1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

270511 Niederlande Reax Mladic-Festnahme

27 Maj 2011

Kujtesa ndaj dështimit dhe pritja nga procesi para Tribunalit të OKB-së: Kështu mund ta përshkruash reagimin në Holandë.

https://p.dw.com/p/11POU
Symbolbild Ratko Mladic

Arrestimi i të dyshuarit për kriminel lufte serbo-boshnjakut Ratko Mlladiq u përshëndet në mbarë Evropën. Por në Holandë ky lajm u prit me ndjenja të përziera. Arsyeja është se trupat e OKB-së, që nuk ndërmorrën asgjë kundër masakrës së Srebrenicës, drejtoheshin prej komandantëve holandezë.

Kryeministri holandez Mark Rutte u shpreh i lehtësuar nga lajmi, se Ratko Mlladiq është arrestuar: "Ky është një lajm i mirë. Si për të afërmit e viktimave në ish-Jugosllavi në Srebrenica, ashtu edhe për ushtarët holandezë, që asokohe kryenin shërbimin. Për ta ky është një moment i veçantë."

Rutte i referohet traumës së Srebrenicës

Mark Rutte, kryeministër i Hollandës
Mark Rutte, kryeministër i HollandësFotografi: dapd

Në korrik 1995 ushtaröt helmetkaltër holandezë nuk ndërhynë, kur trupat serbe ekzekutuan mbi 7.000 djem e burra. Holandezët, trupa Dutchbat, asokohe duhej të mbronte qytetin e rrethuar boshnjak të Srebrenicës. Arne Mülder, asokohe ushtar helmetkaltër, kujton: "Më e tmerrshmja ishte pafuqia. Ti ndodhesh me armën tënde aty dhe nuk mund të bësh asgjë. Ne gjithmonë e kemi parë frikën e refugjatëve boshnjakë. Ne prisnim ndihmë, por kjo ndihmë nuk erdhi. Ne ishim shumë pak."

Trupa e OKB-së nën komandantin holandez Karremans nuk ndërmorri asgjë. Pasoja ishte masakra e Srebrenicës. Lajmi për arrestimin e Mlladiqit si rrjedhojë u prit në Holandë me ndjenja të dyzuara. Arne Mülders, është sot deputet i partisë liberale: "Janë ndjenja indinjate dhe hidhërimi, por edhe lehtësimi, që Mlladiqi tani më në fund do të njohë drejtësinë dhe do të mbajë përgjegjësi për vrasjet e tij."

Kujtesa ndaj dështimit dhe pritja nga procesi para Tribunalit të OKB-së: Kështu mund ta përshkruash reagimin në Holandë.

Autor: Imke Marggraf/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica