1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Si mund të arrihet falja, nëse nuk dihen faktet?

Shoqata për EJL, për EL dhe Zyra e së ngarkuarës së qeverisë me dokumentat e Shtazit, organizuan javën e kaluar në Berlin konferencën ndërkombëtare "Dokumentat e policive të fshehta komuniste e zbardhja e së kaluarës."

Dosje të shërbimit sekret gjermanolindor, Shtazi.

Dosje të shërbimit sekret gjermanolindor, Shtazi.

Konferenca shtroi pyetjen, cila është relevanca aktuale e hapjes së dosjeve në shoqëritë e sotme, cilat janë synimet politike dhe ligjore për zbardhjen e historisë dhe a mund të japin diskutimet në lindje të Evropës impulse për një konfrontim mbarë-evropian mbi trashëgiminë e diktaturave të shekullit të 20-të.

Edhe 20 vjet pas dosjet mbeten një problem i vështirë

Anneli Ute Gabanyi, anëtare e presidiumit të shoqatës për Evropën Juglindore.

Anneli Ute Gabanyi, anëtare e presidiumit të shoqatës për Evropën Juglindore.

Më rrëzimin e regjimeve komuniste në shumicën e vendeve evropiano- lindore u rrëzua një sistem efektiv përgjimi. Arkivat e mëdha të policive të atëhershme japin mundësinë për të kuptuar kontrollin dhe përndjekjen, që u është bërë qytetarëve. Në shtetet, që pasuan, dosjet e policive sekrete vazhdojnë të jenë një temë e vështirë edhe 20 vjet pas. Shumë njerëz kërkojnë të zbardhin padrejtësitë, që u janë bërë, studiues kërkojnë të mësojnë për mënyrat e përdorura nga aparati i pushtetit komunist. Hapja e dosjeve u krijon atyre mundësinë të kontrollojnë përzierjen e njerëzve të pushtetit të sotëm, kandidatëve të zgjedhjeve dhe personave të tjerë të jetës publike me ish shërbimet sekrete të asaj kohe.

Anneli Ute Gabanyi është anëtare e presidiumit të Shoqatës për Evropën Juglindore dhe e ka planifikuar këtë konferencë dy vjet më parë. "Tema është shumë e rëndësishme. Kjo shihet jo vetëm në publikun gjerman por edhe nëse hidhet një sy në shtypin e ish vendeve komuniste. Për ne i rëndësishëm ishte "një vëzhgim krahasues" i përpjekjeve, që bëhen për zbardhjen e historisë dhe i institucioneve, që merren me to. Si për të kuptuar situatën në vende të veçanta, ashtu edhe për të kuptuar problematikën e përbashkët për të gjitha këto vende", thotë ajo.

DW: Pse trajtimi i dosjeve të policive sekrete vazhdon të jetë i vështirë?

 Anneli Ute Gabanyi: Tema është e vështirë dhe delikate, sepse institucionet për t'u marrë me to u ngritën shumë vonë në të gjitha vendet, me përjashtim të ish Gjermanisë Lindore (RDGJ). RDGJ është një rast i veçantë, sepse aty u zhduk një shtet së bashku me interesat e tij dhe sepse zbardhja e historisë u bë në kuadër të një shteti demokratik, Republikës Federale Gjermane. Por kjo nuk ndodhi gjithandej, sepse kudo në ish vendet komuniste ne kemi fakte të pazbardhura nga e kaluara. Në këto vende u rrëzua një regjim kriminel dhe sot viktimat dhe dorasit janë vënë përballë njeri tjetrit, pa ditur gjë për njëri tjetrin dhe pa njohur aktet e kryera nga shërbimet sekrete. Viktimave duhet t'u jepet mundësia të mësojnë, çfarë është kallëzuar dhe në rast nevoje, kush i ka kallëzuar. Por jo vetëm kaq, në ngritjen e institucioneve demokratike parlament, qeveri etj, duhet krijuar mundësia që të kontrollohet kush nga kandidatët, që kërkon të zgjidhet, ka patur një të kaluar eventualisht jo të përshtatshme për të kryer një detyrë demokratike. 

Anneli Ute Gabanyi me Virgiliu-Leon Tarau nga Rumania, i ngarkuar për studimin e arkivave të Sekuritates.

Anneli Ute Gabanyi me Virgiliu-Leon Tarau nga Rumania, i ngarkuar për studimin e arkivave të Sekuritates.

DW: Në Shqipëri ka zëra, që thonë se zbardhja e historisë është luks, sepse njerëzit kanë punë më të rëndësishme për të bërë. A është kështu edhe në vende të tjera?

Anneli Ute Gabanyi: Në vështrimet krahasuese në konferencën tonë, ne dëgjuam se në të gjitha vendet ekziston rezistencë nga pjesë të ndryshme të shoqërisë, që zbardhja të mos bëhet. Asnjë nuk tha se zbardhja e historisë është lluks, por u tha se është e rrezikshme, sepse mund të shkaktohet përçarja e shoqërisë, ose përndjekja e njerëzve. Bashkimi shoqërisë është i rëndësishëm për këto vende, por unë pyes si mund të arrihet mirëkuptimi, si mund të jepet në rast nevoje edhe falja, nëse nuk dihen faktet. Faktet duhen vendosur mbi tavolinë, njerëzit duhen përmendur me emër, në mënyrë që të mos lejohet të marrin poste dhe kjo është po aq e rëndësishme sa buka e përditshme.

DW: Si duket situata në Rumani, apo në Hungari? A ka vende, që ndodhen më mirë se të tjerat në zbardhjen e historisë?   

Anneli Ute Gabanyi: Në Rumani për shembull që në fillim, direkt pas revolucionit të dhunshëm, pati zëra, që kërkuan lustracionin, pra moslejimin e funksionarëve të regjimit komunist që të merrnin poste publike. Ato nuk u dëgjuan. Por gjithnjë nga shoqëria civile pati iniciativa po ashtu si nga shoqata e të përndjekurve poliltikë, që u përpoqën që në fillim të viteve nëntëdhjetë të sillnin në parlament një ligj të tillë. Vetëm në vitin 1999 u krijua institucioni për zbardhjen e historisë në Rumani. Por problemi tjetër, që ekziston në të gjitha këto vende, u korrigjua në Rumani në vitet 2004- 2005, domethënë që institucionet morën në dorë dosjet e ish shërbimeve sekrete. Pra, problemi i dhënies së këtyre dosjeve ishte një nga problemet, që ekzistonte në të gjitha vendet, me përjashtim të Gjermanisë, ku elita e vjetër nuk ishte shumë prezente. Në të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Gjermaninë, ne kemi problemin që shumë dosje janë zhdukur dhe shpesh nuk dihet, cilat dosje dhe sa prej tyre janë zhdukur. Ndërsa sa i përket Hungarisë, ne mësuam në Kongres se në këtë fushë bëhet shumë pak. Hapja e dosjeve për publikun e gjerë është shumë restriktive. Faciti jozyrtar i konferencës ishte se Rumania, Polonia, Republika Çeke dhe Sllovakia janë vendet, që kanë bërë më shumë në këtë drejtim. 

Autor: Aida Cama

Redaktoi: Angjelina Verbica