1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi ndërkombëtar për Greqinë

Kersten Knipp28 Qershor 2015

Refuzimi i kreditorëve evropianë për ta mbështetur edhe më tej Greqinë, i ka tronditur mediat ndërkombëtare. Ato janë të shqetësuara për Evropën dhe euron, por kanë mendime të ndryshme sa i përket diagnozës.

https://p.dw.com/p/1FodM
Fotografi: picture-alliance/dpa/Fotoreport

Evropa bëri nën betim deklaratën e falimentimit. Shtetet e BE-së këtë fundjavë dëshmuan paaftësinë e tyre politike. Sepse devijuesve ata u treguan kartonin e kuq. Qeveria e Ciprasit e përjetoi këtë kur pas shpalljes së referendumit iu ndaluan paratë e tjera ndihmë. Kështu e sheh këtë New York Times ose më saktë autori i kronikës, nobelisti Paul Krugman. "Çfarëdo që të kenë thënë gjatë fushatës elektorale, në fund qeveritë përkulen para kërkesave të trojkës. Ky proces vërtet e ka mbajtur të bashkuar monedhën. Por ai ka mbajtur në këmbë edhe një program të rreptë kursimesh thellësisht shkatërrues". Dhe atij nuk mund t'i besosh, mendon Krugman.

Kërkimi i përgjegjësve

Po kush është përgjegjës për dështimin e negociatave të Brukselit? Drejtuesit grekë të negociatave, shkruan gazeta e përditshme spanjolle ABC. "Ciprasi dhe Varufakisi i çuan në dëshpërim partnerët e tyre të bisedimeve. Dhe e bënë këtë në atë masë, sa arritën çarje në një çështje shumë thelbësore. Kjo shkoi aq larg, sa më fund u publikua një komunikatë, ku fiksohet zyrtarisht kjo çarje. "Ministrat e shteteve të Euros, me përjashtim të Greqisë", shkruhet atje - me çfarëdo kuptimi që të jenë shkruar këto fjalë."

Griechenland Presseschau Symbolbild
Fotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Ngjashëm e sheh këtë gazeta italiane "Corriere della Sera". Edhe ajo mendon se përgjegjësit për dështimin janë në Athinë. "Gjatë negociatave me kreditorët, Cipras dhe Varufakis asnjëherë nuk kanë lënë përshtypjen se po negocionin me zemër të hapur dhe se synonin dakordimin. Asnjëherë ata nuk kanë pasur synim serioz për të bërë reforma, të cilat mund ta bënin Greqinë një vend konkurrues. Ata vajtën edhe shumë hapa pas vendimeve të qeverisë së mëparshme greke. Para së gjithash ata i shtynë partnerët e bisedimeve që të japin para evropiane, pa u dhënë garanci për kthimin." Dhe tani referendumi, ai e mbushi kupën.

Jo, grekët nuk janë ata që e mbajnë përgjegjësinë kryesore, shkruan britanikja Telegraph. "Në të vërtetë, të çmendurit janë ata që e krijuan Euron, këtë konstrukt qesharak. Janë ata që besuan se ëndrrat politike dhe snobizmi mund të zëvendësojnë logjikën ekonomike dhe të kapërcejnë dallime kulturore dhe nacionale. Kështu, në një kontinent gjigant ata krijuan një bashkim monetar pa siguritë e nevojshme."

Autokritikë greke?

Dhe si e shohin të gjithën në Greqi ? Të paktën gazeta Kathimerini nuk është e entuziazmuar nga sjellja e dyshes Cipras/Varoufakis. Mungesa e sjelljes joprofesionale të tyre u tregua deri në fund, deri në shpalljen e referendumit, shkruan gazeta. "Të paktën pritëm që barra e këtij vendimi ta kishte bërë më të thellë e më të menduar fjalimin e Ciprasit. Shpresuam që një vendim, i cili seriozisht e vë në rrezik dëmtimi vendin, të argumentohej mjaftueshëm dhe që fjalimi ta justifikonte disi vendimin". Por "vendimi-shok u shpall pa asnjë përgatitje. As fjalimi nuk qe i përgatitur". Kështu, shkruan Kathimerini, grekët duhet të vendosin brenda një jave një çështje që do të kishte pasoja edhe në brezat e ardhshëm. "Grekët nuk kanë kohë as ta studiojnë këtë çështje, pa folur fare për mungesën e kohës për ta diskutuar."