1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi gjerman: Retorikë lufte në veri të Kosovës

1 Dhjetor 2011

Në Kosovë sërish po përdoret retorika e luftës, ndërkohë që në veri të vendit janë shtuar edhe incidentet serioze me të plagosur. Gazetat gjermanofolëse paralajmërojnë nga mundësia e shkallëzimit të gjendjes.

https://p.dw.com/p/13KZ7
Fotografi: DW/Yuhan Zhu

Nën titullin "Retorika e luftës në veri të Kosovës", gazeta "Neue Zürcher Zeitung" njofton se gjatë përpjekjeve të fundit për zhbllokimin e rrugëve në veri të Kosovës ka pasur incidente serioze mes ushtarëve të KFOR-it dhe serbëve. "Tendosjet e muajve të fundit në veri janë ashpërsuar këto ditë. Gjatë protestave të fundit të serbëve është vërejtur një gatishmëri më e madhe për përdorimin e dhunës. Më shumë se 20 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra serbë janë lënduar gjatë këtyre incidenteve. Serbët lokalë kanë bllokuar rrugët më të rëndësishme në veri të Kosovës. Përpjekjet e KFOR-it për lirimin e këtyre rrugëve dhe kundërshtimi i serbëve kanë rezultuar me të shtëna me armë zjarrri. Këtu nuk mund të bëhet fjalë për protesta paqësore... Në Beograd po shtohet frika nga mundësia e shkallëzimit të gjendjes dhe daljes së gjendjes jashtë kontrollit. Komandanti i ushtrisë serbe Miloje Miletiq,ka deklaruar të martën në një intervistë për gazetën "Veçernje Novosti" se ushtria është në gjendje gatishmërie. Në Kosovë nuk ekziston rreziku i një eksodi të ri të serbëve, por kjo mundësi nuk përjashtohet për pjesët e banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë. Por edhe Miletiq paralajmëron nga përpjekjet për zgjidhjen e konflitktit me mjete ushtarake", shkruan kjo gazetë.

Ndërsa gazeta "Der Tagesspiegel" pohon se për ardhmërinë e veriut të Kosovës "aktualisht po luftohet në tri fronte: në veri të Kosovës, në Beograd dhe në Bruksel".

"Në veri gjendja ka arritur pas incidenteve të fundit mes trupave ndërkombëtare dhe serbëve një shkallë të re. Për herë të parë është shtënë drejtpërdrejt me armë kundër ushtarëve të KFOR-it dhe janë plagosur dy ushtarë gjermanë dhe një austriak. Loja e maces dhe miut rreth vendosjes dhe zhvendosjes së barrikadave në veri, kërcënon të dalë jashtë kontrollit.

Tri prej katër komunave me shumicë serbe në veri janë në duart e partive nacionaliste, ku presidenti Boris Tadiq nuk ka ndonjë influencë të madhe. Por së fundi edhe ai dhe kabineti qeveritar në Beograd ka luajtur me lojën nacionaliste. Pasardhësi i Millosheviqit, Ivica Daçiq ka deklaruar se 'askush në Serbi nuk duhet të thotë se Kosova është humbur'. Në Serbi ndërkohë ka filluar dhe fushata elektorale. Për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike, papunësisë së lartë dhe gjendjes së tanishme, Tadiqi me shokët mund të paguajnë me humbjen e pushtetit. Statusi i kandidatit për anëtarësim në BE Tadiqit ndoshta nuk do t'ia siguronte fitoren në zgjedhje. Por do të ndihmonte mbetjen e tij në pushtet. Se a do të fitohet ky status varet edhe nga dialogu në Bruksel, mes delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit. Vendimi do të merret me 9 dhjetor në Bruksel", shkruan "Der Tagesspiegel".

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Aida Cama