1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Si bëhet kontrolli i shqiptarëve në hapësirën Shengen

Të paktë janë pasagjerët shqiptarë që kanë kaluar pikat e kontrollit në aeroportin e Mynihut dy ditët e fundit. Dhe policët nëpër e kontrollit nuk e kanë shumë të qartë se cilat dokumente duhet t'u kërkojnë shqiptarëve.

Aeroporti i Mynihut

Aeroporti i Mynihut, pika kontrollit

Në orën 14:27 avioni i Lufthansës shkel pistën e aeroportit Franz Josef Strauss në Mynih. Lumturia 52-vjeçare nga Tirana ka ardhur të kalojë krishtlindjet në Gjermani, tek e bija. “E prenotova biletën, sapo thanë në televizor që do na heqin vizat dhe ja erdha”, thotë ajo. Por edhe pa viza kalimi në postbllokun e Mynihut nuk është i lehtë.

Disa nga nëpunësit e njohin Shqipërinë edhe ndryshe, nga vitet 90-të. “Unë atëherë shoqëroja avionin e Lufthansës për në Tiranë dhe i përzgjidhja pasagjerët që aty, sepse shumica e pasaportave ishin të falsifikuara”, kujton një oficer i policisë kufitare.

Lumturija është trupvogël dhe kur i afrohet kontrollit të pasaportave i duket vetëm gjysma e kokës. “Ju flisni anglisht?” Pyet polici. Ajo ngre supet dhe shikon rreth e përqark. Një bashkatdhetare që jeton prej shumë vitesh në Gjermani, e që sapo ka kaluar kontrollin, kthehet për t'i ardhur në ndihmë. “Po shkon tek e bija, në Lajpcig”, thotë ajo. “Sa do të rrijë?” “Dy javë”. Lumturia nxjerr një tufë letrash që ka marrë me vete: Sigurimin, dëshminë e së bijës që është në shkollë, biletën e kthimit. “Po garancinë?” pyet polici. “Çfarë garancie?” reagon çuditur bashkudhëtarja e Lumturies në gjermanisht. "Po ju kush jeni?", kujtohet polici. “Unë e kam shoqe”, thotë ajo dhe po e ndihmoj.

Lumturija nxjerr edhe një letër tjetër: Ftesën që i ka bërë e bija. “Po kjo nuk është garanci”, thotë polici. Ai mendohet një hop, por pastaj vë vulën. Pastaj i kthehet kolegut: Sikur nuk kanë më nevojë për garanci shqiptarët? Ai s'përgjigjet.

Lumturija, një nga pasagjerët e parë që mbërrin në Mynih

Lumturija, një nga pasagjerët e parë që mbërrin në Mynih

Çfarë ndodh nëse dikush nuk i ka në rregull dokumentet. “Në këto raste vihemi në kontakt me atë që e pret përjashta”, thotë polici. Ka pasur raste kur dikë e keni kthyer mbrapsht meqënëse nuk e kishte biletën e kthimit? Po, por jo nga shqiptarët”, thotë ai. “Ata pesë a gjashtë që kisha unë sot ishin të tërë me dokumente në rregull. Është ende herët”, shton dhe qesh, thua se është i bindur që nuk do të vonojnë shumë dhe do të fillojnë parregullsitë e para.

Tek sporteli afrohet pasagjeri i fundit i Lufthansës nga Tirana: Polici stepet për një moment, kur nuk sheh pasaportën biometrike. Ai shfleton dokumentin në ngjyrë të kuqe të ndezur. “Ku e keni vizën?” pyet. “Për Kroaci nuk na duhen viza”, përgjigjet pasagjeri në anglisht. Polici rrudh ballin. “Po këtu nuk jemi në Kroaci, por në Gjermani”, thotë ai i çuditur. Pasagjeri i tregon biletën për në Zagreb. “Ah, atëherë ju duhet të kaloni në hyrjen H”- i thotë duke treguar drejtimin. Pasagjeri kërkon falje dhe merr rrugën drejt tranzitit të vendeve që nuk janë pjesë e hapësirës Schengen. Nëpunësi kufitar merr frymë thellë dhe kthehet nga kolegu me buzëqeshje: “Këtë radhë shpëtoi”.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Aida Cama

  • Data 17.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QeTL
  • Data 17.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QeTL