1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Shumçka varet nga Partia e Kurdëve

Rreth 56 milionë turq vendosin të dielën për raportin e forcave në parlamentin e tyre. Nëse partia konservatore fetare AKP e Erdoganit do ta ruajë shumicën e saj absolute, varet nga suksesi elektoral i HDP-së kurde.

"Erdogan po na çon drejt katastrofës", thërret Ibrahimi në mes trafikut të dendur të Stambollit. Të dielën ai do t'ia japë votën e tij "kurdëve". 58-vjeçari, shofer taksie nga Anadolli Lindor, i cili nuk do ta tregojë mbiemrin, nuk është pjesëtar i minoritetit kurd në Turqi. Ai e quan veten "turk krenar". Por vetëm nëse partia kurde "Partia Demokratike e Popujve" (HDP) merr të paktën dhjetë përqind të votave, dhe hyn kështu në Asamblenë e Madhe Kombëtare në Ankara, Ibrahim sheh një shans për të frenuar presidentin Rexhep Taip Erdogan.

Shumica e bisedave me qytetarët e qytetit 20-milionësh në Bosfor, si dhe në kryeqytetin Ankara, tregojnë se vendi është i ndarë në mes të përkrahësve të Erdoganit dhe mbështetësve të opozitës. Nga 79 provincat e tjera të vendit vëzhguesit njoftojnë se AKP ka avantazhe në terren. Por ata janë të një mendimi se partia kurde HDP është ajo, që mban në balancë peshoren.

Bashkëjetesë paqësore e "të gjithë popujve në Turqi"

Ndërsa Erdogani dhe kryeministri Ahmet Davutoglu përsërisin vazhdimisht gjatë fushatës zgjedhore formulën: "Një komb, një flamur, një atdhe, një shtet", kryetari i HDP Selahattin Demirtas thekson bashkëjetesën paqësore "të gjithë popujve në Turqi". Kjo nënkupton përveç turqve dhe kurdëve, alevitët, sunitët, arabët dhe shumë pakica të tjera etnike dhe fetare.

HDP është e sigurt, se do ta arrijë pragun e dhjetë përqindëshit: Ky optimizëm bazohet edhe në rezultatin e mirë prej 9.7 për qind, që ka arritur Demirtas si rivali i Erdoganit në zgjedhjet presidenciale në gusht 2014. AKP përpiqet vazhdimisht të krijojë një lidhje organike midis HDP-së dhe "Partisë Punëtore të Kurdistanit" (PKK), të ndaluar në Gjermani dhe në BE. Udhëheqësi i PKK, Abdullah Oçalan, i cili ndodhet prej më shumë se 16 vjetësh i burgosur në ishullin Imrali në Detin Marmara, në Turqi njihet përgjithësisht si "udhëheqës terrorist" dhe "vrasës fëmijësh".

Nga qëllimi Erdoganit për të çuar përpara procesin e paqes me kurdët, nuk vihet re më asgjë. Në vend të kësaj ai i hodhi benzinë zjarrit, duke thënë se nuk ekziston problem kurd. "Me strategjinë e tij të përjashtimit të çdo gjëje, që nuk i përgjigjet përfytyrimeve të tij, Erdogan shkakton rritjen e rrezikshme të tensioneve të brendshme", kritikon eksperti politik Husejin Bagçi nga Universiteti Teknik i Lindjes së Mesme (METU) në Ankara.

Sipas sondazheve Erdogani është në avantazh

Sipas sondazheve Erdogani është në avantazh

Negociatat për pranim në BE në rrugë pa krye

Për Bagci thyerja mes Erdoganit të mëparshëm", që përpiqej për reforma demokratike dhe modernizimin e Turqisë" dhe atij të tanishmit, "i cili ka kohë që nuk kërkon më konsensus demokratik", është fitorja spektakolare e AKP në vitin 2011, me gati 50 për qind të votave.

Më së voni me ngjitjen e tij në postin e presidentit - kreu i parë i shtetit i zgjedhur nga populli me pothuajse 52 për qind të votave - ai ka marrë kurs drejt "ujërave të stuhishme", thotë Bagçi. Nëse Bashkimi Evropian mund të ushtrojë ende ndikim mbi Erdoganin, për këtë nuk diskutohet më: "Negociatat janë në rrugë pa krye, BE nuk mund të bëjë për momentin asgjë më për Turqinë."

Ashtu si Bagci edhe Sinan Ülgen, shef i qendrës për studime ekonomike dhe të politikës së jashtme, mendon se HDP do ta kalojë pragun e dhjetë-përqindëshit. Simpatia për Demirtas-in është shumë e madhe. Përveç kësaj Erdogan "ka bërë shumë gabime, për shembull instrumentalizimin e fese për qëllime politike."

Në anketime AKP e Erdoganit është shumë më përpara - por pas 34 për qind në vitin 2002, 44 për qind në vitin 2007 dhe 49,95 për qind katër vjet më parë, tani ajo është në rrezik të humbasë për herë të parë vota. Kështu shpresa Erdoganit për të marrë të paktën 367 nga 550 mandatet e nevojshme për të ndryshuar kushtetutën dhe për të zgjeruar pushtetin e presidentit, spostohet një herë në një të ardhme të largët. Nëse HDP e siguron përfaqësimin në parlament, AKP do të ketë edhe më pak vende sesa 311 mandatet e fundit.

Demirtas e ka përjashtuar kategorikisht koalicionin me AKP-në

Me cilën parti mund të formojnë një koalicion AKP, në qoftë se humbet shumicën absolute? Republikanët e majtë kemalistë të udhëhequr nga Kemal Kiliçdaroglu janë po ashtu një mundësi, si edhe nacionalistët e djathtë, të udhëhequr nga Devlet Bahçeli. Një koalicion me HDP nuk shtrohet më për diskutim, sepse kryetari i saj Demirtas e ka përjashtuar kategorikisht një aleancë me AKP.

Fakti që Erdogani në shfaqjet e tij në publik nuk sillet në mënyrë neutrale dhe jo partike - edhe pse këtë e kërkon posti i presidentit - nuk i bën fare përshtypje. "Unë nuk marr anën e askujt", thërret ai në tribunat e AKP-së. Ai thotë se është "vetëm në anën e popullit e tij", ndaj të cilit ka detyrim t'i tregojë "rreziqet për vendin dhe njerëzit".

Të dielën në mbrëmje Turqia dhe komuniteti ndërkombëtar do të marrin vesh se si rrjedhin ngjarjet në skajin gjeografik të Evropës. Për herë të parë në histori shpresat e shumë turqve drejtohen te një parti kurde.