1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Si u pastruan lumenjtë gjermanë

Lumenjtë gjermanë janë destinacione të preferuara për kohën e lirë. Por vetëm pak vite më parë lumenjtë dhe brigjet e tyre konsideroheshin të vdekur biologjikisht. Si u shpëtuan këto ekosisteme të ndjeshme?

Deichlandschaft an der Elbe in Mühlberg in Nordsachsen, aufgenommen am 05.08.2012. Foto: Jens Kalaene dpa

Mühlberg an der Elbe

Mbeturina plastike që pluskojnë në ujë dhe peshq që përpiqen të thithin ajër në sipërfaqe, më shumë të ngordhur se të gjallë - skena të tilla të tmerrshme vijnë sot në televizion kryesisht nga Kina dhe dëshmojnë për situatën e mjerueshme të shumë lumenjve kinezë, të cilët bëjnë pjesë ndër ujërat më të ndotura në botë. Por vetëm pak vite më parë edhe peisazhet e lumenjve në Gjermani ofronin pamje të ngjashme.

Para së gjithash lumi Elbë, i cili nga burimi në Çeki vazhdon plot një mijë kilometra pas Hamburgut për t'u derdhur në Detin e Veriut, konsiderohej si lumë i vdekur. Deri në ribashkimin gjerman në 1990, ish-RDGJ i derdhte ujërat e ndotura të papastruara në lumë.

Lumi Jangtsekiang në Kinë

Lumë apo vend grumbullimi plehrash? -Lumi Jangtsekiang në Kinë

Një koktej helmues

Studiuesit konstatuan për vitin 1988 një koktej lëndësh helmuese, si p.sh. 16.000 tonë azot, 10.000 tonë fosfor, 23 tonë merkur dhe 3 tonë të lëndës shumë helmuese pentaklorfenol, lëndë të cilat Elba i transportonte në drejtim të detit. Biologu Veit Hennig nga Universiteti i Hamburgut e përshkruan kështu gjendjen e Elbës gjatë viteve 1980: "Peshqit kishin gjendra të mëdha në pjesën e gojës. Ngjalat kishin pamje të frikshme dhe shojzat plagë dhe gjendra në sipërfaqen e lëkurës."

Po si mund të shpëtohej lumi? Mbyllja e shumë fabrikave në ish-RDGJ, pastrimi i vazhdueshëm i ujërave të përdorur dhe vendosja e rregullave strikte për ambientin, kanë shpëtuar Elbën dhe lumenj të tjerë gjermanë, mendon Veit Hennig. Peshkatarët dhe plazhistët janë ndërkohë në Elbë dhe lumenj të tjerë gjermanë një pamje e zakonshme. Edhe kafshët po rikthehen.

Po rikthehen balenat

Në brigjet e Elbës në Hamburg studiuesi i balenave Veit Hennig, shpjegon se përse balenat nga Deti i Veriut notojnë tani përsëri në Elbë: "Numri i balenave që janë parë është rritur katër vitet e fundit, por sidomos dy vitet e fundit janë parë shumë." Sa kanë qenë këtë vit? "Vetëm balena të para rastësisht kemi numëruar 200", thotë Hennig.

Edhe balenat janë parë sërish në Elbë

Edhe balenat janë parë sërish në Elbë

Balenat në pranverë ndjekin peshqit me të cilët ushqehen, të cilët lëshojnë vezë në ujërat e Elbës. Qëkurse cilësia e ujit të Elbës është përmirësuar ndjeshëm, peshqit po rikthehen dhe me ta gjithnjë e më shumë balena, një shenjë kjo që lumi po bëhet i shëndetshëm.

Mëkatet e së kaluarës

Ndryshe nga ujërat e tjera si p.sh. në një liqen, një lumë i transporton relativisht shpejt lëndët e dëmshme në det. Në fund lumi vetëpastrohet, ndërkohë që lëndët helmuese dhe të dëmshme vazhdojnë të ekzistojnë në det. Vetëm në sedimentet e lumenjve ka ende sot mbetje të lëndëve helmuese. Në rast përmbytjeje si këtë vit në Gjermani, këto lënde mund të dalin sërish në sipërfaqe. Stephan Köster nga Instituti për Ekonominë e Ujërave të Zeza dhe Mbrojtjen e Ujërave në Universitetin Teknik të Hamburgut, thekson: "Jo shumë kohë më parë, mbrojtja e ambjentit nuk ishte aspak e pranishme dhe në shumë pikëpamje natyra thjesht është shfrytëzuar."

Lumenjtë kanë vuajtur në mënyrë të veçantë, thotë Köster: "U pa se gjithçka mund të hidhej në lumenj, të cilët i transportonin mbetjet shpejt në det. Kështu, larg syve, larg mendjes". Por kjo në ditët e sotme ka ndryshuar mendon eksperti: "Është investuar vazhdimisht në pastrimin e ujërave të përdorur dhe këto ujëra janë pastruar jo vetëm mekanikisht por edhe më trajtime biokimike." Procedurat për pastrimin e ujërave me kalimin e kohës janë përsosur, thotë specialisti.

Ujëra të pastra?

Peshkatarë në brigjet e Elbës

Në brigjet e lumenjve në Gjermani mund të peshkohet përsëri

Në një strukturë pastrimi të ujit veprohet gjithnjë sipas parimit "nga e vogla tek e madhja". Fillimisht nxirren me anë të patrimit mekanik objektet më të mëdha, pastaj e kanë radhën ato më të vogla. Me anë të filtrave largohet rëra e cila mund të dëmtonte për shembull më vonë tubacionet. Një paisje ndarëse kujdeset që në ujë të mbeten vetëm lëndë të tretura derisa në punë hyjnë edhe ndihmësit e vegjël në formë bakteresh, të cilat shpërbëjnë para së gjithash karbonet.

Ndërkohë që në lumenjtë gjermanë dhe evropiane po rikthehet jeta, ata në Kinë vuajnë ende nga ndotja e lartë. A mund të aplikohen edhe në Kinë masat evropiane për mbrojtjen e ujërave? Stephan Köster, i cili prej shumë vitesh ka lidhje kërkimore me Kinën, mendon: "Do të thoja se në Kinë ka edhe shumë probleme të tjera sa i takon ujërave." Köster thekson se në Kinë ekzistojnë ligje dhe urdhëresa për mbrojtjen e lumenjve. Ajo që nevojitet është një zbatim rigoroz i rregullave për mbrojtjen e ujërave.

Por specialisti Veit Hennig duke marrë si shembull Elbën thotë se për lumenjtë gjermanë duhet bërë ende shumë për të rikthyer raportet "e natyrshme": "Vetëm cilësia e ujit në kuptimin kimik është përmirësuar, por struktura e lumit si mjedis i natyrshëm jetësor është përkeqësuar madje."

Me këtë biologu ka parasysh kufizimin në rritje të lumit dhe ndërtimet në brigjet e tij. Duket se ambientalistët gjermanë dhe kinezë kanë ende shumë punë, për të pasur vërtet lumenj të pastër.