1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Si duhet të zhvillohet tërheqja nga Afganistani?

Tërheqje e rregullt nga Afganistani (ky është synimi). Mirëpo, ta organizosh atë nuk është aq e lehtë, pasi disa anëtarë të NATO-s e kanë me dorëzimin e përgjegjësisë më me nxitim se çmendohej.

Takimi i NATO-s në Bruksel

Takimi i NATO-s në Bruksel

Franca do t'i tërheqë trupat e saj deri në fund të 2013 komplet nga Afganistani. Këtë e pati bërë të ditur në janar presidenti francez Nicolas Sarkozy, pasi katër ushtarë francezë ishin vrarë prej një pjesëtari të forcave afgane të sigurisë. Ministri amerikan i mbrojtjes Leon Panetta shkoi më tej në takimin me kolegët e tij të NATO-s të enjten në Bruksel (02.02.2012). Dua që trupat amerikane të tërhiqen nga angazhimet luftarake në mes të 2013-s dhe të zhvendosen përqendrohen te mbështetja dhe instruktimi, tha ai.

SHBA-ja do t'u japë fund misioneve të luftimit në 2013-n

Anders Fogh Rasmussen

Anders Fogh Rasmussen

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, nxitoi të siguronte se kjo nuk është strategji e re. "Procesi i kalimit do të vazhdojë sivjet pa ndryshuar. Ne presim që deri në mes të 2013-ës të gjitha provincat t'u dorëzohen forcave afgane të sigurisë. Nga ai moment forcat afgane do të jenë përgjegjëse për sigurinë në gjithë vendin. Dhe prej këtij çasti roli i trupave tona do të ndryshojë nga mision luftarak në mbështetje. Në fakt kjo nuk ëhtë gjë e re."

Sesi dhe në ç'hapa do të zhvillohej tërheqja e trupave, këtë shtetet e NATO-s nuk e patën përcaktuar deri tani. Me planin e tij kohor ministri amerikan i Mbrojtjes Leon Panetta dha tani direktiva të qarta. Shtetet e tjera të NATO-s vetëm sa mund të miratojnë, pasi në fund të fundit trupat amerikane përbëjnë rreth 90 për qind të njësive luftuese në Afganistan. Presidenti amerikan Barack Obama gjendet në fushatë zgjedhore dhe do të tregojë suksese. Ai francez gjithashtu. Ministri britanik i Mbrojtjes Philip Hammond paralajmëroi një skenar tërheqjeje të ngjashëm me atë të kolegut të tij amerikan.

Kontingjentin e tretë më të madh të trupave në Afganistan e ka Gjermania me 4.700 ushtarë. Ministri gjerman i mbrojtjes Thomas de Maiziere nuk deshi të dallonte afrim të datës së tërheqjes në planet kohore të Francës dhe të SHBA-së. Megjithatë, edhe Bundeswehri do të ndryshojë vend gjatë vitit 2013 "nga ulësja e shoferit në atë të pasagjerit" dhe vetëm do të mbështesë e stërvisë trupat afgane të sigurisë, tha de Maiziere.

Dyshime në forcat afgane të sigurisë

Ushtar afgan në luftime kundër kryengritësve në Kandahar

Ushtar afgan në luftime kundër kryengritësve në Kandahar

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, tha në Bruksel se që sot rreth 40 për qind e misioneve luftarake kryhen nga ushtria afgane dhe ajo ka përgjegjësinë. Për 18 muaj do të jenë 100 për qind, tha ai. Paralelisht me tërheqjen ISAF-i vazhdon të aftësojë ushtarëdhe policë afganë. Sipas të dhënave nga shtabi qendror i NATO-s në Bruksel, ushtria afgane ka aktualisht 176.000 ushtarë. Policia arrin një forcë prej 143.000 personash. 97 për qind e forcave të sigurisë janë burra, tre për qind janë gra. Në fund të këtij viti forcat e sigurisë do të arrijnë në 352.000 vetë.

Rreth 32 për qind e ushtarëve dhe policëve afganë nuk dinë as shkrim as lexim. Aftësimi zgjat vetëm pak javë. Vazhdimisht nga brendapërbrenda forcave të sigurisë kryhen atentate ndaj ushtarëve të huaj. Përballë shifrave zyrtare nga shtabi qendror qëndron një studim i NATO-s për të cilin u mësua të mërkurën (01.02.12). Në dokumentin sekret thuhet se atje ku trupa mbrojtëse ISAF është tërhequr tashmë, luftëtarët radikalë islamikë talibanë ia kanë dalë ta zgjerojnë përsëri ndikimin e tyre. Si dhe: Në këto përpjekje talibanët hasin në rezistencë të vogël nga ana e forcave lokale të sigurisë.

Autor: Bernd Riegert / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM