1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

'Si në Luftën e Ftohtë'

Qeveria në Kiev ka reaguar pas kërkesave për bojkotimin e Kampionatit Evropian të Futbollit në Ukrainë. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Voloshin, tha se shpreson që njoftimet për bojkotim të mos jenë të "vërteta".

Stadiumi Olimpik Kiev

Stadiumi Olimpik Kiev

Oleg Voloschin, nga ministria e Jashtme e Ukrainës në fillim u shpreh sikur nuk kishte dëgjuar asgjë. Ai shfaqi shpresën se njoftimet për mungesën e mundshme të politikanëve gjermanë në Kampionatin Evropian të Futbollit të mos jenë të vërteta. Voloshin, megjithatë pastaj deklaroi hapur: bojkoti politik i Euro 2012 në shenjë proteste ndaj mënyrës së trajtimit të lideres së opozitës Timoshenko nga ana e vendit të tij, nuk është asgjë tjetër veç një rikthimi në kohën e Luftës së Ftohtë.

Politikanët gjermanë përpiqen që ta kthejnë sportin në peng të politikës. Qysh dje nga Kievi janë dëgjuar kritika dhe shpoti në adresë të kancelares Merkel. Nga radhët e partisë së Janukoviçit u tha se angazhimi i qeverisë gjermane për trajtim mjekësor të Timoshenkos në Gjermani, nuk është asgjë tjetër përveçse përzierje e guximshme në punët e brendshme të vendit. Zonja Merkel siç duket ka harruar se qeveris Republikën Federale Gjermane dhe jo Ukrainën.

Familja Timoshenko

Familja Timoshenko

Janukoviç ka manovruar në një qorrsokak

Për politologun e Kievit, Vadim Karasjov është e qartë se presidenti ukrainas Janukoviç, është futur në një qorrsokak nga i cili nuk mund të dalë më. Falja e Timoshenkos nuk do të ishte shumë e favorshme për të ndërkohë, që edhe nga burgu ajo po i shkakton mjaft vështirësi. "Janukoviçi ka ftrikë se Timoshenko do të mirëpritej nga të gjithë udhëheqësit në Evropë. Që ta mbajë në burg do të thotë po ashtu se do të vazhdojë të ketë interesin e publikut. Por paramendoni që ajo nesër do të takohej me Merkel-in, Sarkozy-n apo van Rompuy-n. Ajo është një figurë politike e kalibrit botëror - ajo ndoshta do të takohet edhe me Obamën dhe natyrisht me Putinin - që do ta bënte të qartë se Janukoviçi ndodhet në izolim absolut."

Por edhe kështu, presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Janukoviçit po bëhet gjithnjë e më i madh. Presidentët e Austrisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke i kanë anulluar vizitat e tyre të planifikuara për në Ukrainë. Për presidentin çek Vaclav Klaus, arsyeja kryesore është mënyra e trajtimit të ish kryeministres së Ukrainës, Julia Timoshenko. Presideti i Rusisë Dmitry Medwedew e ka quajtur dje ( 30.04.) si plotësisht të papranueshme mbajtjen në burg të Timoshenkos. Në politikë mund të luftohet me mjete të ashpra por nuk është e justifikueshme që konkurrentët e drejtpërdrejt pas proceseve politike të futen në burg.

Idhtarë të Julia Timoshenkos

Idhtarë të Julia Timoshenkos

Janukoviç ka frikë nga humbja e pushtetit

I pyetur se a është Janukoviçi krejtësisht imun ndaj kritikave nga jashtë, politologu i Kievit, Karasjov përgjigjet: "Thënë shkurt, ai ka frikë nga kritikat nga jashtë, por edhe më shumë frikë ai ka nga Timoshenko. Dhe ai më së shumti ka frikë nga humbja e pushtetit. Në parim ai nuk ka frikë se për shkak të Timoshenkos do të bojtkotohet tërësisht Kampionati Evropian i Futbollit 2012. Është e qartë se lojrat e futbollit nuk do të dështojnë. Ato do të zhvillohen. Po të dëshirohej një bojkotim i kampionatit atëherë me të është dashur të fillohet më herët."

Për Janukoviçin ndoshta objektivi më i rëndësishëm është që partia e tij të dalë forca më e madhe politike nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare në tetor. Sipas mendimi të shumë vëzhguesve, ai angazhohet me të gjitha forcat që rivalja e tij politike Timoshenko në asnjë rrethanë mos të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Autor: Stephan Laack / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama