1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si i sponsorizon Perëndimi reformat në Ukrainë

Spencer Kimball / Vilma Filaj-Ballvora9 Maj 2014

Pas aneksimit të gadishullit të Krimesë nga Rusia, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë premtuar ndihma miliardëshe qeverisë së tranzicionit në Ukrainë. Kievi duhet t'i bëjë ballë konfrontimit ekonomik dhe politik me Moskën.

https://p.dw.com/p/1BvrG
Symbolbild EU Ukraine Fahnen
Fotografi: picture-alliance/dpa

Qeveria ukrainase e tranzicionit gjithësesi ka vështirësi financiare. E nderkohë ajo po ndërmerr edhe një luftë me kosto të lartë kundër forcave të armatosura pro-ruse në lindje të vendit. Shtetet perëndimore prej javësh kanë ofruar ndihmë, madje një pjesë e parë e kësaj ndihme edhe është lëvruar. Të mërkurën(07.05.2014) mbërriti në Bankën Qendrore të Ukrainës shuma e parë prej 2,29 miliardë eurosh nga FMN-ja. Ky është kësti i parë i një pakete shpëtimi me volum më shumë se 12 miliardë euro. Me mbërritjen e këtyre parave Kievi i ka përmbushur edhe kushtet për ndihma të mëtejshme, kësaj here prej Bashkimit Europian. Gjithsej bëhet fjalë për edhe 11 miliardë euro të tjera.

Miliona nga SHBA-ja

Mbështetje vjen edhe nga SHBA-ja. Kongresi ka miratuar kredi në vlerën mbi 700 milionë euro. 50 milionë dollarë janë vënë shtesë në dispiozicion, për të mbështetur demokracinë në Ukrainë. Ndër të tjera paratë duhet të ndihmojnë, për financimin e zgjedhjeve më 25 maj si dhe për mediet e pavarura në vend.
Ndërkohë Uashingtoni ka miratuar edhe një ndihmë prej 100 milionë dollarësh për bashkëpunimin për sigurinë me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, prej nga përfiton direkt edhe Ukraina. Kjo ndihmë parashikon forcimin e kapaciteteve të inteligjencës dhe të mbrojtjes në rajon. Një fond ky që parashikon financimin e "shërbimeve dhe mallrave për mbrojtjen" si dhe stërvitje në vendet e rajonit dhe në Ukrainë. Por "mallra mbrojtjeje" mund të përfshijnë edhe armë, municione, automjete dhe shërbimet mund të jenë mbështeje teknike, stërvitje, konsulencë dhe mjete komunikimi. Megjithatë shumë ekspertë nuk besojnë, që SHBA-ja mund të furnizojë armë në Ukrainë. Jennifer Moroney nga qendra Rand Corporation e SHBA-së thotë në intervistë për Deutsche Welle-n, se nuk beson që SHBA-ja të dërgojë armë në Ukrainë, edhe pse një gjë të tillë e kanë kërkuar disa senatorë republikanë. "Një hap i tillë do të ndryshonte gjithçka dhe do të dërgonte një sinjal të qartë ndaj Rusisë, që SHBA-ja po bëhet pjesë e veprimeve luftarake."
"SHBA-ja ka dhënë para, por tek e fundit Ukraina është një çështje e BE-së", mendon Amanda Paul nga qendra European Policy në Bruksel. "Ukrainasit kanë protestuar nën flamurin e BE-së, ndaj është detyrë e BE-së, që ta mbështesë Ukrainën në procesin e saj të reformave."

Paketa ndihmash me kushte

Ndihmat e BE-së dhe të FMN-së lidhen me disa kushte. Qeveria e tranzicionit duhet të përparojë me përmirësime në fusha të ndryshme, ndër të tjera në luftën kundër korrupsionit dhe në krijimin e më shumë transparence. Në Komisionin e BE-së thuhet, se Kievi duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë dhe shtetin ligjor.
"Këto para ndihmash në shuma që s'kanë ekzistuar ndonjëherë janë në kontekstin e nënshkrimit dhe futjes në fuqi të marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me BE-në", thotë Peter Stano, zëdhënës i komisarit të BE-së për zgjerimin, Stefan Füle.

Mbikqyrja e shumave miliardëshe

BE-ja mban në dispozicion 1,6 miliardë euro, në mënyrë që Ukraina të mund të shlyejë borxhet e para, ndoshta edhe një pjesë të borxheve ndaj Rusisë për gazin. Brukseli ka dërguar një ekip në Kiev, i cili duhet të verifikojë se sa para i duhen vërtetë qeverisë së tranzicionit, deklaron Simon O´Conner nga Komisionii BE-së.
1,4 miliardë euro të tjera do të pasojnë në shtatë vitet e ardhshme, për të forcuar në vend institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Edhe për zhvillimin e infrastrukturës në Ukrainë në afatgjatë duhet të vihen në dispozicion shuma miliardëshe prej bankave të ndryshme europiane. BE-ja do që të bashkëvendosë pjesërisht se cilat projekte duhet të financohen vërtetë. "Ne kemi njerëz në vend, të cilët mbikqyrin çdo hap", thotë zëdhënësi i komisarit Füle, Peter Stano për DW.