1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Si bëhen zgjedhjet në Gjermani?

A do të fitojë Angela Merkel, apo Peer Steinbrück? Megjithëse ato përmenden nga të gjithë, jo kudo në Gjermani votohet për to. Sepse në zgjedhjet parlamentare zgjidhen në rradhë të parë partitë.

Ai që nuk është anëtar i ndonjë partie, ka për fat të keq pak shanse për të hyrë në parlament dhe për t'u bërë njëri nga rreth 600 anëtarët e tij." Këtë shpjegim i dha së fundi një cicerone në Bundestag një vizitoreje të re. Ajo kishte pyetur, se si mund të hynte aty, për t'u angazhuar politikisht për qytetarët.

Për të hyrë në Bundestag si person i vetëm, pa mbështetjen e një partie, nevojitet një aprovim i madh. Edhe në kushtetutë thuhet se: "Partitë politike ndikojnë në formimin e vullnetit politik." Ndërkohë shumë politologë pranojnë se partitë jo vetëm ndikojnë, ato edhe përcaktojnë të vetme se kush mund të bëjë politikë. Dhe kjo lidhet me sistemin elektoral gjerman, me votat e para dhe të dyta. Por edhe një herë nga fillimi.

Të drejtë për të votuar kanë gratë dhe burrat me nënshtetësi gjermane, që janë të paktën 18 vjeç, ose më shumë. Aktualisht të drejtë për votuar kanë 61, 8 milionë gjermanë, ndër to tre milionë votojnë për herë të parë. Këto shifra janë mbledhur nga Zyra Federale e Statistikave, drejtori i së cilës organizon në të njëjtën kohë edhe zgjedhjet parlamentare.

Në parlament përfaqësohen vetëm ato parti, që marrin më shumë se 5% të votave

Në parlament përfaqësohen vetëm ato parti, që marrin më shumë se 5% të votave

Tek drejtuesi i zgjedhjeve federale duhet të paraqiten të gjitha partitë, të cilat konkurrojnë për zgjedhje. Për aq kohë sa shoqatat politike njohin demokracinë, kushtetutën dhe parimin e sundimit të shtetit juridik, ato nuk refuzohen. Edhe sikur disa prej qëllimeve të tyre ndonjë vëzhguesi mund t'i duken absurde. Kështu më 22 shtator 2013 mund të votohet për gjithsej 34 parti. Ndërkohë në Bundestag janë të përfaqësuara gjashtë parti: CDU dhe CSU, SPD, FDP, të Gjelbërit dhe Partia e Majtë.

Rregullat e lojës konsiderohen prej 30 vjetësh të suksesshme

Teorikisht përveç partive të mëdha në parlament mund të hyjnë edhe shumë parti të vogla. Por meqenëse në një demokraci ligjet duhet të miratohen nga shumicat, disa parti shumë të vogla do të duhej të riorganizoheshin në aleanca. Themeluesit e Republikës Federale të Gjermanisë i frikësoheshin situatave tepër kaotike, si ato të vitit 1920. Ata donin që nga zgjedhjet të dilte një parlament me një orientim të qartë për katër vitet e ardhshme dhe një qeveri mundësisht e qëndrueshme. Kështu u vendos, që përfaqësues në parlament të dërgojnë vetëm ato parti, që marrin më shumë se pesë për qind të votave. U krijua i ashtuquajturi "pragu i pesë përqindëshit."

Përveç kësaj duhet të ketë një përzierje mes përfaqësimit maxhoritar dhe proporcional. Nuk duhet të ketë vetëm parti anonime, që negociojnë brenda partisë për kandidatët. Qytetarët duhet të kenë mundësi të zgjedhin edhe direkt politikanët. Ideja është se shumë njerëz nga mjedisi i tyre shpesh kanë dëshmuar se angazhohen për qytetarët si politikanë. Kjo krijon afërsi me politikën. Në Gjermani ka 299 zona zgjedhore, në të cilat përfaqësuesit e partive zgjidhen në mënyrë direkte. Kështu që fletëvotimet në Gjermani kanë dy pjesë, një për votën e parë dhe një për votën dytë. Ky sistem zgjedhor ka ndryshuar pak në 60 vitet e fundit.

Numërimi i votave

Numërimi i votave

Fletë votimi për dy vota

Në të vërtetë çdo gjerman ka të drejtë të japë dy vota. Me "votën e parë" zgjedh politikanin e një partie, të cilin e konsideron si përfaqësuesin më të mirë për parlament nga zona e tij elektorale. Këtu bëhet fjalë për një person konkret. Nga çdo zonë zgjedhore dërgohet në Bundestag vetëm kandidati, që ka marrë shumicën e votave, vlen pra parimi i votimit të shumicës.

"Vota e dytë" është në fakt vota më e rëndësishme. "Me votën e dytë" merret vendimi për një parti të caktuar. Sa më shumë vota merr një parti, aq më shumë është e përfaqësuar ajo në parlament, aq më shumë deputetë mund të dërgojë kjo parti. Këtu zgjedhësi vendos raportin e partive me njëra-tjetrën. Sipas pjesës së votave të gjitha partitë mbeten në garë. Asnjë shans nuk kanë ato parti, që marrin më pak se pesë për qind të të gjitha votave.

Nga rezultatet e marra nga vota e parë dhe e dytë, me nga gjysmën, përcaktohet numri i deputetëve, që do të ulen në Bundestag.