1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Si përpiqet Saksonia t'i arrijë përkrahësit e "Pegidas"

Qeveria e Saksonisë kërkon të sqarojë përkrahësit e "Pegidas" për imigrimin përmes Twitter. Rezultatet e deritanishme të fushatës janë të habitshme.

A duhet të flitet me përfaqësuesit e lëvizjes "Pegida"? Po, mendojnë politikanët konservatorë në landin lindor të Saksonisë, në kryeqytetin e të cilit Dresden javë për javë mijëra vetë marrin pjesë në demonstrimet e "Evropianëve patriotë kundër islamizimit të Perëndimit", shkurt Pegida. "Duhet të hyjmë më shumë në diskutim me demontruesit", deklaroi p.sh. kryeministri Stanislav Tillich. Kryetarja e bashkisë së Dresdenit Helma Orosz bëri madje oferta konkrete dialogu.

Lutz Bachmann

Lutz Bachman, një nga organizatorët e Pegidas

Probkemi është vetëm: "Pegida" nuk diskuton. Në marshet e saj të protestës pjesëmarrësit janë të obliguar të mos flasin me gazetarët. Organizatorët refuzojnë edhe ftesa për biseda të kanaleve të rëndësishme televizive dhe intervista japin shumë rrallë, një kërkesë me shkrim e DW mbeti pa përgjigje.

Receta e suksesit: #pegida-Hashtag

Ministria e Brendshme e Saksonisë po ndjek tani një rrugë tjetër. "Ne u menduam se si mund t'i çojmë informacionet drejt e tek njerëzit që i bashkohen Pegidas", deklaron Martin Strunden, zëdhënës i Ministrisë. Prej një javë e gjysmë lajmet e shkurtra në Twitter për tema si azili apo integrimi shoqërohen me hashtags#pegida# dhe #nopegida, për të arritur përdorues që interesohen për lëvizjen. Hashtags janë fjalëkyçe që përdoren për komunikimin në Twitter dhe lehtësojnë kërkimin brenda këtij rrjeti. Ndërkohë Ministria ka rregjistruar për lajmet e saj në Twitter rreth 10.000 në vend të 400 vizitave si deri tani. Për një profil me vetëm 230 ndjekës ky është një numër i habitshëm i lartë.

"Profili Twitter i Ministrisë së Brendshme është orientuar deri tani tek gazetarët, deputetët dhe njerëz të tjerë në Dresdenin politik", thotë Martin Strunden. "Qëkurse vendosim Hashtags vizitojnë edhe shumë njerëz të interesuar privatisht." Në Facebook, terrenin e vërtetë të Pegidas, Ministria ende nuk guxon të nisë dialogun. "Në faqen Facebook të 'Pegidas' shuhen komentet të cilat nuk janë konform", thotë zëdhënësi i shtypit. "Kjo e vështirëson punën." Por dialogu në Facebook është hapi pasues i mundshëm.

Twittern kundër njoftimeve të rreme

Por çfarë pret qeveria e landit nga ofensiva në Twitter? "Rasti ideal do të ishte që zërat dhe pretendimet e rreme të përhapura në rrjet të mos përhapen më tej ose të paktën të kenë një shpjegim tjetër", thotë Strunden. Vetëm të hënën ishte përhapur një lajm se në Gjermani ndodhen më shumë 500.000 njerëz të cilëve iu ishte refuzuar azili. "Një shifër thjesht e gabuar, numri i vërtetë është 50.000 deri 100.000." Strunden i kundërvihet këtyre zërave, poston në Twitter disa herë në orë të dhëna, fakte dhe 'links' me informacione të mëtejshme dhe reagon ndaj njoftimeve si: "Përgjigjuni përse në Dresden dërgohen pikërisht tunizianë dhe çeçenë."

Ekspertët nuk janë në një mendje nëse me "Pegidan" duhet të diskutohet. Vërtet është e rëndësishme të japësh argumente thotë p.sh. sociologu nga Darmstadt Oliver Nachtwey. Por unë e konsideroj të gabuar t'i jepet rëndësi Pegidas duke thënë: 'Ne kërkojmë bisedën."

Krejt ndryshe e sheh këtë Dieter Rucht, ekspert i profilizuar për lëvizje sociale në Gjermani. Ai është për një diferencim. Përkrahësit e Pegidas nuk duhet të dënohen në përgjithësi si radikalë të djathtë, por as nuk duhet injoruar rreziku i lëvizjes. "Të diferencosh do të thotë edhe të përdorësh argumente të caktuar", mendon Rucht. Kështu komunat aktualisht kanë vërtet probleme të strehojnë numrin në rritje të azilkërkuesve. "Ky problem duhet të trajtohet" mendon Rucht. Në të njëjtën kohë duhet të shfuqizohen informacionet e gabuara që qarkullojnë për shembull për "mjetet e tepruara" për refugjatët. Duhet që përfaqësuesit e Pegidas të dalin nga pozicioni i tyre mohues p.sh. duke i pyetur se si mund të ishte për ta konkretisht një "ligj për integrimin", i cili kërkohet nga ekipi me 12 anëtarë i organizatës. "Sapo të zhvillohet një diskutim i tillë, prodhohet edhe një debat i brendshëm dhe atëherë kjo masë amorfe ndahet në kampe të ndryshme", beson sociologu.

Megjithatë Rucht ka dyshime nëse kjo mund të bëhet me debate në internet. "Këto janë shpesh bashkësi komunikimi që forcohen reciprokisht por nuk hyjnë në dialog me njëri-tjetrin." Kjo vlen edhe më shumë kur marrin pjesë edhe aktorë zyrtarë si Ministria e Brendshme: "Një nga shenjat dalluese të lëvitjes është që përkrahësit e saj nuk i besojnë më klasës politike - dhe akoma më pak janë të gatshëm të dëgjojnë se çfarë kanë për të thënë."

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,18142467,00.html