1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Shumë anulime - Reja e hirit vullkanik dhe Panairi i Hanoverit

Si kancelarja Merkel edhe një numër i madh të ftuarish me rëndësi nuk morën në ceremoninë e hapjes së panairit. Disa madje e kanë anuluar fare ardhjen në Hanover. Megjithatë në Hanover ndjehet një frymë optimizimi.

Kancelarja duke luajtuar me robotin humanoid italian icub

Kancelarja duke luajtuar me robotin humanoid italian "icub"

Bashkërendimi i njeriut me makineritë duket në Panairin e Hanoverit mjaft harmonik, sikur të ishte gjëja më e arsyeshme e botës. Ndërkohë që gjërat e tjera ishin kësaj radhe të pazakonshme për këtë panair. Për shkak se kancelarja nuk arriti të vinte me avion nga Kalifornia, ku qëndroi para pak ditësh, panairin në vend të saj e hapi ministri i Ekonomisë Rainer Brüderle. Kryeministri italian Berluskoni nuk e pa të udhës të vinte me makinë dhe dërgoi për këtë në Hanover gjithashtu ministrin italian të Ekonomisë. Italia është sivjet vendi partner i Panairit të Hanoverit.

Deutschland Flash-Galerie Hannover Messe 2010 Partnerland Italien

Të dy ministrat theksuan se ekonomia duhet të fillojë të shënojë sërish rritje. Çelësi për këtë gjendet sipas ministrit gjerman të Ekonomisë Brüderle "Këtu në Hanover dhe ai mban emrin inovacion dhe teknologji. Me to mund të arrijmë sërish rritjen ekonomike, me to mund të ruajmë nivelin e mirëqënies, vendet e punës, me to mund të rrisim mirëqënien dhe të krijojmë vende të reja pune."

Merkeli entuziaste

Kancelarja Merkel që arriti të hënën (19.04) me makinë në Gjermani, bëri gjithashtu vizitën e saj tradicionale në Panairin e Hanoverit. Gjatë vizitës së saj ajo shprehu entuziazmin se panairi i sivjetshëm, i cili ka në qendër të vëmendjes energjitë më efektive, robotët dhe ndërtimet e lehta, është një shenjë shprese për kapërcimin e krizës.

18 Prill 2010, Pamje nga Panairi në Hanover

18 Prill 2010, Pamje nga Panairi në Hanover

"Këtu prezantohen rreth 4.000 novatorizma që tregojnë se ne do të dalim nga kriza edhe më të fortë se sa hymë," - tha Merkel.

Me autobusë në vend të avionëvë

Shumë pjesëmarrës në panair po vijnë drejt Hanoverit me autobusë. Ata i kishin ndërprerë fluturimet në Stamboll, Bullgari apo Spanjë dhe janë nisur prej aty me autobusë, sqaroi kryetari i kryesisë së panairit Wolfgang von Fritsch: "Sapo nisëm edhe dy autobusë për Milano për të marrë pjesëmarrës të tjerë në panair. Ne u kemi thënë të gjithë pjesëmarrësve që duan të vijnë panair, se në qoftë se arrijnë të vijnë me avion deri në Evropë, p.sh. deri në Romë, atëhere ju dërgojmë autobusë që t'ju marrim atje.“

Ndër ata që janë tashmë të pranishëm në Hanover entuziazmi është më i madh se para një viti. Përveç robotëve që harxhojnë gjithnjë e më pak energji, një temë e rëndësishme e panairit është edhe elektromobiliteti.

Gjithësesi megjithë optimizimin në rritje askush nuk guxon të thotë me zë të lartë, se Panairi i Hanoverit do të japë sinjalin për fillimin rritjes ekonomike për të cilën shpresojnë të gjithë.

Autor: Oliver Hoesch/Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti