohet gjithçka me kamera dhe ato mbikqyren prej pjesëtarëve të shërbimeve të sigurisë. Ndaj nuk jam i bindur se pesë personat e arrestuar nga Çeçenia janë vërtetë edhe vrasësit e tij. Edhe motivi, se ata janë ndjerë të fyer prej Boris Nemcov, lidhur me karikaturat e botuara në gazetën franceze "Charlie Hebdo", është shumë kontestues. Ka shumë njerëz të tjerë të cilët kanë dhënë deklarata shumë më të ashpra se Boris Nemcov, i cili në fakt ka qenë i përmbajtur. Ndaj nuk jam i bindur se ky krim është zbardhur.

Ramsan Kadyrov, Presidenti i Republikës së Çeçenisë (shënim i redaksisë: e cila i takon Federatës ruse), ka deklaruar se vrasësin e dyshuar e njeh si patriot të vërtetë, i cili nuk do të bënte asgjë kundër interesave ruse. Nuk ju duket kjo si një lloj marrje e përgjegjësisë?

Kadyrov ka një përgjegjësi, sepse i dyshuari ka qenë pjesë e një njësie policore çeçene, i ashtuquajturi bataljon "Sever", i cili praktikisht është bodigard i Kadyrovit. Kadirov me siguri që e njeh këtë njeri, sepse ai ka qenë ndër oficerët e lartë. Nëse ai vërtetë ka qenë vrasës - gjë që unë ende dyshoj - atëherë shtrohet pyetja: a thua edhe vet Kadyrov ka qenë i përzier në vrasjen e Nemcov dhe sa mund t'i kontrollojë ai njerëzit e tij.

Putin i ka dorëzuar të hënën (09.03) Kadyrovit edhe një mirënjohje shtetërore. A mendoni se kjo ka të bëjë me forcimin e Kadyrovit, me një gjest demonstrativ, pas akuzave për përzierjen e një personi të tillë në vrasje?

Kadyrov është krahas Putinit politikani më i pavarur në Rusi. Ai mund të bëj praktikisht çfarë të dojë. Ky është një lloj presioni mes këtyre të dyve. Nga njëra anë, shteti rus paguan të gjitha shpenzimet për zhvillimet në Çeçeni, ndër të tjera edhe pasurinë personale të Kadyrovit. E në anën tjetër, në Çeçeni nuk eskziston askush tjetër që guxon të flasë. Ndaj tandemi Putin - Kadyrov mund të ekzistojë vetëm së bashku.

A mund të shpresohet se e vërteta megjithatë do të hetohet dhe do të dalë në shesh, se kush e ka vrarë Boris Nemcovin?

Nuk jam i bindur se ajo që po na prezantohet tani është përgjigja e vërtetë se kush e ka kryer këtë vrasje. Janë dëgjuar edhe përgjigje të tjera. Kanë mundur të jenë persona të afërt me Putinin, të cilët kanë pasur për qëllim që ai të mos futet në kompromise të tepërta me Perëndimin. Apo njerëz të kthyer nga Donbasi. Ka dhe versione të tjera. Problemi është që jo vetëm unë jam skeptik ndaj rezultateve të hetuesisë, por edhe shumica e njerëzve në Rusi, të cilët nuk e kanë dashur Nemcovin dhe e kanë mbështetur Putinin. Gati askush nuk e beson që organet e sigurisë janë duke bërë hetime të pavarura të vrasjes, por janë të bindur se rezultatet në fund do të jenë mbi bazën e një vendimi politik dhe jo të bazuara në fakte.

Si e influencon kjo imazhin e Rusisë?

Që tani e dimë që imazhi i Rusisë ka rënë shumë me aneksimin e Krimesë, ndërhyrjen ushtarake dhe mbështetjen e rebelëve rusë në Lindje të Ukrianës. Vrasja e një politikani opozitar tani para dyerve të Kremlinit do ta përkeqësojë edhe më shumë imazhin e Rusisë. Këtë e dëshmojnë edhe sondazhet e fundit në Gjermani.

Jens Siegert drjeton zyrën në Moskë të Fondacionit Heinrich-Böll-Stiftung.