1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shumëllojshmëria siguron mbijetesën

Në Bon nis të hënën (19 maj) një konferencë e Kombeve të Bashkuara për shumëllojshmërinë biologjike. Rreth 6000 delegatë nga 190 vende do të diskutojnë si të frenohet shkatërrimi i vazhdueshëm i natyrës

Public Festival of Diversity, aktivitet në Bon

Public Festival of Diversity, aktivitet në Bon

Sepse ky është qëllimi i konventës për shumëllojshmërinë biologjike, të vendosur në samitin e rruzullit në vitin1992 në Rio de Janeiro. Në të parashikohet që deri në vitin 2010 të pakësohet dukshëm dobësimi i biodiversitetit. Ky objektiv duket sikur nuk është arritur aspak.

Ende sot gjysma e ilaçeve të lejuara në Gjermani bazohen në materiale bimore. E thënë më globalisht: Rreth 40 përqind e tregtisë botërore bazohen në prodhime dhe procese biologjike. Ushqime, ilaçe, materiale ndërtimi apo bioenergji - të gjitha këto nuk janë të paramendueshme pa larminë e llojeve. Nqs zhduket larmia, dhe kjo ndodh me shpejtësi marramendëse, vihen në lojë bazat e mbijetesës së njerëzimit. Sigmar Gabriel, ministri gjerman i mjedisit. tha lidhur me këtë në Deutsche Welle: „Nëqoftëse ne vazhdojmë kështu në peshkimin ndërkombëtar, atëherë në mesin e shekullit ndoshta edhe më herët, nuk do të ketë më, e përsëris, rezerva peshku në botë, për të cilat ia vlen të bësh gjueti komerciale të peshkut. Përfytyroni, se çfarë pasojash, ka kjo për ushqimin në botë. Ne jemi nganjëherë në mijëfishin, ndoshta në dhjetëmijëfishin e nivelit të zhdukjes së natyrshme të llojeve, thjesht përmes ndikimit të njeriut."

Kapitalin tonë natyror ne e harxhojmë në një kohë rekord

Vendin e deltave të lumenjve e zënë blloqet e banesave, pyjet kthehen në stepa agrare. Humbja e llojeve dhe e biotopeve përparon shumë më shpejt nga ç´e parashikon procesi natyror. Së paku këtu të vihet freni. Ky është qëllimi kryesor i konferencës së Bonit. Deri në vitin 2010 nuk ka mbetur shumë kohë edhe nqs janë shënuar suksese të vogla, ministri gjerman i mjedisit kërkon më shumë. „Nga ana tjetër është e natyrshme, që kjo konventë, që duhet të sigurojë larminë e llojeve biologjike, tani ndodhet në udhëkryq. Ose ne do të arrijmë këtu në Bon rezultate konkrete dhe praktike, që t´i japim jetë konventës dhe të shohim sukseset e para. Ose nëqoftëse dështojmë atëherë bashkësia ndërkombëtare duhet të pyesë, se përse i aprovon ndonjë çikë konventat e tilla."

Për të vetëdijesuar opinionin mbi zhdukjen e larmisë së llojeve ashtu si në transformimin e klimës, duhet një iniciativë, si ajo që ka sjellë raporti i ekonomistit britanik Sir Nicholas Stern në debatin për klimën.

Një kapacitet të qartë financiar, që bën të qartë, se çfarë është në rrezik

Gabriel: "Një gjë të tillë përpiqemi ta bëjmë edhe në fushën e larmisë biologjike. Ne na duhet një përcaktim, se sa do t´u kushtojë fëmijëve dhe nipave tanë, nëqoftëse ne do të vazhdojmë kështu. (me shkatërrimin e llojeve). Dhe ne na duhet edhe një forum ndërkombëtar, që vëzhgon dhe vlerëson vazhdimisht zhvillimin e llojeve. Ne duhet të bëjmë atë, që kemi mundur të bëjmë në fushën e politikës së klimës, që ta vendosim çështjen në qënder të politikës. Dhe shikoni në transformimin e klimës kishte të bënte edhe me faktin se është i kërcënuar zhvillimi ekonomik. Edhe në larminë e llojeve asgjë nuk është ndryshe."

Rezultatet e para të një studimi të tillë ekonomik do të prezantohen gjatë konferencës. Ky mund të ishte celësi për mundësinë e suksesit të konferencës. Edhe kancelarja do të japë kontributin e vet. Ajo hap me 28 maj pjesën vendimtare të konferencës, ku pastaj ministrat e sektorit nga e gjithë bota do të aprovojnë dokumentin përfundimtar.

  • Data 16.05.2008
  • Autor Henrik Bëhme
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E1OU
  • Data 16.05.2008
  • Autor Henrik Bëhme
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/E1OU