1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si kapen piratët? - Nato dhe BE koordinojnë operacionet e tyre kundër piraterisë

Christian Hasselbach24 Nëntor 2008

Misioni "Atalanta" mund të fillojë përpara fundit të vitit. Që kalimi i kompetencave nga misioni i Nato-s që ende vepron përpara Somalisë të shkojë pa probleme, Solana dhe de Hoop Schefer ranë dakort në disa pika.

https://p.dw.com/p/G1GS
Piratë në SomaliFotografi: AP

Misioni i planifikuar i BE-së kundër piratëve në Kepin e Afrikës duket se po merr formë: fillimisht u emërua britaniku Philip Jones si krye komandant. Tani greku Antonios Papaioannou u emërua komandant në terren i misionit. Mandati i misionit u konfirmua edhe nga ministrat e jashtëm të BE-së.


Kur piratët kapën pak ditë më parë një cisternë të madhe përpara bregdetit afrikano-lindor, Nato nuk e pa veten të detyruar për të vepruar. Zona detare ku ndodhi ngjarja ishte jashtë zonës së misionit të Nato-s siç përcaktohet nga Kombet e Bashkuara në mandatin e Aleancës. Por incidenti theksoi edhe njëherë se sa e rëndësishme është lufta kundër piratëve përpara brigjeve somaleze. Brenda pak ditësh do të fillojë misioni i marinës së BE-së përpara Somalisë, në bashkëpunim të ngushtë me Nato-n. Dy figurat kryesore diplomatike të BE-së dhe Nato-s, Javier Solana dhe Jaap de Hoop Schefer, konsultohen rregullisht për tema që prekin të dy aleancat. Solana u shpreh me këto fjalë për misionin evropian që fillon së shpejti nga puna:


"Do të jetë një operacion solid. Synimet janë dekurajimi, pengimi i piraterisë dhe mbrojtja para së gjithash e ndihmave humanitare të Kombeve të Bashkuara."


Por përqëndrimi vetëm tek ndihma humanitare për shumë armatorë është një halë në sy. Më e vonta që prej kapjes së cisternës shoqëritë e lundrimit i kanë bërë thirrje Nato-s që operon tashmë përpara brigjeve të Somalisë, ta shkulin të keqen nga rrënjët. Për ta kjo do të thotë: piratët nuk duhet të kenë fare mundësi të dalin nga portet e tyre. Këto porte janë të njohura. Me fjalë të tjera: Nato duhet t'i rrethojë këto porte. Por Jaap de Hoop Schefer nuk pranon:


"Nato aktualisht nuk merr në konsideratë bllokimin e porteve. Ju i njihni rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Në formën që ato kanë tani për tani, i përjashtojnë të tilla aksione. Sa i takon Nato-s, nuk e kemi në rend të ditës një gjë të tillë."


Por Nato po mendon, la të kuptohej sekretari i saj i përgjithshëm, se si mund të veprojë kundër piratëve në të ardhmen. Tema duket se po merr një kuptim gjithnjë e më të rëndësishëm për Aleancën Veriatlantike.