1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

121211 Großbritannien EU

12 Dhjetor 2011

Shefi liberaldemokrat, zëvendëskryeministri Clegg, e quajtur qëndrimin e kryeministrit Cameron në samitin e fundit të BE-së të dëmshëm për Britaninë. Ndërsa politikanët kryesorë konservatorë mbështetën pozicionet e Cam

https://p.dw.com/p/13RMS
Kryeministri David Cameron (majtas) dhe zevëndëskryeministri Nick Clegg
Kryeministri David Cameron (majtas) dhe zevëndëskryeministri Nick CleggFotografi: dapd

Përgjigja "Jo" e Britanisë së Madhe për ndryshimin e Marrëveshjes së BE-së është sprova e parë serioze për koalicionin qeveritar të konservatorëve dhe liberaldemokratëve në Londër.

Ai heshti dy ditë dhe në fund gjeti fjalë shumë efektive: Nick Clegg, shefi i liberaldemokratëve dhe zëvendëskryeministër i Britanisë së Madhe, deklaroi të dielën se vetoja e qeverisë së tij në samitin e Brukselit për ndryshimin e Marrëveshjes së BE-së ishte gabim. "Jam shumë i dëshpëruar me rezultatin e samitit të javës së kaluar. Jam i dëshpëruar për faktin se ekziston rreziku real që Britania e Madhe të izolohet brenda Bashkimit Evropian dhe të humbë rëndësinë, që ka", tha Clegg.

David Cameron në konferencë shtypi me kancelaren Angela Merkel në Berlin
David Cameron në konferencë shtypi me kancelaren Angela Merkel në BerlinFotografi: dapd

Të premten (9.12.) u tha në qarqet qeveritare se edhe Clegg mbështet pozicionet e kryeministrit Cameron. Ndërsa të dielën (11.12.) doli me fjalë shumë kritike duke e quajtur qëndrimin e pakompromis të Cameronit si të dëmshëm për britanikët: „Nuk e besoj se kjo është mirë për vendet e punës, për pozitën e Londrës në financa, për familjet britanike, apo për tërë vendin", theksoi Clegg.

Fjalë kritike ndaj pozicioneve të Cameronit janë dëgjuar edhe nga radhët e vet partisë së tij konservatore. Ministri i Drejtësisë, Ken Clarke, një nga politikanët e rrallë proevropianë, tha se është shumë i zhgënjyer me qëndrimin e shefit të tij. Por fjala e Clarkut në kabinetin qeveritar dhe në parti nuk ka ndonjë peshë. Mbështetësit e Cameronit e kanë quajtur të drejtë vendimin e kryeministrit. Kështu shprehet edhe ministri i Jashtëm William Hague: „Tërë qeveria ka shprehur në prag të takimit kushtet e britanikëve, për të dhënë pëlqimin lidhur me propozimet. Këto kushte nuk janë plotësuar, prandaj vetoja e Cameronit është e drejtë.“

Ministri i Financave George Osborne pohon madje se Britania e Madhe e ka mbrojtur BE-në. „Ne nuk po dalim nga BE-ja, por po e mbrojmë BE-në si institucion, për të mirën e të gjitha 27 vendeve anëtare, pra edhe Britanisë së Madhe.(...) Britania e Madhe gjithmonë do të ulet pranë tavolinës, kur bisedohet për çështjet e rëndësishme dhe për interesat ekonomike britanike. Por njëkohësisht është shumë e qartë që në qoftë se vendet e eurozonës duan të afrohen mes vete pa i mbrojtur interesat britanike, këtë duhet ta bëjnë vetë dhe nuk duhet të përdorin institucionet e Bashkimit Evropian", pohon Osborne.

George Osborne ministër britanik i Financave
George Osborne ministër britanik i FinancaveFotografi: dapd

Supozohet se kryeminstri David Cameron të hënën pasdite (12.12.) do të argumentojë me fjalë të ngjashme në parlament veton e tij në Bruksel. Partia opozitare laburiste po përpiqet të shfrytëzojë momentin e përçarjeve mes partive në koalicion. Shefi i saj Ed Miliband deklaroi në mënyrë demonstrative se Nick Clegg ka të dretjë.

„Ky ishte një vendim i keq për Britaninë e Madhe. Në të ardhmen 26 vende do të marrin vendime të rëndësishme, pa na pyetur neve. David Cameroni ka bërë në këtë çështje një paraqitje me të vërtetë të keqe“, tha Miliband.

Por zgjedhësit britanikë duket se janë dakord me kursin e Cameronit. Në sondazhet e para 62 % e të anketuarve kanë mbështetur veton e tij në BE. Vetëm 19 % ishin kundër. Gjysma e britanikëve deklarohen madje për dalje nga BE-ja. Ndërsa vetëm 33 % janë për mbetje në BE. 65 % e britanikëve janë të bindur se euro do të dështojë. Ndërsa 70 % e të anketuarve janë të mendimit se samiti i fundit e ka forcuar tepër Gjermaninë në Evropë.

Autor: Sebastian Hesse/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica