1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtypi mbi Serbinë: Shanset e afrimit me BE-në ulen

Shtypi i sotëm gjermanofon ndalet në zhvillimet në Bruksel rreth kërkesës së Serbisë për të marrë statusin e kandidatit për në BE.

Në gazetën DIE PRESSE ndër të tjera nënvizohet: "Në hall e sipër, një lojtar pokeri pa kartë të mirë në dorë nis lojën e tij plot me variante të shprehjeve të fytyrës. Pavarësisht nëse është fjala për në Berlin, Londër apo në Beograd: prej kërkesave kokëforta, në lutje të forta për të treguar simpati deri në paralajmërime të errëta për rastin nëse Serbisë nuk i njihet statusi i kandidatit në takimin e nivelit të lartë të BE-së, ky është arsenali me shumë fjalë me të cilin këto ditë e përpunoi opinionin e Evropës presidenti Boris Tadiç.

Pra BE vendi i tij do të zhytet në nacionalizëm, paralajmëroi babai i shtetit serb edhe njëherë një mbrëmje para takimit të nivelit të lartë të BE në Bruksel: "Ne e kemi merituar kandidaturën", tha ai. Serbia tërheq vërtet vëmendjen për suksese të supozuara, megjithatë nuk mund të dëshmojë përparime të vërteta në dialogun me Kosovën.

Beogradi ndenji për një kohë të gjatë pa vepruar

Me këmbëngulje u tërhoqi vëmendjen Kancelarja Federale Angela Merkel në vizitën e saj në Beograd në gusht mikrpritësve të saj, se pa përmirësim të qëndrueshëm të marrëdhënieve me ish-provincën e Kosovës nuk duhet të llogaritet një afrim i shpejtë i BE. Edhe në raportin e progresit të BE të publikuar në tetor nuk bëhej fjalë për datën e dëshiruar nga Beogradi, për të nisur negociata eventuale anëtarësimi - por statusi i kandidatit lidhej qartë me përparime në dialogun e ngecur në vend për çështje të fqinjësisë me Kosovë. Por reagimi nga Beogradi ka munguar për një kohë të gjatë...

Vërtet që pak para takimit të nivelit të lartë të BE disa barrikada rrugësh u hoqën, por Serbia ka një bilanc shumë minimal suksesesh. Misioni i shtetit juridik EULEX bllokohet edhe më tej në Kosovën e veriut nga serbët. Beogradi nuk ka vënë në jetë thuajse asnjë nga lehtësimet e jetës së përditshme, me të cilat ra dakord në qershor me Prishtinën. Meqenëse dogana serbe vazhdon të pengojë futjen e mallrave kosovare, parlamenti i Kosovës vendosi sërish këtë javë një ndalim importi për mallra serbe."

"Merkeli kthehet në simbolin e ri të armikut" - nën këtë titull autori Andrej Ivanji shkruan ndër të tjera në numrin e sotëm të gazetës TAGESZEITUNG:

"Prej ditësh kancelaren federale Merkel mund ta shohësh në faqet kryesore të gazetave të përditshme serbe. Dhe kjo jo për shkak të rolit të saj qendror në krizën e euros, por sepse të premten e kaluar kishte thënë në deklaratën e saj qeveritare: Për shkak të politikës së saj ndaj Kosovës, Serbia nuk "është pjekur për statusin e kandidatit të BE".

Kjo ishte një shuplakë për presidentin e Serbisë, Boris Tadic...i cili kishte llogaritur se përballë zgjedhjeve parlamentare serbe në pranverë 2012 Serbia do të merrte më 9 dhjetor të paktën statusin e kandidatit për në BE. Pas dorëzimit të të dyshuarit për krime lufte, Ratko Mlladiç, statusi i kandidatit u duk i sigurtë, ai nuk pritej të dështonte në politikën serbe të "mosnjohjes së Kosovës".

Por pastaj Berlini mori qendrim bllokues... Pse nuk duan gjermanët t'i shohin serbët në BE?

Me këtë pyetje merren të gjithë spektaklet politike televizivë në Serbi. U kujtua fakti se aviacioni luftarak gjerman për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore u përdor në sulmet ajrore të NATO-s kundër Serbisë më 1999. Se Gjermania ka faj për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë dhe se është një nga shtetet e para që e njohën Kosovën. Gjermania bllokon, Austria lëkundet. Të gjitha shtetet e tjera të BE janë për dhënien e statusit të kandidatit Serbisë.

Figurës së shekullit të kaluar, të zbehur prej kohësh, të "gjermanit të keq" po i rigjallërohen ngjyrat. Dhe kjo megjithë zërat moderues, të cilët thonë se Gjermania është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë dhe se Ministria Federale për Zhvillimin caktoi në vitin 2010 100 milionë euro për bashkëpunimin në fushën e zhvillimit me Serbisnë."

Përgatiti: Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi