1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Si zgjidhet presidenti federal në Gjermani?

Më 30 qershor 2010 gjermanët do të zgjedhin një president të ri federal. Kreu i shtetit gjerman nuk zgjidhet direkt nga populli, por nga e ashtuquajtura asamble federale me votë të fshehtë.

Asambleja e 13-të federale e mbledhur më 23.05.2009 për zgjedhjen e presidentit.

Jo zgjedhje direkte

Asambleja federale është instanca më e madhe parlamentare e Gjermanisë dhe shërben vetëm për zgjedhjen e një presidenti federal. Në të bëjnë pjesë të gjithë deputetët e parlamentit federal dhe një numër i njëjtë përfaqësuesish të landeve federale. Se sa përfaqësues dërgon një land, kjo varet nga numri i popullsisë së landit përkatës.

Nga parlamenti federal i Dyseldorfit i landit të Rinit Verior dhe Vestfalisë, shkojnë në asamblenë federale 131 të deleguar, ndërsa nga parlamenti federal i landit të Zarës vetëm tetë.

Politikanë dhe personalitete

Zgjedhësit në asamblenë federale mund por nuk duhet domosdoshmërisht të jenë politikanë. Edhe njerëz të letrave, artistë, sportistë apo persona të tjerë të jetës publike dërgohen në asamble nga partitë. Në asamblenë e 14-të federale, e cila do të mblidhet në 30 qershor në ndërtesën e Reichstag-ut në Berlin, do të jenë 1244 të deleguar.

Kandidati i Unionit CDU/CSU dhe FDP-së, kristiandemokrati Christian Wulff.

Kandidati i Unionit CDU/CSU dhe FDP-së, kristiandemokrati Christian Wulff.

Unioni Kristiandemokrat-Kristiansocial (CDU/CSU) dhe liberalët e FDP-së, sipas parashikimeve do të kenë shumicën absolute me rreth 645 deri 647 vota. Partitë qeverisëse kanë paraqitur kandidaturën e politikanit kristiandemokrat Christian Wulff për postin e presidentit federal. Kandidsti i socialdemokratëve (SPD) dhe ekologjistëve është Joachim Gauck teolog, aktivist për të drejtat e njeriut në ish-RDGJ dhe ish i ngarkuari i qeverisë federale për dokumentet e shërbimit sekret shtetëror. Edhe e Majta dhe NPD do të kenë kandidatët e tyre.

Kandidati i socialdemokratëve dhe ekologjistëve Joachim Gauck.

Kandidati për presidenti i socialdemokratëve dhe ekologjistëve Joachim Gauck.

Raundi i tretë vendimtar

Nëse asnjë nga kandidatët nuk arrin në dy raundet e para të votimit shumicën absolute, zgjidhet ai kandidat që në raundin e tretë të votimit merr shumicën e thjeshtë të votave.

Me vetëdije baballarët e kushtetutës gjermane, pas përvojave të Republikës së Vajmarit, nuk kanë parashikuar zgjedhje direkte nga populli të kreut të shtetit. Si rregull partitë e përfaqësuara në parlamentin federal japin propozime pa qenë e domosdoshme që kandidatët të vijnë nga radhët e tyre. Shumë më tepër bëhet fjalë për caktimin e një personaliteti që gëzon emër të mirë dhe që është i përshtatshëm për të përfaqësuar Gjermaninë përtej kufijve partiakë.

Presidenti Horst Köhler i cili dha dorëheqjen, ishte zgjedhur me mbështetjen e CDU-së dhe FDP-së. Në rast se kandidatura e Christian Wulff-it do të dështojë, vëzhguesit politikë presin një krizë serioze qeveritare e madje dorëheqjen e kancelares Angela Merkel.

Në fund të fundit presidenti federal nuk është vetëm një post me funksion reprezentativ, por edhe politik, i cili pretendohet nga të gjitha partitë.

Autor: Daniel Scheschkewitz

Redaktoi: Eliana Xhani