1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtypi për kandidaturën e Serbisë

Serbia nuk duhet që pa plotësimin e kushteve të pranohet në shtëpinë evropiane. Serbia nuk duhet të sjellë në BE kusuret nga e kaluara

Gazetat gjermane

Gazetat gjermane

'Der Tagespiegel' autorja e komentit me titull "Serbia dhe Bashkimi Evropian" mendon se Serbia nuk duhet që të pranohet në shtëpinë evropiane pa plotësimin e kushteve:

"Në hartën e Evropës të cilën "Shtëpia e Komisionit Evropian - Unter den Linden" në Berlin u fal vizitorëve të saj, dallohen njolla të mëdha gri. Ato tregojnë shtetet që nuk i përkasin Bashkimit Evropian dhe që janë të dy llojeve. Nga njëra anë shtetet milionere si vendi i bankave Zvicra, apo vendi i naftës, Norvegjia, ndërsa nga ana tjetër po t'i krahasosh me të parat, vendet lypëse. Aty bëjnë pjesë shumica e shteteve që dolën nga shpërbërja e Jugosllavisë: Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina.

Për të gjitha vendet e rajonit, të cilat nga diplomatët me kënaqësi quhet "SEE"  ("South East Europe"), Bashkimi Evropian në Bruksel duket si një premtim në horizont: Të jemi atje një herë, pastaj punët do t'i kemi mirë! Fakti që njerëzit në këtë "atje" kanë shqetësime të mëdha në "SEE" ballkanik nuk i intereson pothuajse askujt. Dhe të gjithë duan të arrijnë atje.

Pas luftërave ballkanike të nxitura kryesisht nga arroganca e supremacisë serbe, premtimi për hapjen e portave të Evropës ishte një stimulim i rëndësishëm për paqen, dhe shpresa me emrin Evropë ka nxitur reforma në shumë vende. Megjithatë, nëse Serbia këmbëngul për hyrjen e saj në shtëpinë e Evropës atëherë ky vend nuk duhet të sjellë me vete kusure shpërthyese nga e kaluara.

Serbia ngul ende këmbë që të mos njohë ish krahinën e saj, tani  Republikën e Kosovës, dikur skenë e masakrave të milicisë serbe dhe në Beograd ka ende sy lakmues që shikojnë në drejtim të "Republikës Srpska fqinje". Ku shqetësimi për papunësinë dhe impiantet e kalbura industriale duhet të ishte kryesori, por grupet e zakonshme të myshterinjve aty nxehen për "Kosovën tonë", fetishin e nacionalistëve. Megjithatë kjo "Kosova jonë" do të duhej të shërbente për t'i thënë Serbisë: nuk ka hyrje në shtëpinë e Brukselit!... lexojmë ndër të tjera në Der Tagespiegel.

Ndërkaq në gazetën Die Presse nën tiutullin: "BE, gjest i mirë për Serbinë dhe Kosovën" shkruhet:

"Ministri i Jashtëm austriak Michael Spindelegger, theksoi në Bruksel  se 'nuk ka asnjë mekanizëm automatik' që i mundëson Serbisë të bëhet anëtar i BE-së.' Ka ende "mjaft pika që janë kritike.' Njëra prej tyre, nga e cila varet fillimi i negociatave për pranim është raporti i Serbisë ndaj ish krahinës së saj, Kosovës. Serbia nuk e njeh Kosovën ende si shtet. Por javën e kaluar, nën trysninë e afatit për ndarjen e statusit të kandidatit,  Beogradi dhe Prishtina ranë dakord për një Modus Operandi, i cili duhet të mundësojë një bashkëpunim të frytshëm në çështjet teknike dhe kontrollin e përbashkët të kalimeve kufitare. Po ashtu edhe shqiptarët e Kosovës për vullnetin e treguar shpërblehen nga ana e BE - së paku në mënyrë simbolike. Komisioni Evropian do të përgatisë një studim fizibiliteti për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën... Gjithashtu shefi i diplomacisë austriake Spindelegger ,mendon se brenda një afati të caktuar kohor duhet të zhvillohen negociata për lehtësimin e regjimit të vizave edhe për kosovarët. Megjithatë, kjo është një temë për të cilën janë përgjegjës ministrat e Brendshëm të BE-së", thuhet ndër të tjera në Die Presse. 

Autorë: Agjencitë e lajmeve / Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama