1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si shpenzohen paratë e Serbisë në Kosovë?

Në Kosovë gati askush nuk e di, sa para nga Serbia derdhen për serbët e për çfarë qëllimesh shpenzohen. Ajo që dihet, është se këto para shkojnë për rrogat e të punësuarve në institucione, që qeveria i konsideron ilegale

default

Më së shumti para të buxhetit të Serbisë derdhen në buxhetet e komunave të kontrolluara nga Beogradi. Shumica prej këtyre komunave kanë selitë e tyre fiktive në Serbi. Para të shumta jepen edhe për shëndetësi dhe arsim. Por shumë serbë janë të bindur se me këto para bëhen manipulime të mëdha. Në Beograd thuhet se në 12 vitet e fundit, prej përfundimit të luftës deri më sot, në Kosovë janë investuar rreth 240 milionë dinarë në vit, ndonëse përfaqësuesit e qeverisë thonë se kjo shumë është dhjetë herë më e vogël.

Zvonko Mihajlloviq, kryetar i komunës së Shtërpces i zgjedhur në zgjedhjet e organizuara nga Serbia, pranon se me paratë e marra nga Serbia ka mundur të bëhet shumë më shumë. „Trajtimi i ndryshëm i veriut nga pjesët tjera të Kosovës është vetëm një prej shkaqeve për situatën e tanishme", thotë ai.

Fshati Strpce

Fshati Strpce

Gjatë vitit të kaluar dhe në katër muajt e parë të këtij viti, Beogradi ka ndërmarrë shumë masa për përmirësimin e gjendjes së bashkëkombasve të vet në Kosovë. „Vitin e kaluar kemi nisur ndërtimin e tetë banesave për intergrimin e të zhvendosurve. Këtë vit do të nisim ndërtimin edhe të tetë apartamenteve të tjera. Vitin e kaluar kemi nisur edhe ndërtimin e katër shtëpive për familjet, që jetojnë në kushte të rënda, ndërsa këtë vit do të strehojmë edhe tri familje të tjera", thotë Mihajloviq.

Edhe Predrag Stojkoviq, shefi i zyrës së ministrisë serbe për Kosovë dhe kryetar i komunës së Gjilanit, i dalë nga zgjedhjet e Serbisë, flet për investime të ngjashme. "Një sasi të madhe parash i kemi investuar në shkolla, manastire dhe kisha. Vitin e kaluar kemi ndihmuar 60 familje në ndërtimin e shtëpive të tyre".

Të dy bashkëbiseduesit thonë se nuk ekzistojnë keqpërdorime të parave, që vijnë nga buxheti i Serbisë. „Ne përpiqemi që çdo dinar të ardhur nga buxheti i Republikës së Serbisë ta shpenzojmë si duhet", thotë Mihajlloviq.

Megjithatë serbët e Kosovës flasin për keqpërdorime të shumta

Dy serbë nga fshati Koretiste, Gjilan

Dy serbë nga fshati Koretiste, Gjilan

Supozohet se në listat e rrogave ndodhen edhe persona, që kanë vdekur kaherë. Në Serbi financohen edhe kryetarë të komunave, ku kaherë nuk jeton asnjë serb. Nenad Cvetkoviq, kryetar i komunës së Parteshit, thotë se një rast i tillë është ai i Nenad Todoroviqit, ish-kryetar ilegal i komunës së Gjilanit. "Dihet që ai kaherë nuk merret me problemin e Kosovës dhe ka ndërtuar një klinikë private në qytetin Quprija", shpjegon Cvetkoviq.

Ndërsa Momçillo Iliq, i zhvendosur në komunën e Shtërpces, nuk e beson që banesat do t'i jepen të zhvendosurve. "Mendoj se ndarja e këtyre banesave do të bëhet sipas lidhjeve familjare, apo me shantazhe.... s'ka asgjë serioze në këtë punë“, thotë Iliq.

Janko Nedeljkoviq nga Pasjani i Gjilanit e ka të qartë se në Kosovë shpenzohen shumë para të Serbië, por ato nuk u jepen njerëzve në nevojë. "Punëtorët e mbetur pa punë marrin vetëm nga 11.000 dinarë. Ndërsa në anën tjetër korrupsioni është në një nivel shumë të lartë. Një rol shumë të rëndësishëm luajnë edhe lidhjet familjare dhe partiake, sepse ka raste që nga buxheti i Serbisë financohen nga katër persona të një familje. Ata fitojnë me qindra mijëra dinarë", shpjegon ai.

Autor: Refki Alija

Redaktoi: Angjelina Verbica