1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si vlerësohen marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Analistët i vlerësojnë marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë, si përmbushje të kritereve të kërkuara nga komisioni evropian për vendet e Ballkanit. Serbia e sheh si një afrim të shpejtuar të Kosovës me Shqipërinë.

Flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës

Flamuri i Shqipërisë dhe ai i Kosovës

Shqipëria dhe Kosova ditë më parë nënshkruan një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Është marrëveshja për lëvizjen e lirë dhe të ndërsjelltë të shtetasve shqiptarë dhe kosovarë, është marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar, është marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm, marrëveshja për qarkullimin në zonat kufitare, marrëveshja në fushën e doganave dhe marrëveshja e bashkëpunimit të administratave lokale.

Nga marrëveshjet përfitojnë banorët e zonave kufitare

Nga analistë të shumtë të gjitha këto marrëveshje u cilësuan në funksion të përmbushjes së kritereve nga Kosova dhe Shqipëria për tu përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, por që do të rrisin edhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Analisti i pavarur Ramush Tahiri thotë se kalimet e kufirit, siç e quan ai, shqiptaro-shqiptar, tashmë në forma të ndryshme po lehtësohen, ndërsa, përfitimet më të mëdha në këtë rast, sipas tij, do t’i kenë banorët e zonave kufitare të të dyja vend.

Qyteti i Prizrenit në kufi me Shqipërinë

Qyteti i Prizrenit në kufi me Shqipërinë

" Popullsia e malësisë kufitare nga të dyja vendet tashmë ka të drejtë të zbresë në trëgje, t’i shes prodhimet e veta dhe të blejë prodhime", thotë Ramush Tahiri.

Analistët ekonomikë, thonë se marrëveshje të tilla marrin shembull atë të doganave, ku Kosova po nënshkruan dhe do të nënshkruajë edhe me vendet e tjera të rajonit. Ibrahim Rexhepi, analist ekonomik, thotë se në këtë fazë marrëveshja e doganave me Shqipërinë më shumë ka të bëjë më shkëmbimin e informatave sesa që do të ketë përfitime ekonomike.

" Kjo më tepër ka të bëjë me këmbimin e informacioneve, me një bashkëpunim shumë më të ngushtë në përcjellen e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Mirëpo, kjo marrëveshje i paraprin situatave të tjera që do të vijnë dhe ku duhet të krijohet një ambient shumë më liberal i qarkullimit të mallrave ndërmjet dy vendeve", thotë Ibrahim Rexhepi.

Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri nuk mirëpriten nga Serbia

Marrëveshjet në fusha të ndryshme që po nënshkruhen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga autoritetet e Serbisë janë cilësuar si një afrim i shpejtuar i Kosovës me Shqipërinë dhe si të tilla nuk janë mirëpritur.

Sidoqoftë, krahas Shqipërisë, Kosova po nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi edhe me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Marrëveshja e fundit që u nënshkrua ishte ajo për bashkëpunim policorë me shtetin e Kroacisë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi

  • Data 09.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K369
  • Data 09.10.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/K369