1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si jetohet në një fshat serb 10 vjet pas Rambujesë?

Konferenca e Rambujesë ishte rasti i fundit për një zgjidhje paqësore të konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës. Por, si jetohet në një fshat të dominuar nga popullata serbe dhjetë vjet më pas?

Serbët dhe shqiptarët jetojnë edhe më tej të ndarë në Kosovë

Serbët dhe shqiptarët jetojnë edhe më tej të ndarë në Kosovë

Fshati Gorazhdevc, rreth 7 kilometra ne juglindje te Pejës, i komunës së Pejës, me një hapësirë 960 hektarëshe ka rreth 1000 banorë, 95 për qind e të cilëve i takojnë komunitetit serb. Banori i këtij fshati, Slobodan Petroviç, shef i Zyrës Lokale për Komunitete hedh një vështrim diagonal, dhjetë vjet pas Konferencës së Rambujesë.

„Për komunitetin serb, që prej Konferencës së Rambujesë ka ndryshuar shumëçka dhe jeta është shumë më e vështirë se atëhere. Së pari, numri i serbëve që jetojnë këtu është shumë më i vogël, sepse pas kësaj konference ndodhën kthesa të mëdha, si bombardimet e NATO-s, ardhja e forcave të KFOR-it, futja e Kosovës nën administrim ndërkombëtar. Por, tash gjendja është pak më e volitshme, përsa i përket lëvizjes së lirë dhe sigurisë, megjithëse gjendja ekonomike sikur edhe për komunitetet e tjera, vështirëson jetën gjithnjë e më shumë.“


Peja, megjithëse me humbje në njerëz dhe në pasuri, gjatë kësaj dekade kishte një zhvillim të hovshëm, si në ngritjen e infrastrukturës së rrënuar, poashtu edhe në kthimin dhe integrimin e pakicave.

„Por, megjithëse komuniteti shqiptar megjithë pësimet e mëdha gjatë luftës e ka tejkalur vetveten dhe është orientuar nga e ardhmja, së bashku me komunitetet e tjera, kjo nuk ka ndodhur edhe me komunitetin serb," thotë kryetari i Kuvendit Komunal të Pejës, dr.Ali Berisha.

" Komuniteti serb ka pasur vështirësi për kuptimin e realitetit të ri në Kosovë, ku të gjithë duhet të jetojnë të barabartë. Por, ajo që reklamohej, se me shpalljen e pavarësisë do të pasojë shpërngulja e komunitetit serb, kjo nuk ka ndodhur. Përkundrazi!“, vazhdon ai.

Por, sa i integruar është komuniteti serb në shoqërinë kosovare dhe sa e mirëpresin ata vullnetin e komuniteteve të tjera për një të ardhme të përbashkët, këtë përgjigje e kërkojmë në Gorazhdevc. Këtu, në njërën anë funksionojnë: Zyra Komunale për Komunitete, Zyra për Punë dhe Mirëqënie Sociale si dhe Zyra Ndërlidhese për të Drejta Ligjore, në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, shkolla fillore dhe e mesme, që zhvillojnë mësim me programe mësimore të qeverisë së Serbisë si dhe një ambulancë, e cila financohet nga qeveria e Serbisë.

„Dhe kjo është e vështirë për t´u kuptuar", thotë Slobodan Petroviçi, i cili është edhe shef i Zyrës Lokale për Komunitete. "Shkolla dhe ambulanca janë vendet kryesore për punësim: në të parën kemi të punësuar 50 vetë, ndërsa në të dytën, 20 vetë. Shkolla punon me program mësimor të Serbisë dhe asnjëherë nuk kemi pasur presion që të punojmë me program mësimor të institucioneve të Kosovës, gjë që është një shenjë tolerance. Ndërsa, të shtatë policët serbë, që i kishim të inkuadruar në Policinë e Kosovës nuk punojnë më, gjë e cila për mua është e pakuptimtë, si refuzon njeriu të punojë në vendin e vet, në fshatin e vet, kur për punë të tjerët shkojnë edhe në Afrikë?“

Ambulanca e Gorazhdevcit është në kuadër të Qendrës Shëndetsore në veri të Mitrovicës, e financuar nga Ministria e Shëndetsisë së Serbisë.

Në ambulancë kemi prezencë të përhershme të dy mjekëve dhe dy infermiereve. Pacientëve ndihma e parë u ofrohet në Pejë, ku janë laboratoret për analiza, por rastet e rënda transferohen në pjesën veriore të Mitrovicës. Se, edhe pse Spitali i Pejës ka ofruar shërbimet e tija, ato shfrytëzohen shumë rrallë, sepse edhe më tej mungon besimi i komunitetit serb te personeli shqiptar. Se sigurisht, udhëtimi deri në Mitrovicë për një të sëmurë në gjendje kritike nuk është zgjidhja më e mirë“.

Por, a kanë provuar banorët e këtij fshati të orientohen nga institucionet e Republikës së Kosovës, banorë të së cilës edhe janë?

„Pa, shihni! Pikë së pari, pagat e vogla të institucioneve të Kosovës nuk janë joshëse", përgjigjet Petroviçi. P.sh., kur qeveria e Kosovës ofron 200 euro për mjekun në Pejë dhe qeveria e Serbisë ofron 700-800 euro këtu në Gorazhdevc, për kë do të punonit më parë, në një profesion problematik dhe me përgjegjësi, i cili në këtë situatë merr edhe ngjyrim politik? Dhe, përderisa qeveria e Kosovës paguan në mënyrë kaq të mjerë, nuk mund të presë që institucionet e saj të funksionojnë si duhet“, përgjigjet Petroviçi.

Ai nuk do t´ia dijë, në është kjo pafuqi e qeverisë së Kosovës për të ofruar më shumë për të gjithë qytetarët e saj, apo mençuri e Qeverisë së Serbisë, për të dhënë më tepër se ka, për t´i mbajtur peng serbët e Kosovës, shumica prej të cilëve edhe pa këtë vazhdojnë të jenë kthyer nga Beogradi.

  • Data 17.03.2009
  • Autor Ajete Beqiraj/ Pejë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HEIk
  • Data 17.03.2009
  • Autor Ajete Beqiraj/ Pejë
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HEIk