1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Shtypi gjerman për gjendjen në Kosovë

Shtypi gjerman trajton sot konfliktin mes Beogradit dhe Prishtinës në veriun e Kosovës, i cili sërish mund të shkallëzohet në dhunë. Ja një përmbledhje.

default

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan se nëse konflikti në kufirin serbo-kosovar nuk zgjidhet shpejt, atëherë nuk ka për të kaluar shumë kohë dhe mund të ketë gjakderdhje. Vetë një studim i fundit i "International Crisis Group", shkruan gazeta gjermane, ka arritur në përfundimin se konflikti mes Prishtinës dhe Beogradit ka hyrë në një fazë të rrezikshme. Në qytetin e ndarë të Mitrovicës ka disa qindra serbë të armatosur, shumë prej të cilëve janë të lidhur me bandat kriminale, dhe mund të ndodhë që të hapin zjarr kundër zyrtarëve kosovarë dhe atyre të EULEX-it, por edhe kundër KFOR-it. Në rastin më të keq mund të nisë një seri atentatesh hakmarrëse kundër civilëve në të gjithë Kosovën. Kjo do të prekte edhe Gjermaninë, që ofron kontigjentin më të madh të trupave në KFOR.  Nga ana politike, shkruan gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung, bëhet fjalë kush do ta kontrollojë veriun e Kosovës. Serbia apo Kosova. Faktikisht Serbia ka pushtetin në veri. Presidenti serb, Tadiç ka edhe një plan të qartë për Kosovën. E përditshmja gjermane vëren se Beogradi e pret me dëshirë nëse pjesa e mbetur e Kosovës, më pas i bashkohej Shqipërisë. Por aktualisht as Uashingtoni dhe as BE nuk e duan ndarjen e Kosovës.

Gazeta Süddeutsche Zeitung në artikullin e saj "Problemi i Serbisë" i kushton vëmendje konfliktit në veriun e Kosovës. Ka ardhur koha që BE t'i dalë ballë këtij problemi dhe të detyrojë Beogradin të luajë një rol konstruktiv në konfliktin e Kosovës. Serbia nuk duhet ta njohë menjëherë Kosovën, por duhet të paktën të pranojë se Kosova është shkëputur përfundimisht nga Serbia. Në vend të kësaj, Beogradi kërkon ndarjen territoriale të Kosovës. Ndryshimet e kufijve në Ballkan mund të rrezikojnë stabilitetin.

E përditshmja gjermane Tageszeitung në artikullin "Hapje zjarri në vend të dialogut" vëren se kanë marrë një goditje shpresat për fundin e dhunës në Kosovë. Vëzhguesit politikë janë të mendimit se mund të ketë sërish përplasje të reja, pasi qeveria e Beogradit nuk ka një pozicion të qartë lidhur me këto incidente. "Qeveria e Beogradit është e ndarë përsa i përket çështjes së Kosovës. Prandaj ajo nuk ia del të kontrollojë serbët radikalë në Kosovë" thuhet në qarqet diplomatike të Prishtinës, vëren Tageszeitung.

Ndërsa gazeta austriake Die Presse e cilëson konfliktin në Kosovë si një lojë të maces me miun. Situata është shkallëzuar rrezikshëm, shkruan Die Presse, që i referohet komandantit të KFOr-it, Erhard Drews. Ai i lidh trazirat me një "grup të vogël, shumë të gatshëm për dhunë të personave me maska të zeza."

Autor: faz, sdd, taz, die presse/Arapi

Redaktoi: Aida Cama