1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Shtypi: Pse Gruevski nuk largohet tërësisht nga pushteti?

bc (tz, welt)5 Korrik 2016

Gazetat gjermane i kushtojnë sot një vëmendje të posaçme ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski. Ato shtrojnë pyetjen pse ai megjithatë e ka mbështetjen e BE?

https://p.dw.com/p/1JJE1
Mazedonien Anti-Regierungsproteste Nikola Gruevski Ex-Regierungschef
Fotografi: Getty Images/AFP/R. Atanasovski

Gazeta Die Welt shkruan gjërë e gjatë për ish-kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, për të cilin thotë se ka krijuar një imazh tejet të keq. "Por ai po i mban refugjatët larg nga Evropa".

Gruevski ishte deri para ca kohe kryeministër, por është larguar për shkak të kritikave shumë të rënda për korrupsion. "Megjithatë ka ruajtur pushtetin dhe askush nuk dyshon se Gruevski edhe më tej mban timonin në Maqedoni...Gruevski nuk është i preferuar tek shumica e popullit. Opozita e kritikon për manipulimin e zgjedhjeve, punë ilegale dhe rryshfet e korrupsion. Ndërkohë që qeveria ka marrë edhe pengje politike dhe ka futur disa gazetarë kritikë në burg, për t'ua mbyllur gojën atyre që shkruajnë për vrasjen e një të riu nga forcat e sigurisë së ish-kryeministrit. Të gjitha këto kanë shkaktuar protesta të mijëra maqedonasve. Kundërpërgjigja e qeverisë maqedonase ishte vrasja në maj e 18 separatistëve të dyshuar shqiptarë në Kumanovë. Opozita i ka shtuar kritikat edhe me këtë pikë, duket nënvizuar se Gruevski po përpiqet të shkaktojë konflikte ndëretnike, për të ruajtur pushtetin", konstaton gazeta. 

Autori i tekstit Krsto Llazareviq pohon se "megjithë këto kritika, Bashkimi Evropian nuk po ndërmerr aksione vendimtare kundër Gruevskit, sepse ai është një partner i rëndësishëm në çështjen e refugjatëve. Përderisa Erdogani po e pengon kalimin e refugjatëve në Greqi, Gruevski po i mban larg Evropës ata refugjatë të cilët kanë ardhur deri në Greqi. "Bashkëpunimi po jep fryte, sepse itinerari i Ballkanit është mbyllur", shkruan gazeta.

Gruevski ka ardhur në pushtet në vitin 2006 dhe prej atëherë ka krijuar rrjete të nepotizmit në pushtet. Shumë shpejt ka emëruar si shef të shërbimit të sigurimit kushëririn e tij Sasho Mijalkov, i cili mban përgjegjësinë për përgjimin e mbi 20.000 personave. Gruevski i ka instaluar njerëzit e tij edhe në pushtet, në organet juridike dhe në institucione. Ndaj Gruevskit ka shumë kritika, por duket se ato nuk po lënë përshtypje të madhe. Ai po mbrohet me pohime për teori komploti dhe pohon se kundërshtarët e tij janë financuar nga jashtë. "Brukseli ka provuar që të ndërmjetësojë dhe që problemet t'i zgjidhë me Gruevskin. Por Gruevski nuk ka realizuar asnjë prej premtimeve për zgjedhje të lira dhe demokratike", shkruan Die Welt.  

Ndërsa e përditshmja "Die Tageszeitung" i kushton vëmendje samitit të Parisit për Ballkanin Perëndimor. Gazeta pohon se Ballkani Perëndimor nuk duhet t'i humbë shpresat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, as pas Brexit-it. Gazeta pohon se në Sarajevë janë përhapur barcoletat për ngjashmërinë e gjendjes në BE me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.

"Përvoja e Ballkanit tregon se fillimi i shkatërrimit të Jugosllavisë përcillej me mobilizime nacionale, gënjeshtra dhe histeri masive të humbjes së mirëbesimit mes popujve."

Ndër problemet e sotme më të mëdha në këto vende janë elitat e korruptuara, influenca ruse, miliardat saudite por edhe mangësitë e mëdha në demokratizimin e këtyre vendeve. Konferenca në Paris jep shpresa, por tani ato duhet të realizohen.