1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shumë zhurmë në Beograd - Së shpejti negociatat me BE kusht njohja e Kosovës

Shtypi gjerman i kushton vëmendje zhvillimeve të fundit në Serbi dhe pakënaqësive të Beogradit. Qeveria serbe i quan të "tmerrshme" kërkesat e BE për nomralizimin e raporteve me Kosovën si shtet.

"Serbia shpreson se do të shpërblehet për angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve me refugjatët dhe ankohet për kushtet për fillimin e negociatave për ansëtarësim në BE", shkruan gazeta "Die Welt", në artikullim me titull: "Ne ndjehemi të mashtruar nga BE". "Aleksandar Vuçiq është lavdëruar shumë kohët e fundit për shkak të politikës së tij ndaj refugjatëve, ndryshe nga Hungaria dhe Kroacia, të cilat janë anëtare të BE. 'Ne kemi bërë ç'ka qenë e mundur', pohon Vuçiq, i cili shpreson se së shpejti do të fillojnë negociatat për pranim në BE... Tani erdhi lajmi nga Brukseli se të gjitha marrëveshjet që duhen arritur nënkuptojnë edhe njohjen e Kosovës. Në këtë dokument thuhet shumë qartë se cilat kushte duhet të plotësojnë Prishtina dhe Beogradi. A thua në Beograd nuk janë kuptuar kërkesat që duhen plotësuar në procesin e negociatave? Presidenti Nikoliq thotë se Serbia është mashtruar nga BE-ja. Kjo listë e re kërkesash është një ofensivë kundër krenarisë së popullit serb. Poshtërimi, krenaria dhe nderi janë fjalët kryesore që përdoren në politikën serbe për të kuptuar përshkallëzimin e fundit në raportet mes Serbisë dhe BE. Dhe megjithatë 57% e serbëve janë për anëtarësimin e vendit në BE, ndonëse kushtet nuk u pëlqejnë. 'Nuk e kuptoj pse partnerët tanë po na poshtërojnë'", citohet Vuçiq në gazetën "Die Welt".

Ndërsa në shkrimin "Shumë zhurmë në Beograd", gazeta "Süddeutsche Zeitung" konstaton se "Serbia së shpejti do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE. Por kushti kryesor ëshët njohja e Kosovës si shtet."

"Presidenti i Serbisë Tomisllav Nikoliq e ka mbrojtur së fundi epitetin që i jepet si një politikan buldozer. Nëse Serbia e njeh Kosovës, 'do të shpërthejë lufta civile", thotë ai duke shtuar se kjo është esenca e kërkesës 'brutale dhe të pashpirt' të BE-së. Serbia ndodhet në prag të hapjes së kapitullit të parë të negociatave për anëtarësim në BE. Por edhe kryeministri Vuçiq ankohet për diplomatët në Bruksel, duke i cilësuar kërkesat e BE si 'poshtëruese dhe të dhimbshme'. Qysh në fillim ka qenë e qartë që BE do të kërkojë rregullimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Por tani ka ardhur koha kur Serbia duhet të ndërmarrë hapa konkret për normalizimin e raporteve me Kosovën... Serbia nuk është e kënaqur veçanërisht me kërkesat për dobësimin e strukturave të saj në Kosovë, ku bëjnë pjesë rreth 5000 nëpunës. Serbia në të ardhmen duhet ta informojë Kosovën për punën e tyre. 'Kjo është sikur ne të ishim provincë e Kosovës", ankohet Vuçiq... Por gjendja po zien edhe në Kosovë. Serbët ankohen dhe kërkojnë më shumë të drejta. Por ata më shumë janë të shqetësuar për papunësinë se sa për humbjen e territorit", shkruan "Süddeutsche Zeitung".

Ndërsa "Die Tageszeitung" shkruan për vendimet e Bundestagut për azilin. "Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi vendosen në listën e vendeve të sigurta të origjinës. Në këtë mënyrë ato u bashkangjiten Serbisë, Bosnje-Hercegovinës dhe Maqedonisë, të cilat deri tani kanë qenë në këtë listë. Kjo nënkupton që azilërkuesit nga këto vende do të mbeten në vendstrehimet e pranit fillestar deri në zgjidhjen e kërkesave të tyre për azil", shkruan gazeta.