1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Si u zbuluan nga celularët atentatorët e Bostonit

Bombat e Bostonit shpërthyen para qindra dëshmitarëve. Shumë prej tyre edhe e filmuan atentatin me smartfonët e tyre. Një foto pati rëndësi vendimtare. Kjo ndihmoi që të identifikohen dorasit.

Smartfone

Smartfone

Kishte kaluar vetëm pak kohë nga atentati i Bostonit, kur policia lëshoi një thirrje: të gjithë ata që kanë bërë në vendin e ngjarjes fotografi ose videofilma të ndihmojnë në kërkime. "Këtu kemi të bëjmë me një intensifikim të deponimit klasik të dëshmitarit", thotë eksperti i mediave, Dietrich Leder në bisedë me DW. Identiteti i të dyshuarve si vendosës të bombave në Boston u arrit të konstatohej edhe me ndihmën e fotografive dhe videofilmave të celularëve relativisht shpejt, brenda pak ditësh.

Fotografitë kanë një përparësi të madhe, sepse deponimet normale të dëshmitarëve shpesh nuk janë të qarta. Përshkrimet e dorasve shpesh janë të pasakta, dëshmitarët shpesh e ngatërrojnë rrjedhën e ngjarjeve ose thjesht i mbajnë mend gjërat gabim. Hetuesit e policisë e njohin mirë këtë fenomen.

Sukses në përndjekje në sajë të celularëve

Edhe në Boston hetimet u ndihmuan nga celularët. Një fotografi, e cila kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme për suksesin e përndjekjes ishte një fotografi e vendit të ngjarjes pak pas shpërthimit. Në të shihet njëri nga dy personat e dyshuar me një kapele basebolli në mes të një turme njerëzish që marrin arratinë. Një spektator e regjistroi fotografinë me celularin e tij smartfon dhe e nxorri në internet. Pak pas kësaj, atë e kontaktoi Policia Federale, FBI. Kështu që hetimet u përshpejtuan.

Fotografia me rendesi vendimtare

Fotografia me rëndësi vendimtare

Në vendin e ngjarjes qenë instaluar vërtet edhe shumë kamera vëzhgimi, shumica në dyqane ose shtëpi publike. Problemi: shpesh ato ofrojnë fotografi me cilësi të ulët. "Kjo ka të bëjë me optikën", shpjegon eksperti i ARD-së për terrorizmin, Paul Elmar Joris. "Nevojitet edhe shumë kapacitet ruajtës, kur regjistron pa pushim për dy ditë rresht." Prandaj shpesh zgjidhet një rezulucion i ulët për videot, që kërkon më pak vend në ruajtje. "Fotografitë e celularëve, nga ana tjetër, kanë një cilësi shumë më të lartë."

Hetuesit i ndihmoi edhe një program kompjuterik për të parë mijëra fotografitë. "U punua me një program që dallon fytyrat", thotë Dietrich Leder. Me të fytyrat kontrollohen automatikisht nga kompjuterat. "Kjo është arritur të bëhet vetëm sot. Pak vite më parë do të kishte qenë e gati e pamundur. "

Paraqesin shumë kamera një rrezik?

Kamerat paraqesin ndoshta edhe një rrezik, sepse terroristët kërkojnë pikërisht vëmendjen e publikut. Ata duan që aktet e tyre të filmohen dhe të shihen prej sa më shumë vetëve.

Departamenti i policisë së Bostonit kërkoi me twitter

Departamenti i policisë së Bostonit kërkoi me twitter

"Ngjarjet me prezencë të madhe mediatike kanë një efekt tërheqës për terroristët", thotë Paul Elmar Joris në bisedë me DW. Atentatorët nuk shkojnë pranë kamerave të vëzhgimit, por shkojnë pranë mediave, për të qenë menjëherë të pranishëm në ekranet e të gjithë botës. Shpërthimi ndodhi pasi sportistët e famshëm ishin larguar. Ndoshta terroristët patën qenë të interesuar të vrisnin sa më shumë njerëz. Maratona e Bostonit ishte thjesht një objekt i lehtë. Atentati në vetvete është mesazhi, thonë ekspertët.