1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman për qendrat e Opelit

default

Në takimin e tyre të nivelit të lartë për Opelin qeveritë evropiane ranë dakord që asnjë nga vendet e BE-së nuk do t'i premtojë koncernit amerikan General Motors ndihma shtetërore për të mbrojtur në këtë mënyrë fabrikat dhe uzinat e Opelit dhe të GM që gjenden në vendet e tyre. Kjo temë gjen jehonë në shtypin e sotëm gjerman:

Gazeta "Westdeutsche Allgemeine Zeitung" shkruan:

"Një veprim i zgjuar, një marrëveshje e arsyeshme. Por marrëveshja është e vonuar. Dhe ajo është e brishtë. Prej muajsh qeveritë e vendeve të ndryshme japin sinjale duke premtuar kredi apo ndihma financiare. Në këtë drejtim Gjermania ka zgjedhur drejtimin e gabuar. Pikërisht vendlindja e Adam Opel-it kalon në defensivë. Aktualisht Gjermanisë i duhet të shikojë se si fqinjët e saj kanë bërë marrëveshje me GM në lidhje me fabrikat që gjenden në vendet e tyre. Premtimet për ndihma financiare në miliona nga Belgjika, Spanja apo Britania e Madhe me siguri që janë kalkuluar prej kohësh në planet e GM për shpëtimin e Opelit. Edhe në qoftë se qeveritë e BE-së dhe Komisioni i BE-së e prezantojnë ndryshe këtë gjë: në rastin e Opelit konkurrenca për fabrikat e prodhimit i është nënshtruar një testi të fortë, që nuk e përballoi. Evropa nuk funksionoi mirë. Dhe me veprimet e saj individuale edhe Gjermania ka pjesën e saj të fajit."

"Märkische Oderzeitung" shkruan:

"Tani vetëm mund të shpresojmë që qeveria gjermane të mos bëjë sërish premtime financiare për Opelin në kurriz të taksapaguesve. Subvencionimi i studimeve për motorë të rinj makinash që punojnë me elementë elektrikë do të ishte më me vend, se sa t'i japësh ndihma finaciare një prodhuesi automjetesh, i cili edhe përpara krizës së madhe ishte vazhdimisht në vështirësi. Sipërmarrja FIAT vendosi që megjithë premtimet për ndihma shtetërore, në rast se nuk i mbyllte fabrikat që planifikonte, ta ndërmerrte këtë hap. Që të mund të mbijetojë, për hapa të tillë, edhe pse të dhimbshëm, ka nevojë edhe Opeli, pavarësisht se politikanët premtojnë të tjera gjëra."

Autor: dpa/Pandeli Pani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 24.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KeCg
  • Data 24.11.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/KeCg