1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Si shkarkohet një president federal e pse rri urtë opozita?

Që kur u bë e qartë që Presidenti Federal Wulff donte të pengonte raportet e medieve për kredinë e tij private, po zhduket edhe mbështetja politike për të. Megjithatë, thuajse askush nuk kërkon që ai të japë dorëheqjen.

Wulffi pas deklaratës për aferën e kredisë

A duhet të largohet Wulffi?

Gjithnjë e më shumë nga Wulffi po distancohen edhe shokët e partisë së tij. Zëvendëskryetari i Grupit Parlamentar të CDU-së në Saksoninë e Poshtme, Karl-Heinz Klare tregon se shumë vetë nga partia e kanë marrë në telefon. "Të gjithë u shprehën në mënyrë negative për sjelljen e Wulffit", e citon atë Hannoversche Allgemeine Zeitung.   

Edhe në radhët e liberalëve, të cilët e mbështetën me votën e tyre vitin e kaluar Christian Wulffin për postin e Presidentit Federal, është shtuar distanca. Vërtet që Wulffi ka merituar respekt, tha zëvendëskryetari federal i FDP-së, Holger Zastrow në radion Mitteldeutsche Rundfunk. "Por ai ka detyrimin edhe që ta sqarojë gjendjen."

Deri tani, Presidenti Federal Wulff nuk është shprehur për kritikat e reja, në bazë të të cilave ai është përpjekur që me kërcënime ndaj kryeredaktorit dhe drejtuesit të shtëpisë botuese të gazetës Bild të pengojë një informacion për kredinë e tij private. Në një deklaratë me shkrim të Zyrës Presidenciale thuhet vetëm se për bisedime kokë më kokë dhe telefonata "presidenti nuk jep të dhëna si çështje parimi".

Presidenti Federal thuajse është i pashkarkueshëm nga posti

Christian Wulff përqafon Merkelin pas zgjedhjes si President Federal

Christian Wulff përqafon Merkelin pas zgjedhjes si President Federal

Tema më e diskutuar në Berlinin politik është ndërkohë diskutimi se sa kohë do të qendrojë Wulffi ende në post. Por këtë megjithatë është vetë ai që e vendos. Vetëm po të kishte shkelur kushtetutën ose një ligj federal, atë mund ta padisnin Bundestagu përkatësisht Bundesrati (Dhoma e Landeve) para Gjykatës Kushtetuese Federale. Gjykatësit më të lartë mund ta deklaronin atë në këtë rast "se e ka humbur postin". Por deri tani po diskutohet nëse Wulffi, me pranimin që i bëri një kredie me kushte të favorshme në kohën kur qe kryeministër i landit të Saksonisw së Poshtme ka shkelur ligjin për ministrat të landit, pra një ligj të një landi.

Përsa i përket kërkesës ndaj Wulffit që të japë dorëheqjen, e përmbajtur madje po tregohet edhe opozita. Kjo sigurisht ka të bëjë jo vetëm me respektin për postin më të lartë shtetëror në Gjermani, por edhe me faktin që të paktën deri në fund të vitit në sondazhe ishte vetëm një minoritet njerëzish që kërkonin dorëheqjen e Wulffit. Në këto rrethana, askujt nuk i pëlqen të marrë rolin e "vrasësit të mbretit." Por ka edhe shkaqe të tjera të forta për përmbajtjen e opozitarëve. Nëse do të zhvilloheshin tani zgjedhje të reja për presidentin e shtetit, partitë unioniste dhe FDP-ja do të kishin shanse të mira për të pasur sukses me kandidatin e tyre. Votat e tyre në Asamblenë Federale vërtet që janë pakësuar, por këto parti vazhdojnë të kenë shumicën.

Autor: Peter Stützle/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica

DW.COM