1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtypi gjerman: Serbia aktualisht nuk ka interes të ketë konflikt

Komentatorët e shtypit gjerman e kanë edhe më tej temën e Kosovës në qendër të vëmendjes, në këto ditë vere.

Presse, Gjermani

Presse, Gjermani

"Çështja e Kosovës është reduktuar në një konflikt për Mitrovicën", shkruan Michael Martens në të përditshmen prestigjoze gjermane FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG. Më tej në numrin e sotëm të FAZ lexojmë: "Shpallja e pavarësisë së Kosovës ka kontribuar në një masë të konsiderueshme në stabilitetin e Ballkanit, por në një kuadër më të vogël konflikti është ruajtur. "Grindja për doganat" midis Serbisë dhe Kosovës nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i antagonizmit serbo-shqiptar në një skenë më të vogël. Në aktin (ndoshta) të fundit bëhet fjalë për atë se kush e kontrollon prapavijën me banorë serbë të qytetit të ndarë etnikisht Mitrovicë, në veri të Kosovës."

Duke folur për marrëveshjen e arritur midis serbëve dhe shqiptarëve për mënjanimin e bllokadave në pikat doganore në Mitrovicë, autori më tej shkruan: "Një grusht politikanësh provincialë serbë të Kosovës nuk do të arrijnë të pengojnë edhe më tej një marrëveshje të arritur midis Beogradit, Prishtinës dhe KFOR-it. Është realiste të mendosh që barrikadat do të eleminohen herët apo vonë. Kjo do të ishte një gjysmë suksesi për qeverinë kosovare. Vërtet që ajo dështoi më përpjekjen e saj për të vendosur nëpunës besnikë të kufirit dhe doganave në kalimet kufitare serbo-kosovare. Por këtë detyrë do ta mbajë të paktën deri më 15 shtator KFOR-i. Pikat e kalimit do të mbeten "në parim" të mbyllura për një periudhë të parashikueshme kohe..."Më tej Michael Martens shkruan: "Serbia aktualisht nuk ka interes të ketë konflikt, sepse kjo do t'i rrezikonte shanset për dhënien e statusit të vendit kandidat të BE në vjeshtë. Perspektiva e anëtarësimit është mjeti më i fortë i presionit i BE ndaj të dyja palëve," lexojmë ndër të tjera në numrin e sotëm të gazetës FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG.

Edhe revista e njohur gjermane DER SPIEGEL boton sot një artikull për Kosovën. Nën titullin "Ata që luajnë me kukulla", autorja Julia Amalia Heyer shkruan se zgjedhjet e manipuluara, keqmenaxhimi ekonomik, korrupsioni bëjnë që në shtetin ballkanik punët të mos ecin përpara. Kolonat e nëpunësve të OKB-së dhe të BE mbysin çdo zhvillim, citon DER SPIEGEL mendimet e kosovarëve të rinj. "Në kryeqytetin Prishtinë janë amerikanët ata që i lëvizin fijet, ambasada e SHBA aktualisht po e zgjeron territorin e saj, i cili që tani i ngjan një lagjeje qyteti. Bashkësia Ndërkombëtare, e përfaqësuar në organizata vërtet të panumërta, lëviz duke manovruar për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Pika e dobët në të gjithë këtë histori: misioni më i madh i politikës së jashtme të BE, Eulexi, me 3200 punonjës është i detyruar të mbajë qëndrim neutral ndaj statusit. Pesë nga 27 shtetet e BE nuk e kanë njohur Kosovën. Autorja portreton në artikull udhëheqësin e lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti. "Meqenëse ai i mbron pikëpamjet e tij jo vetëm me zë të lartë, por edhe me aftësi retorike, ai është kthyer në tmerr për të gjithë ata që përpiqen të drejtojnë fatet në shtetin më të ri evropian", shkruan ajo. "Kur ekstremi normalizohet, kthehet normalja në ekstrem", thotë Kurti. Sipas tij, Kosova është kthyer nga një i burgosur politik i Serbisë, i torturuar dhe i turpëruar- në pacient të bashkësisë ndërkombëtare. Pa të drejtë kujdestarie për vetveten. I drejtuar nga të huajt. "Ne e kemi këmbyer burgun me spitalin", thotë ai.

Kurti dhe numri në rritje i mbështetësve të Vetëvendosjes ankohen se prania ndërkombëtare e mbyt zhvillimin në Kosovë. Një kryekëshilltar i BE thotë në mënyrë autokritike "Kjo është e saktë. Ne jemi tepër shumë. Ky është një vend i vogël dhe ne nuk i bëjmë mirë atij". Rroga mesatare në Kosovë është rreth 200 euro në muaj, një nëpunës i OKB-së fiton 40 fishin e kësaj rroge. Autorja Julia Amalia Heyer kujton më tej në artikullin e saj se që prej fundit të luftës në vitin 1999 bashkësia ndërkombëtare ka vënë në dispozicion katër miliardë euro për Kosovën; por në Kosovë nuk ka thuajse fare industri, edhe qepët dhe hudhrat importohen nga Kina. Shumica e kosovarëve jetojnë me para nga diaspora." Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, 55 vjeç thotë se politikë do të thotë më shumë se vetëm ta kritikosh atë. Për Tahirin vlejnë koordinatat e vjetra: synimi i Kosovës duhet të mbetet anëtarësimi në NATO, partneri i vetëm i besueshëm janë SHBA. Çështja e të vendosurit për veten ndan me të vërtetë brezat," shkruan në përfundim autorja e artikullit në numrin e sotëm të revistës DER SPIEGEL.

Autor: Der Spegel,FAZ/ Auron Dodi

Redaktoi: Aida Cama