1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shumica parlamentare nuk aprovon nismën për ndryshimin e Kodit zgjedhor

19 Janar 2011

Mazhoranca parlamentare në Maqedoni nuk ka shprehur gatishmëri për ndyshimin e Kodit zgjedhor me të cilin do të garantoheshin 10 vende të deputetëve për bashkësitë më të vogla etnike.

https://p.dw.com/p/zzXU
Parlamenti maqedonasFotografi: Petr Stojanovski

Edhe iniciativa e dytë brenda tetë muajve për tu ndryshuar Kodi zgjedhor, me të cilin do të garantoheshin dhjetë vende për deputetë të bashkësive më të vogla etnike në rastin konkret për pakicën turke, serbe, rome, boshnjake dhe vllehe nuk ka marrë pëlqimin e shumicës parlamentare. Ndryshimi i Kodit zgjedhor për garantimin e dhjetë vendeve të deputeteve për bashkësitë e vogla etnike, ishte inicuar nga partia më e madhe opozitare maqedonase LSDM.

Koordinatorja e grupit parlamentar të social demokratëve Cvetanka Ivanova, shpreh keqardhje për interpretimin në mënyra të ndryshme të kësaj iniciative nga kampet politike. Sipas saj nuk bëhet fjalë as për manipulim e as për keqpërdorim të bashkësive më të vogla etnike, por për vendosjen e një mekanizmi juridik me të cilin do të dëgjohej edhe fjala e bashkësive më të vogla në parlamentin e Maqedonisë. “Është fakt dëshpërues që VMRO-DPMNE nuk pranon ndryshimin e Kodit zgjedhor kur dihet se një nga premtimet para zgjedhore të kësaj partie ka qenë edhe garantimin i dhjetë vendeve të deputetëve për bashkësitë më të vogla etnike”, thotë Cvetanka Ivanova deputete e social demokratëve.

Wahl in Mazedonien
Zgjedhje në MaqedoniFotografi: AP

VMRO -DPMNE nuk është kundër garantimit të vendeve për deputetët e bashkësive më të vogla etnike por është kundër menyrës që Kodi zgjedhor të ndryshohet me imponim, thotë deputeti i kësaj partie Zoran Petreski. “Ne nuk kemi konsensus mes subjekteve politike dhe as pajtim mes partive politike që të pranohet ndryshimi i Kodit zgjedhor, për një gjë të tillë duhet një konsensus i gjerë politik,” thotë Zoran Petreski.

Partia shqiptare në pushtet BDI, në parim mbështet idenë për garantimin e vendeve të deputeteve për bashkësitë më të vogla etnike, por sipas deputetit Rafis Haliti partitë shqiptare duhet të sigurohen se me rritjen e numrit të deputetëve nga bashkësit më të vogla etnike joshqiptare nuk do të rrezikohet votimi sipas parimit të Badenterit, me të cilin vota e deputetëve shqiptare është vendimtare për ligjet që duhet të miratohen me një të tretën e votave të parlamentit. “Është koha e fundit që me të vërtetë të kemi qasje serioze. Kemi kërkuar dhe kërkojme zgjedhje, jemi parimor ne qëndrimet tona qoftë në kohën kur kemi qenë opozitë qoftë tani në pozitë,” thotë Rafiz Haliti.

Wahlen in Mazedonien DUI Plakat
Poster i partisë shqiptare në pushtet BDIFotografi: AP

Deputeti i partisë boshnjake për Aksion Demokratik, Avdia Pepiç, thotë se tek bashkësitë e vogla etnike nuk ekziston dilema nëse duhet të ketë vende të garantuara për minoritetet në parlament. Këtë të drejtë ai e mbështet edhe në kushtetutën aktuale, sipas së cilës në të gjitha institucionet e shtetit minoritetet duhet të jenë të përfaqësuar në mënyrë të drejtë dhe adekuate. “Për garantimin e vendeve të deputetëve për bashkësit më të vogla etnike imponohet nevoja për arritjen e një konsensusi më të gjërë midis partive politike të cilat do të garantonin se nuk cenohet parimi i votimit sipas Badenterit,“ thotë deputeti boshnjak Avdia Pepiç.

Autor: Fatos Musliu

Redaktoi: Aida Cama