1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si vlerësohet në Kosovë marrëveshja me Serbinë

Arritjen e marrëveshjeve të para me Serbinë në dialogun teknik qeveria e Kosovës, e sheh si sukses dhe afrim me BE-në. Analistët thonë se arritja e marrëveshjeve Kosovë- Serbi, është një evropianizim i dialogut teknik.

Prishtina

Prishtina

Qeveria e Kosovës thotë se nga një nëntori i këtij viti, do të fillojnë së zbatuari marrëveshjet e arritura në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Palët prezantuan në bisedime tri marrëveshje, për lirinë e lëvizjës, njohjen e ndërsjelltë të diplomave shkollore dhe universitare dhe për regjistrat civilë. Analistët politikë, e cilësojnë arritjen e këtyre marrëveshjeve një sukses të vogël dhe më shumë një evropianizim i dialogut teknik, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Kështu thotë për programin tonë, analisti Driton Lajqi: “Meqenëse Serbia gjithcka ka për qëllim që ta politizojë në raport me Kosovën, mendoj se edhe kësaj radhe do të përpiqet që të veprojë njejtë dhe do të zhagisë implementimin e këtyre marrëveshjeve, sepse praktika e deritashmme na detyron të themi kështu”.

Edita Tahiri

Edita Tahiri

Mirëpo, kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedat Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, është e bindur se implementimi i marrëveshjeve do të ndodhë dhe ato do tu japin fund edhe funksionimit të strukturave paralele që funksionojnë që nga paslufta në Kosovë. “Me një nëntor 2011, vendoset rendi, zbatohet ligji dhe eliminohen strukturat paralele në fushën e lëvizjes së lirë, pra, ato zyra paralele që kanë prodhuar dokumente udhëtimi në mënyrë ilegale”, thotë Edita Tahiri.

Zonja Tahiri, thotë se dialogu Kosovë-Serbi dhe rezultatet e para të tij e kanë ofruar edhe Kosovën me Bashkimin Evropian.

“Presim që dialogu teknik të prodhojë efekte konkrete të afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe kërkesat tona zyrtare drejt BE janë liberalizmi i vizave, hyrja në marrëdhënie kontraktuale me BE dhe përshpejtimi i statusit të kandidatit”, thotë Edita Tahiri.

Ndërkohë, analisti Driton Lajqi, arritjen e marreveshjeve të para ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk e sheh fitore të ansnjërit vend. “Mirëpo, siç e thashë edhe në fillim kjo është një evropianizim i bisedave teknike meqenëse, konkluzionet apo, garantues më shumë sesa lehtësues është Bashkimi Evropian, përkatësisht zyra e Baroneshës Ashton”, thotë Driton Lajqi.

Driton Lajqi

Driton Lajqi

Komisioni Evropian, e ka vlerësuar qasjen konstruktive te qeverisë së Kosovës ndaj dialogut me Serbinë. Ky vlerësim pritet të përfshihet në raportin e progresit për Kosovën që do të publikohet gjatë muajit shtator. Gjatë vizitës në fundjavën e shkuar në Kosovë, drejtori për ballkanin perendimorë në komisionin evropian, Pier Mirel, tha.

“E di se në fillim të këtij dialogu ka pasur qarqe të caktuara që kanë shprehur hezitimin e tyre, megjithatë ne besojmë fuqishëm që ky është një rast unik për Kosovën, që t'i adresojë disa prej problemeve dhe çështjeve më konkrete për të mirën e qytetarëve dhe gjithashtu mendoj që kjo demonstron pjekurinë e Kosovës për të diskutuar çështje të rëndësishme”, thotë Pier Mirel.

Edhe zyra civile ndërkombëtare, e cila mbikqyr pavarësinë e Kosovës, i vlerëson rezultatet e para në dialogun Kosovë-Serbi dhe beson se dialogu në të ardhmen do të përfshijë edhe fusha të tjera dhe do të vazhdojë të ofrojë përfitime praktike për qytetarët. Shefi i kësaj zyreje Peter Faith, thotë se “kjo do të ndihmojë në krijimin e një modeli të angazhimit të respektueshëm fqinjësor, në promovimin e bashkëpunimit më të ngushtë rajonal dhe në avancimin e perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”, thotë Peter Faith.

Peter Faith

Peter Faith

Zyra civile ndërkombëtare, pret implementimin në kohë të këtyre marrëveshjeve në mënyrë që të forcohet më tej besimi.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama