1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Si duhet të zgjidhet Presidenti i Republikës në të ardhmen? -Përpjekje në Tiranë për të zhvilluar referendum popullor

Ani Ruci 30 Prill 2008

Mënyra e zgjedhjes së Presidentit të Republikës vazhdon të trazojë ujërat e politikës së Tiranës dhe të thellojë shkëputjen e PS nga partitë deri dje aleate, në të njëjtin front opozitar.

https://p.dw.com/p/Dr6a
Tirana ParlamentiFotografi: AP

Ndryshimi kushtetues, i ideuar nga demokratët e Berishës dhe i miratuar javën e kaluar me votën pro të socialistëve të Edi Ramës, për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit kundërshtohet nga partitë e vogla opozitare. Ky ndryshim bën të mundur që Presidenti te zgjidhet edhe me nje shumicë të thjeshtë prej 50 plus 1 votash ose me 71 vota në një Parlament si i Shqipërisë, i përbërë prej 140 deputetësh.

Para këtij ndryshimi në rast se zgjedhja e Presidentit dështonte në tri raundet e para me 3/5 e votave, pra me 84 vota, atëhere plaste kriza presidenciale, Parlamenti shpërndahej dhe vendi shkonte në zgjedhje të parakohshme. Por ndryshimi i javës së kaluar shmang krizën pasi bën të mundur zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë, pra edhe pa votën e opozitës, cilado qoftë ajo, përderisa 71 vota zakonisht i kanë maxhorancat.

Vlerësimi i opinionit të pavarur

Opinionistët e pavarur të Tiranës e kanë cilësuar ndryshimin e mësipërm në Kushtetutë një „Gërdec" konstuicional që çon drejt „zeros" parlamentarizmin dhe peshën e opozitës në Parlament. Për ta ndryshuar këtë situatë Lëvizja Socialiste për Integrim, (LSI) filloi mbrëmë zyrtarisht realizimin e nismës së saj për të mbledhur firmat e 28 deputetëve pse 1/5 së Parlamentit dhe të organizojë një referendum popullor për të miratuar nga populli mënyrën e zgjedhjes së Presidentit.

Ilir Meta, kryetar i LSI kërkoi deputetëve të gjithë spektrit parlamentar të përqafojnë nismën e tij: „ I bëj thirrje ndërgjegjes së deputetëve, tha Ilir Meta, që të mos shkelim votat që i kanë sjellë në Parlament si edhe votat që populli dha për miratimin e Kushtetutës së vitit 1998."

Konflikte brenda koalicionit të majtë

Socilademokratët janë forca e parë politike opozitare që iu bashkua pa mëdyshje nismës së Ilir Metës. Kreu i tyre Skënder Gjinushi: „Përderisa zgjedhja e Presidentit të Republikës përbën një nga shtyllat konstitucionale është e nevojshme qe për atë, të pyetet edhe populli. Ne pranojmë referendumin." tha

Kreu i LSI i kja dërguar edhe një letër të hapur liderit socialist Edi Rama ku i kërkon të bashkëpunojë për të kryer referendumin popullor lidhur me zgjedhjen e Presidentit. Ky bashkëpunim kushtëzon edhe marrdhënuiet me PS në të ardhmen. Ilir Meta doli nga koalicioni opozitar kohë më parë para se të bëheshin ndryshimet kushtetuese. Sipas ish-kryeministrit socialist, Ilir Meta koalicioni kishte pushuar së ekzistuari përderisa partitë e vogla nuk pyeteshin për çështje të rëndësishme, në krye tëtë cilave qëndronte reforma zgjedhore. Por akuzat e tij ndaj Edi Ramës janë ashpërsuar pas votës pro të socialistëve për ndryshimert kushtetuese. Meta e akuzon Ramën se „ bashkëpunon me Berishën, në dëm të interesave të së majtës dhe në favor të pushtetit personal."