1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si mund të avancojë procesi i paqes në Ballkan, sipas Daniel Serwer

Daniel Serwer, zëvendëspresidenti i Qendrës së Inovacioneve të Institutit të Paqes të SHBA botoi para pak ditësh një letër me ide, si mund të avancojë procesi i paqes në Ballkan.

Helmetat blu në Bosnjë

Helmetat blu në Bosnjë

Serweri shkruan se problemet në Ballkan vazhdojnë të jenë reale, që kërcënojnë seriozisht stabilitetin. Ai kërkon që Brukseli dhe Uashingtoni të ndërmarrin hapa për të parandaluar problemet e mëtejshme.

Problemet kryesore me Kosovën janë territoriale, jo konstitucionale, shkruan Serweri. Beogradi flet për "korrigjim kufijsh". Beogradi mund të ishte i gatshëm që në këmbim të territorit në veri të Lumit Ibër, të lejonte anëtarësimin e Kosovës në OKB, pa e njohur Kosovën si shtet. E kjo është një çështje urgjente për të, sepse procesi i anëtarësimit në BE as mund të nisë pa përcaktim të qartë të kufijve të një shteti.

Sipas Serwerit, ka edhe në Prishtinë njerëz që mund të diskutonin për korrigjim kufijsh, por vetëm nëse diskutimi përfshin edhe zonat me shumicë shqiptare në Serbinë Jugore. Por për Beogradin, dhënia e Luginës së Preshevës nuk është opsion. Kjo edhe sepse kjo zonë ndodhet shumë pranë aksit qendror veri/jug të Serbisë, i cili të çon drejt Selanikut.

Daniel Serweri shkruan se bashkësia Ndërkombëtare, veçanërisht BE dhe SHBA janë kundër shtrimit për diskutim të kësaj çështjeje, për shkak të ndikimit të saj në Maqedoni dhe Bosnje.

Hapi i parë i nevojshëm do të ishte thyerja e akullit në kontaktet midis Beogradit dhe Prishtinës. Serweri propozon një hap të thjeshtë, por me efekt dramatik: presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, të ftojë në Prishtinë presidentin e Serbisë, Boris Tadiç. Një takim mirësjelljeje nuk do të kërkonte as etiketa me emra në tryezë, as tryezë, as ndërmjetësues dhe as formalitete, veç një shtrëngimi duarsh. Pas kësaj, nëse dëshiron, Beogradi mund të thotë se presidenti serb shkoi dhe vizitoi presidentin e një rajoni autonom (siç e quan Serbia Kosovën). Kurse Prishtina mund të deklarojë, nëse dëshiron, se ky shtrëngim duarsh përfaqëson pranimin e sovranitetit të Kosovës, shkruan Serwer.

Më tej, Serbia dhe Kosova mund të diskutojnë çështjet e tyre territoriale. Por Beogradi nuk ka asnjë mundësi që ta vërë për diskutim këtë çështje, pa pranuar ekzistencën e Kosovës si shtet sovran.

Një takim i tillë, sipas Institutit të Paqes të SHBA, do të qe në përputhje me kërkesën e BE për të vendosur marrëdhënie të mira bilaterale. Një vizitë e Tadiçit në Prishtinë duhet të pasohej nga një diskutim intensiv, për faktin se si duan ta zbatojnë Prishtina dhe Beogradi kërkesën e BE për marrëdhënie të mira bilaterale. Kjo kërkesë përfshin diskutimin e çështjeve territoriale, të sigurisë, të nënshtetësisë, tregtisë, të financave dhe të pronave - konkludohet në letrën e paqes të Institutit të Paqes të SHBA, hartuar nga Daniel Serwer.

Autor: Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NrJM
  • Data 15.06.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NrJM