1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si e mbron Rusia Sirinë

Alexander Warkentin / Angelina Verbica28 Gusht 2013

"Terroristë" dhe "islamistë". Kështu i cilësojnë mediat e kontrolluara nga shteti në Rusi të gjithë kundërshtarët e presidentit sirian Bashar el Asad. Ai e falendëron Putinin në intervista, duke e lavdëruar atë.

https://p.dw.com/p/19XyE
Fotografi: Fotolia/Irina Fischer

Prej gati dy vjetësh e gjysëm Rusia së bashku me Kinën pengojnë në Këshillin e Sigurimit të gjitha përpjekjet për vendosjen e sanksioneve më të forta kundër regjimit të Asadit në Siri. Rusia dhe Irani armatosin ushtrinë e Asadit në luftë kundër popullsisë së vet. Edhe njoftimet për përdorimin e supozuar të armëve kimike në një periferi të Damaskut nuk kanë ndryshuar asgjë në qëndrimin rus.

Pak orë pas akuzës për gaz toksik në Siri ministria e Jashtme ruse deklaroi për agjencinë e lajmeve "Interfax": "Herët në mengjesin e 21 gushtit prej pozicioneve të kryengritësve u kryen sulme me një raketë të prodhuar vetë, e cila përmbante një substancë kimike toksike, e cila nuk është e përcaktuar saktësisht. Kjo e gjitha të bën të supozosh, se për të disatën herë kemi të bëjmë me një provokim të planifikuar."

Në foto, Sergej Lavrov
Në foto, Sergej LavrovFotografi: AP

Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov deklaroi me 26 gusht në një konferencë për shtyp: "Po nxitet një histeri, një konfrontim për shkak të lajmeve se qeveria ka përdorur armë kimike." Ka madje edhe kërcënime për dhunë ushtarake ndaj regjimit të Asadit. Uashingtoni, Londra dhe Parisi flasin për "dëshmi të pakundërshtueshme". "Por ato nuk mund t'i ofrojnë këto dëshmi. Megjithatë thuhet se 'linja e kuqe' është tejkaluar dhe nuk duhet hezituar më", tha ministri i Jashtëm rus.

Kritikë e ashpër ndaj SHBA

Politologët e afërt me Kremlinin akuzojnë SHBA dhe aleatët e tyre për interesa të pandershme. Botuesi i revistës "Rusia në politikën globale", Fjodor Lukjanov, citohet në gazetën "Kommersant": "Bashar al-Asadi dhe gjeneralët e tij duhet të ishin të çmendur, që pikërisht tani ta vinin vetën në shënjestër, duke përdorur armë kimike kundër popullsisë civile. Por opozitës, që s'ka arritur suksese të dukshme, skandali i armëve kimike i vjen shumë përshtat. Eshtë e paimagjinueshme, që komisioni ndërkombëtar të shpallë fajtorë kundërshtarët e Asadit."

Kryetari i komisionit të jashtëm të Dumës ruse, Aleksej Pushkov, tha në televizionin "Rossija 24", se SHBA janë në prag të një lufte: "Ata e kanë shpallur Asadin fajtor, përpara se të kishin rezultatet e inspektorëve të OKB-së. Kjo do të thotë, se pala amerikane do të pranojë vetëm dënimin."

Politologu rus, prorektori i universitetit Plehanov, Sergei Markov, shkruan në faqen e internetit të radios liberale "Echo Moskvy": "Provokimet kundër Sirisë do të përfundojnë sipas modelit irakian, me njoftime të rreme për armët e shkatërrimit në masë. Lufta kundër Sirisë do të ndjekë skenarin libian, bombardime dhe mbështetje të rebelëve. Kolegët tanë në perëndim nuk kanë kurrfarë rezervash morale, kur është fjala për interesat e tyre", thotë Markov.

Moska në valë të njëjta me Asadin

Në foto, Bashar al-Assad
Në foto, Bashar al-AssadFotografi: Reuters

Marrëveshje të panumërta e lidhin Rusinë me Sirinë. Në një intervistë të gjatë ekskluzive me gazetën ruse"Izvestija", të afërt me qeverinë Asadi lavdron Moskën për respektimin e marrëveshjeve të lidhura me Sirinë. Intervista tregon qartë, se sa shumë pajtohen pozicionet ruse me atë të kryetarit të shtetit sirian në përzgjedhjen e fjalëve dhe argumentave. Edhe për Asadin të gjithë opozitarët në Siri janë "terrorista". Edhe ai akuzon SHBA dhe aleatët për qëllime të pandershme.

"Pas shkatërrimit të Bashkimit Sovjetik, SHBA besoi se Rusia ishte shkatërruar përgjithmonë", thotë Asad. Por që kur në pushtet është Vladimir Putin, Rusia po forcohet, mbron në mënyrë konsekuente pozitat e saj. "Qëllimi i SHBA është që të minimizojë rolin e Rusisë në botë, edhe me presion në çështjen e Sirisë. Por Rusia mbron parimet, që ndjek, prej së paku prej 100 vjetësh. Ato janë parimet e sovranitetit dhe të mospërzierjes në çështjet e shteteve të tjera", thuhet në intervistën e Asadit për gazetën e "Izvestija".