1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si të bëhet reforma zgjedhore në Shqipëri?

Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore në Shqipëri po vazhdon punën në bazë të dhjetra rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ekspertët japin suzgjerimet e tyre se si të përmirësohet gjendja.

Zgjedhjet në Shqipëri

Zgjedhjet në Shqipëri

Në tavolinat e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore qëndrojnë plot 52 rekomandime të OSBE/ODIHR-it si edhe sugjerime të Komisionit të Venecias. Amplituda e tyre është shumë e gjerë: që nga administrimi i procesit zgjedhor dhe çpolitizimi i KQZ-së, deri tek transparenca e financimeve të zgjedhjeve dhe zgjidhja e ankimimeve. Formimi i këtij Komisioni, në vjeshtën e vitit të kaluar, ishte e para ngjarje, ku palët arritën një konsensus, pas ngërçit të gjatë politik. Kriza nisi pas zgjedhjeve parlamentare të verës 2009, të realizuara me sistemin aktual zgjedhor, proporcional-rajonal, që u aplikua për herë të parë në zgjedhjet parlamentare te 2009-ës dhe që zëvendësoi sistemin zgjedhor maxhoritar proporcional, me të cilin ishin zhvilluar deri atëhere zgjedhjet pluraliste në Shqipërinë post-komuniste.

Kristaq Kume.

Kristaq Kume

Zgjedhjet parlamentare të 2009-ës dhe më pas zgjedhjet e vjetshme lokale nxorrën në dritë të meta dhe hapësira bosh në legjislacionin zgjedhor të Shqipërisë, që sollën në analizë të fundit, deformimin e vullnetin teë zgjedhësve dhe cënimin e standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky konkluzion u paraqit në raportet përfundimtare të vëzhguesve ndëkombëtarë të OSBE/ODIHR-it. Çfarë merr përsipër tani të bëjë Komisioni parlamentar i reformës zgjedhore?

Kristaq Kume, ekspert i proceseve zgjedhore, ish-kryetar i Komiosionit Qëndror të Zgjedhjeve thotë për programin shqip të DW: " Duhet të vendosen rregulla loje për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm 2013, dhe të krijohen kushte më të mira ligjore se ato që parashikon Kodi zgjedhor aktual".

Çfarë duhet përmirësuar?

Vlerësimin "zgjedhje të lira dhe të ndershme" vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE / ODIHR-it nuk ia kanë dhënë dy proceseve të fundit zgjedhore të kryera me kodin që u reformua në vitin 2008 dhe me sistemin e ri zgjedhor, proporcional-rajonal. Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u cilësuan "me standarde ndërkombëtare pjesërisht të plotësuara" kurse zgjedhjet lokale të vitit të kaluar si "konkurruese."

Çfarë duhet përmirësuar në Kodin aktual të Shqipërisë që pëcaktimi "të lira dhetë ndershme" si standard thelbësor i zgjedhjeve demokratike të mos mungojë përsëri në fjalorin e ndërkombëtarëve?

Zgjedhjet në Shqipëri.

Do e numërojnë votën time...

" Përmirësimet përfshijnë procesin e administrimit të zgjedhjeve, që nga formimi i administratës zgjedhore deri tek mënyra sesi administrohet vota e çdo votuesi në Shqipëri. Qëllimi është zvogëlimi i peshës që kanë partitë politike në administratën zgjedhore duke filluar që nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve" thotë Kristaq Kume.

Formula e një Komisioni Qëndror të Zgjedhjeve jashtë politikës.

Në të gjitha proceset zgjedhore të zhvilluara në Shqipërinë post- komuniste mënyra sesi kanë vepruar KQZ e kanë stigmatizuar nga opozitat si institucion politik. Por i tillë ka qenë edhe perceptimi i publikut. Reforma e tanishme zgjedhore ka në dorë t' i japë fund kësaj tradite, që ka prodhuar vetëm kriza politika dhe rritur mungesën e besimit mes palëve.

"Ka ardhur koha që të krijohet një institucion zgjedhor që në emërtimin e tij të jetë jopolitik. Një formulë është p.sh. krijimi i "autoritetit të pavarur për administrimin e zgjedhjeve". Në përbërje të tij mund të jenë 7 anëtarë si tani, por ndryshe nga tani, ata nuk duhet të vijnë nga partitë politike por nga gjykatat, shoqëria civile, bota akademike dhe e mediat", thotë eksperti Kristaq Kume.

A duhet ndryshuar edhe sistemi zgjedhor?

Protesta në Tiranë.

... apo duhet të dalë sërish në protesta?

Ndërkohë partitë e vogla, të majta apo të djathta, po kërkojnë që reforma zgjedhore të ndërhyjë edhe në sistemin zgjedhor, proporcional rajonal. Kur ky sistem zgjedhor u aplikua për herë të parë në zgjedhjet parlamentaretë verës 2009, të gjitha këto parti mbetën jashtë Parlamentit. Këto parti këmbëngulin se është pikërisht ky sistem zgjedhor dhe jo elektorti që i ka dënuar të jenë jashtë Parlamentit. Partitë e vogla sjellin si argument strukturën e Parlamentit të sotëm, të dalë nga zgjedhjet e 2009-ës, që nuk i përgjigjet strukturës së votave që hodhën zgjedhësit shqiptarë në kutitë e votimit. A duhet ndryshuar sistemi zgjedhor për të evituar këtë deformim të votës në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës?

"Nuk ka pse për zgjedhjet parlamentare të 2013 të ndryshojë sistemi zgjedhor, që është aplikuar vetëm një herë. Mund të gjënden zgjidhje në Kodin zgjedhor që ky sistem të mundësojë që kërkesa thelbësore e tij, proporcionaliteti të realizohet. Kodi zgjedhor krijon hapësira për përfaqësimin sa më të mirë të vullnetit të zgjedhësve në strukturën politike të Parlamentit."

A do të jetë viti 2012 për Shqipërinë një vit shansi të fituar ?

Mandati i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore përfundon në mars të këtij viti. Çelësi i suksesit të tij janë konsensusi dhe vullneti politik. Nëse anëtarët e tij demokratë dhe socialistë do t'ia lënë së shkuarës mosmarrveshjet dhe bllokimin e punës së Komisionit do të krijojnë mundësinë për realizimin e një ndër 12 prioriteteve që BE i ka vënë klasës politike të Tiranës për të merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Në këtë kontekst baronesha Catherinë Ashton e ka quajtur këtë vit " vitin e mundësive për Shqipërinë" dhe ka inkurajuar punën e Komisionit. Pikërisht për shkak të mungesës së konsensusit politik mes palëve Shqipëria humbi vitin e kaluar për të dytën herë shansin për të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Bahri Cani