1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Shtypi gjermanofon për Serbinë

Mbetja e mëtejshme e "Trenit për Bruksel" në binarë që nuk shfrytëzohen më do të kishte për Serbinë pasoja që duken sheshit, konstaton gazeta Neue Zürcher Zeitung

Në shkrimin e tij 'Treni i fundit për Bruksel', të botuar në zviceranen Neue Zürcher Zeitung, romancieri serb Dragan Velikiq konstaton.

A është anëtarësimi i Serbisë në BE në interes të shumicës së shtetasve të saj? Mendoj se po, por ... për të vendosin edhe ata që ndihen të kërcënuar prej vlerave evropiane... Si është e mundur, që në një vend, ku gjysma e ndërmarrjeve nuk punojnë dhe gjysma tjetër vetëm bën sikur ka prodhim, në një vend ku gjykuar sipas reklamave bëjnë biznes të mirë vetëm telefonia mobile dhe sallonet e bukurisë, ekziston tregu?... Një ushtri e tërë parazitësh dhe njerëzish që veprojnë përtej ligjit, jeton rehat prej pagesave të nxjera me shantazh, kontrabandës dhe evazionit fiskal.

Ndërkohë presidenti Tadiq ka lëshuar sloganin "Si Kosovën ashtu edhe BE-në"... Kjo është më shumë taktikë sesa politikë e menduar mirë. Politika e vetme konkrete e qeverisë serbe konsiston në plotësimin e kushteve të BE-së vetëm në atë masë sa e lejon gjendja në vend. Gjithçka tjetër nuk mbështetet në një strategji afatgjatë, po vlen vetëm sot për nesër. Në rast se kandidatura e Serbisë dështon në mars sërish, slogani i përmendur mund t'i kthehet Tadiqit duke e goditur si bumerang duke marrë atëherë formën "As Kosovën as BE-në".

Mbetja e mëtejshme e "Trenit për Bruksel" në binarë që nuk shfrytëzohen më do të kishte për Serbinë pasoja që duken sheshit... Një 'Jo' prej Brukselit do ta zgjaste kërkimin për një zgjidhje të çfarëdo lloji qoftë midis Serbisë dhe Kosovës, me fjalë të tjera nuk do t'i shërbehej gjendjes reale në rajon.

Ndërsa në artikullin e vjenezes Die Presse 'Austria hap për Serbinë derën në BE' thuhet: Megjithëse Serbia nuk ka kontribuar vërtet thelbësisht në përmirësimin e marrëdhënieve me ish-provincën e Kosovës, të kërkuar në samitin e BE-së në dhjetor, shteti ballkanik mendohet të zgjidhet javën e ardhshme si kandidat për anëtarësim. Ministrat e jashtëm të BE-së mund të hapin dritën e gjelbër që të hënën e ardhshme, thuhet në qarqet diplomatike... Në sfond, Austria ka shtyrë energjikisht drejt këtij vendimi.

Autorë: Agj / Elert Ajazaj

Redaktoi: Esat Ahmeti