1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtyrja e statusit kandidat lidhet dhe me faktorë jashtë Shqipërisë

Analistë dhe ekspertë të pavarur komentojnë vendimin e këshillit të ministrave të BE-së për shtyrjen me 6 muaj të statusit kandidat për Shqipërinë.

Vendimi nuk është një lajm i mirë për një shoqëri që manifeston një mbështetje të gjerë proeuropiane, thotë për DW Albert Rakipi, drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare në Tiranë. Ky është një tregues që njihet nga Brukseli në rastin e Shqipërisë, sipas tij, dhe po të gjykohet në planin rajonal, Shqipëria është në kuotat e Bosnjës, një shtet që ka probleme specifike, apo me Kosovën, që është një shtet i ri me një fazë fillestare në marrëdhëniet me BE-në. Nuk është një lajm i mirë, por mua më duket dhe një lajm jo i drejtë, sepse Këshilli i Ministrave nuk paraqiti kushte konkrete, si bëri një vit më parë, vëren Albert Rakipi.

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE hyjnë në një stad delikat

“Nuk është se ka pasur zhvillime negative në gjashtë muajt e fundit. Mendoj se nuk duhet lexuar vendimi si refuzim, por thjesht një shtyrje për gjashtë muajt e ardhshëm. Me këtë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe BE hyjnë në një stad delikat. Administrata e re e paszgjedhjeve ka rreth 3 muaj në detyrë, një kohë që më duket jo e mjaftë për të parë rezultate konkrete, apo si thuhet, për të parë vepra konkrete. Mbase kjo ka ndikuar, por duhet thënë se tre kushtet e vendosura një vit më parë u përmbushën. Aq më tepër që Shqipëria pati një transferim paqësor të pushtetit së fundmi. Pritmëritë e larta në Shqipëri dhe jashtë saj, nuk morën rezultatin e dëshiruar dhe kjo lidhet me faktorë jashtë vendit. Lidhet me krizën globale, si dhe me tendencat e shfaqjes së lëvizjeve populiste në disa vende europiane që bëhen frymëzuese për skepticizëm ndaj procesit të zgjerimit të BE-së”.

Në foto, Albert Rakipi

Në foto, Albert Rakipi

Pas këtij vendimi Albert Rakipi nga Instituti i Studimeve Ndërkombëtare nuk parashikon ndonjë zbehje të frymës proeuropiane në shoqërinë shqiptare. “Më duket një trend i qëndrueshëm i opinionit publik në favor të procesit të anëtarësimit në BE. Me vendimin e fundit në fakt nuk humbën thjesht marrjen e statusit, por humbën dhe mundësinë e akordimit të fondeve mbështetëse nga BE-ja, për të cilat vendi ka shumë nevoja.

Nuk kanë rëndësi vitet e pritjes sa çka rëndësi çfarë bëjmë

Alfred Lela analist në gazetën “MAPO” shtyrjen e statusit të vendit kandidat nuk e mendon siç thotë ai, “fund të botës”. Për Lelën kemi të bëjmë me refuzim, që është mbështjellë me termin ‘shtyrje'. Shqipëria duhet të bëhet e vetëmjaftueshme pastaj të marrë statustin dhe jo të marrë statusin për t'u bërë e vetëmjaftueshme, thotë për DW ai. “Me ‘vetëmjaftueshmëri' kuptoj përmbushje të standardeve jo si detyra shtëpie, por si detyrim i brendshëm kulturor, institucional, shpirtëror apo edhe moral në daç. Kjo përcakton, ose më saktë duhet të përcaktojë, edhe ecurinë e procesit të anëtarësimit në vazhdim. Nuk ka rëndësi qershori apo dhjetori, ka rëndësi një vetëdijësim e një vetëndijim për standardet tona në raport me Europën. Mendoj se ka një plogështi europiane në raport me ‘të huaj' të tjerë, dhe kjo duket te skepticizmi i pesëshes për statusin e Shqipërisë, ndër të cilët katër ishin anëtarë të 12-es së parë të BE. Nuk kanë rëndësi vitet e pritjes sa çka rëndësi se çfarë bëjmë gjatë kësaj kohe: nëse bëjmë hapa mbrapa me idenë ‘këta nuk do na e japin gjithsesi' ky do të ishte një alarm i kuq për ne më shumë se për Europën. Por edhe shenjë se vetëmjaftueshmëria nuk ka ndodhur."

Shqipëria duhet të punojë fort që të bëhet më e mirë për shqiptarët

Mimoza Koçiu, opinioniste në të përditshmen “Gazeta Shqiptare” thotë se është ndjerë e zhgënjyer nga vendimi i Këshillit të Ministrave të BE-së, të cilin e përshkruan si “ngrirje” të Shqipërisë edhe për gjashtë muaj në sallën e pritjes së Unionit. Ajo e arsyeton zhgënjimin me faktin se performanca pozitive e Shqipërisë, edhe me mbajtjen sipas standardeve të zgjedhjeve të fundit parlamentare, bëri që ofiqarë të lartë të BE si znj. Ashton apo komisioneri Fyle të angazhoheshin si kurrë më parë në një lobim institucional për Shqipërinë. Por “të dy personalitetet në fjalë janë pjesa teknike, e jo politike e Unionit dhe kjo do thotë që në terma kërkesash, Shqipëria i kishte bërë detyrat e saj të shtëpisë. Ngelej për t'u marrë vendimi politik, dhe në këtë nivel, Shqipëria ngeli sërish edhe pse për të nuk pati detyra të reja. Nisur nga qasja e ngjashme edhe me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, mendoj se BE - sidomos shtetet themeluese të tij- nuk është politikisht gati që të mirëpresë shtete të reja dhe Ballkani po e vuan këtë. Përkundër kësaj, mendoj se Shqipëria duhet të punojë fort që të bëhet më e mirë për shqiptarët e jo për BE”.