1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Shtypi gjerman për procesin gjyqësor të Mynihut

Procesi gjyqësor i Mynihut analizohet nga shtypi gjerman. Ne foto: faqet e para te gazetave gjermane

Procesi gjyqësor i Mynihut analizohet nga shtypi gjerman

Në një nga proceset e fundit kundër kriminelëve nazistë të luftës, Gjykata e Landit në Mynih ka dënuar një ish oficer të Vehrmahtit me burgim të përjetshëm. Jozef Shojngraber (Scheungraber) u gjet fajtor që ka urdhëruar në vitin 1944 vrasjen e 14 civilëve italianë në Toskanë, si shpagim për vrasjen e dy ushtarëve. Kjo është sot temë edhe në të përditshmet gjermane. Fillimisht në 'Schwäbische Zeitung' lexojmë:

"Për brezin e sotëm në proceset e tilla bëhet fjalë për raportin ndaj brezit të gjyshërve, i cili ka të drejtë të kërkojë dhimbsuri dhe falje. Pikërisht këtë pajtim nuk e pengojnë proceset si ai që përfundoi dje në Mynih. Përkundrazi: nuk janë vetëm viktimat ato që kanë nevojë për drejtësi, por edhe vetë dorasit. Një amnesti e përgjithshme do të ishte në rastin më të mirë e përshtatshme për të lënë pas vetes një dyshim të përgjithshëm, se në mes të fajtorëve dhe të pafajshmëve nuk ka asnjë dallim dhe kështu të dënohej një brez i tërë. Pikërisht këtë nuk e kanë merituar baballarët dhe gjyshërit tanë", thuhet ndër të tjera në 'Schwäbische Zeitung' .

Ndërsa nga 'Hessische/Niedersächsische Allgemeine', e cila botohet në Kassel po për këtë temë shkëpusim:

"Oficeri i atëhershëm i Wehrmacht-it Jozef Shojngraber vërtet mund të tërhiqte vëmendjen te Adolf Hitlerin, i cili i urdhëronte ushtarët e tij që të vrisnin pa mëshirë në luftën partizane edhe fëmijët dhe gratë. Megjithatë vendimi për të vrarë ishte përfundimisht një vendim personal, i lirë dhe i keq. Ky vendim me gjykimin e Mynihut ndëshkohet me plot të drejtë", nënvizon e përditshmja e Kasselit.

'Südwest Presse' në numrin e saj të sotëm thekson:

"Mosha e thyer e të dyshuarve e bën të vështirë zbardhjen e së vërtetës. Por tani është e kotë të ankohemi për këtë. Fillimisht në vitet '60 ligjëvënsit u kujdesën që të mos lejojnë vjetërimin e krimeve të kohës së nacionalsocializmit... Vendimi i vonuar kundër një 90 vjeçari mund të ketë kuptimin e lehtësimit për të afërmit e viktimave. Por ai nuk duhet të na bëjë të harrojmë atë që nuk kemi bërë në '60 vitet e kaluara", lexojmë në 'Südwest Presse'.

Autor: dpa/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 12.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J87i
  • Data 12.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/J87i