1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shuplakë e rëndë kundër Ukrainës

48 persona kanë vdekur para një viti e gjysmë në Odesa. Deri më sot nuk është sqaruar fati i tyre. Autoritetet kanë dështuar por ky nuk është shkaku i vetëm për shqetësim, mendon Bernd Johann.

Raporti i grupit të ekspertëve nga Këshilli i Evropës është një shuplakë për autoritetet në Odesa. Por ajo godet edhe Prokurorinë e përgjithshme dhe Ministrinë e Brendshme në Ukrainë, të cilat i kanë drejtuar hetimet. Mesazhi i grupit të ekspertëve nga Këshilli i Evropës ishte i qartë dhe pa dyshime: në rastin e hetimeve të vrasjeve gjatë zjarrit të tmerrshëm në godinën e sindikatës, në kohën e luftimeve në Odesa me 2 maj 2014, janë bërë lëshime në të gjitha anët.

Hetimet kanë qenë të pasuksesshme dhe të vonuara shumë. Procesi nuk ka qenë në përputhje me konventën e të drejtave të njeriut. Besimi në sistemin juridik të Ukrainës është dëmtuar. Tragjedia ka lënë pasoja të rënda në shoqëri, thuhet në raport.

Kritikat ndaj policisë dhe drejtësisë

Ekspertët e thonë me fjalë të qarta se Ukraina ende nuk funksionon si një shtet juridik dhe është shumë larg vlerave evropiane. Ata rikujtojnë se hetimet dhe procesi kanë dështuar. Familjarët ende presin drejtësinë. Sërish ka hapsirë për spekulime dhe teori komploti, për shkaqet e tragjedisë nga e cila qyteti ende nuk është qetësuar.

Bernd Johann

Bernd Johann

Për dhunën e majit 2014 edhe policia ka një masë të madhe përgjegjësie. Ajo ka ndërhyrë me rastin e përleshjeve të dhunshme mes kundërshtarëve të qeverisë dhe autoriteteve në Odesa. Por deri më sot askush nuk është nxjerrë para drejtësisë.

Vdekja e mundimshme e shumë demonstruesve prorusë në zjarret e shkaktuara në godinën e sindikatave u ka dhënë asokohe argumente të fuqishme jo vetëm seperatistëve në Lindje, por edhe Kremlinit dhe Moskës, për pohimet se nacionalistët ukrainas kanë nisur gjahun kundër atyre që mendojnë ndryshe. Do të ishte në interesin e Ukrainës që të zbulohet se çfarë ka ndodhur në Odesa. Por deri më tani nuk ka ndodhur asgjë.

Dëshmiti i politikës

Në veçanti të rënda janë akuzat për njëanshmëri dhe mungesë pavarësie të organeve juridike, të cilat theksohen në raportin e Këshillit të Evropës. Emrat e përgjegjësve nuk përmenden. Megjithatë është e qartë se këtu nuk mendohet tek autoritetet lokale në Odesa, por tek organet e sigurisë dhe drejtësisë në Kiev dhe në ministritë përkatëse të Ukrainës. Ato është dashur të merren me përpunimin e tragjedisë.

Gjendja është mbajtur nën kontroll asokohe vetëm duke i falënderuar reagimeve të matura të njerëzve në Odesa. Ata nuk kanë lejuar që gjendja të dal jashtë kontrolli. Ndryshe në këtë qytet në bregdetin e Detit të Zi ka mundur të shkallëzojë gjendja dhe luftimet me seperatistët. Politika dhe organet e sigurisë edhe më tej duhet të përballen me pyetjen: pse nuk janë zbardhur ngjarjet dhe pse janë bllokuar hetimet për vrasjet në Odesa?