1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shumë pak anije lufte në Kepin e Afrikës-Piratët e zgjerojnë hapësirën e veprimit edhe në Oqeanin Indian

Anije luftarake rrahin poshtë e lart para brigjeve të Somalisë, por pirateria vazhdon.

default

Ushtarë të marinës gjermane të fregatës "Karlsruhe" në operacionin kundër piratëve

Qetësia dhe siguria nuk po arrihet të kthehen atje. Jo më larg se dje piratët rrëmbyen sërish një anije të ngarkuar me kontejnerë, këtë herë ekuipazhi përbëhej nga shtetas amerikanë. Ndërkaq marina gjermane e luftës dorëzoi në kryeqytetin-port kenian Mombasa shtatë piratë, që ishin arrestuar në fund të muajit mars. Në bazë të një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian ata dalin atje para gjyqit.

Për njëfarë kohe kishte rënë qetësia mbi zonën e piratëve në Kepin e Afrikës, por tani ata po godasin sërish. Gjashtë anije të rrëmbyera në pesë ditët e fundit, ndër to dje edhe “Maersk Alabama”, një anije-cisternë daneze me 21 amerikanë në bord. Ekuipazhi ia doli të lirohej vetë, kapiteni gjendet ende në duart e piratëve. Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka mbërritur për t'i ardhur në ndihmë 'Maersk'-ut një anije luftarake amerikane. Ja se çfarë tha në lidhje me këtë akt ministrja e Jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton

"Jemi shumë të shqetësuar për këtë akt piraterie dhe për zaptimin e anijes me 21 shtetas amerikanë. Në përgjithësi mendojmë, se bota duhet të bashkohet për t'i dhënë fund murtajës së piraterisë."

Somalia Kenia Piraten verhaftet in Mombasa

Piratë të arrestuar në Mombasa

Që tani bota është duke bërë shumë përpjekje: Në kuadër të misionit të Bashkimit Evropian 'Atalanta' në Gjirin e Adenit janë angazhuar rreth 30 anije luftarake dhe avionë zbulues. Si pasojë piratët e kanë zhvendosur zonën e tyre të veprimit, ata godasin më larg brigjeve në Oqeanin Indian.

Achim Winkler është kapiten fregate në misionin e Bashkimit Evropian "Atalanta":

“Në këtë zonë detare gjigante në lindje të Afrikës nuk ka anije luftarake, për faktin e thjeshtë, sepse nuk kemi. Për të mbikqyrur këtë hapësirë do të duheshin qindra anije luftarake njëkohësisht. Në një numër kaq të madh ato thjesht nuk janë të pranishme këtu, ky është problemi."

Por më shumë anije luftarake nuk mund të dërgojë aktualisht asnjë vend dhe në këtë mënyrë problemi i piratëve në Kepin e Afrikës me gjasa do të vazhdojë të mos e lërë rehat botën në Kepin e Afrikës.

Autor: Tim Janszky/Elert Ajazaj

Redaktoi: Angjelina Verbica