1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si vlerësohet nga ekspertët marrëveshja provizore për kufirin?

Me ndërmjetësimin e shefit të KFOR-it, gjeneralmajorit gjerman Erhard Bühler javën e kaluar u arrit një marrëveshje për konfliktin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë. Ekspertë nga Kosova japin vlerësimin e tyre për të:

Mitrovica Veriore

Mitrovica Veriore

Afrim Hoti, politolog në Universitetin e Prishtinës e përshendet marrëveshjen si një hap drejt negociatave për një zgjidhje afatgjatë: "Mendoj se kjo marrëveshje ofron një modus vivendi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Një marrëveshje e tillë vetëm sa provon të sanoj efektet e protestave të fundit të banorëve serbë të pjesës veriore të Kosovës. Gjithsesi kjo marrëveshje nuk shënon ndonjë marrëveshje në esencë, ose zgjidhje të problemit në mes të palëve por është një kornizë, që siguron paqen dhe i bën thirrje palëve që të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të gjejnë një zgjidhje afatgjatë".

Për analistin dhe ekspertin e ekonomisë Ibrahim Rexhepi, kjo marrëveshje është në funksion të qetësimit të përkohshëm të gjendjes. Ndërkaq sa i përket përmbajtjes ai do të dëshironte të ketë më shumë qartësi: "Për marrëveshjen e arritur sundon një farë konfuziteti për shkak se ajo çfarë ka prezantuar qeveria e Kosovës nuk është plotësisht e ngjashme me atë që përshkruhet apo flitet rreth takimit të presidentit serb Tadiq me serbët e pjesës veriore. Por sido që të jetë ,marrëveshja ka më tepër kuptimin që të ulen tensionet se sa të ofrojë një zgidhje të qëndrueshme dhe që do të kënaqte qëndrimet e qeverisë së Kosovës."

Afrim Hoti

Afrim Hoti

Nga ana tjetër Afrim Hoti e vlerëson më pozitivisht marrëveshjen e arritur. Për të kryesore është përfitimi që kanë nga ajo të dyja palët: "Unë mendoj që është një hap i mirë dhe se është arritur efekti përmes kësaj marrëveshje. Tensionet po ulen dhe po bëhet thirrje, që palët të ulen në tavolinën e bisedimeve. Kjo marrëveshje gjithsesi se ka benefite si për njërën ashtu dhe për palën tjetër. Serbët, përfundimisht i heq nga rruga me barrikada ndërsa palës kosovare i jep një benefit tjetër, që konsiston në faktin se në tavolinën e ardhshme të bisedimeve pala kosovare do të ketë pozicion më të favorshëm. Përkundër faktit që doganierët dhe policët kosovarë nuk janë ende tërësisht të pranishëm në dy pikat kufitare megjithatë ato pika kufitare tani kontrollohen nga Kfor-i dhe vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitet zbatohet."

Kurse Ibrahim Rexhepi e quan marrëveshjen vetëm një zgjidhje kalimtare të detyrueshme: "Nuk do të kisha thënë se ky është kompromis më i mirë i mundshëm, por mund të jetë kompromisi i detyrueshëm sepse nuk ka pasur alternativë tjetër...Më tepër mund të them se është një përpjekje për të blerë kohë për krijimin e një hapësire kohore ku ndoshta do të gjendet ndërkohë një modalitet më i përshtatshëm qoftë për qeverinë e Kosovës apo qoftë për serbët në rajon..."

Hoti i cili ka një qëndrim më pozitiv ndaj marrëveshjes e sheh atë edhe si një fitore për popullatën e veriut të Kosovës. "Kjo është një marrëveshje e mirë për serbët ndërkohë që është një goditje për strukturat kriminale."

Erhard Bühler

Erhard Bühler

Rexhepi ndodhet ende nën ndikimin e përleshjeve të ditëve të fundit në veri të vendit. Prandaj ai kërkon një angazhim më të fortë të bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë.

"Kur shoh pamjet që vijnë nga pjesa veriore e Kosovës, më kujtohen ato ditët e para të fillimit të luftës në Kroaci, por nuk mendoj se është viti 1990 apo 1991, ku mund të ketë eskalime të nivelit të tillë. Megjithatë situata do të tensionet dhe faktori ndërkombëtar duhet të jetë shumë më aktiv dhe të ndërhyjë qoftë në Prishtinë apo në Beograd, në mënyrë që të gjejë modalitetin e zgjidhjes."

Autor: Esat Ahmeti
Redaktoi: Aida Cama